Kryeministri Thaçi: Buxheti i parë i shtetit të Kosovës së pavarur, bazament për një Kosovë të përparuar dhe të suksesshme


Image

Prishtinë, 19 Dhjetor 2008
 
Fjalimi i Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas miratimit të Ligjit për Buxhetin për vitin 2009
 
 
Shumëkush ka menduar se ne nuk do të jemi në gjendje të punojmë bashkë në mënyrë demokratike.
Ky buxhet dëshmon të kundërtën.
Së bashku, ne përgatitëm një buxhet të drejtë dhe të balancuar, për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Së bashku, në përgatitëm një buxhet që do të shërbejë si bazament për një Kosovë të përparuar dhe të suksesshme.
Së bashku, ne posa votuam buxhetin e parë të Republikës së pavarur të Kosovës.
Ky është moment i shënuar në historinë tonë.
 
Gjatë përgatitjes së këtij buxheti, në dëgjuam zërin e kërkesave të qytetarëve të Kosovës.
Ne të gjithë duam stabilitet, përparim dhe zhvillim ekonomik.
Të gjithë duam shtet me resurse për të mbrojtur të gjithë qytetarët.
Të gjithë duam shtet që ofron shpresë dhe mundësi për të gjithë.
Ne jemi zotuar se do t’i ndjekim këto qëllime si prioritete tona.
Ky buxhet është një hap i madh përpara drejt këtij synimi, të cilin do ta realizojmë.
 
Gjatë vitit 2009, Kosova do të shpenzojë një miliard e nëntëdhjetë e katër milionë euro për investime kapitale, arsim, mirëqenie sociale dhe programe të tjera për qytetarët e Kosovës. Do të krijohen vende të reja të punës. Pagat do të rriten. Fëmijët tanë do t’i përgatisim për të konkurruar në tregun global të punës.
 
Qytetarë të Kosovës,
faleminderit për besimin që i keni dhënë Qeverisë.
Ne po punojmë shumë, çdo ditë, për të ndërtuar një qeverisje të mirë, të cilën e meritoni ju.
 
Sot, ndihem krenar me të arriturat tona të përbashkëta.
Dua ta falënderoj këtu ministrin dhe zëvendësministrin e ekonomisë dhe financave, dhe gjithë stafin e Qeverisë që kanë punuar në buxhet.
Ndihem krenar me punën e secilit ministër dhe zëvendësve të tyre.
Gjatë përpilimit të buxhetit, kam kërkuar nga të gjithë që të kenë parasysh nevojat dhe kërkesat e çdo qytetari të Kosovës; kam kërkuar që të merret parasysh kriza globale financiare dhe të gjinden mënyra për t’i mbrojtur qytetarët nga ndikimi i saj.
 
Ky proces kërkon syçeltësi, analizë të plotë dhe vendime të vështira.
Ne kemi punuar së bashku për të garantuar që çdo cent të shkojë aty ku duhet. Jam i kënaqur që për këtë kemi punuar të gjithë, jo si politikanë, jo si anëtarë të partive politike, por si qytetarë të këtij vendi. Me këtë i kemi treguar popullit të Kosovës, u kemi treguar partnerëve tanë ndërkombëtarë se demokracia dhe liria munden dhe janë duke shënuar rezultate në Kosovë.
 
Deputetë të nderuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Juve ju falënderoj për votën tuaj.
 
Miratimi i këtij buxheti është hapi më vendimtar në rrugën e Kosovës për konsolidimin e shtetësisë se vet. Si parlament i vendit, ju u ngritët mbi politikën e ngushtë partiake dhe dëgjuat zërin e qytetarëve të Kosovës.
 
I nderuari z. Krasniqi, kryetar i parlamentit, ju falënderoj për kontributin tuaj për krijimin e kushteve për një debat dhe votim konstruktiv.
 
Partnerëve, miqve dhe këshilltarëve tanë ndërkombëtarë, ju faleminderit në emër të qytetarëve të Kosovës. Ju punuat me ne për pavarësinë e Kosovës, tani po na ndihmoni për ta bërë Kosovën pjesë të barabartë dhe të integruar të bashkësisë ndërkombëtare.
 
Kosova do të vazhdojë ta arsyetojë investimin dhe besimin tuaj në ne.
 
Brezat që do të vijnë pas do ta kujtojnë këtë moment, do t’i studiojnë të arriturat tona dhe do të na falënderojnë, sepse do të shohin se buxheti i parë i shtetit të Kosovës së pavarur është bazament i tyre për të ardhmen. 
 
Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors