Kryeministri Thaçi: Besojmë fuqishëm në suksesin e plotë që do ta shënojë Kosova në zgjedhjet e 15 nëntorit


Image


Image


Image

Prishtinë, 13 nëntor 2009

Në hapje të mbledhjes së 93-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar gjithë qytetarët e Kosovës për procesin e suksesshëm elektoral në Kosovën e pavarur, demokratike e shumë etnike.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët dhe subjektet politike të Kosovës për pjesëmarrje aktive dhe dinamike në fushatën elektorale. Kam besim të plotë se Kosova dhe qytetarët e saj do të japin këtë provim të rëndësishëm të demokracisë”, theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se zgjedhjet janë të përgatitura  shumë mirë dhe model për rajonin. Ato paraqesin histori të re të suksesit të shtetit tonë të ri.

Kryeministri Thaçi ka ftuar në emër të qeverisë të gjithë qytetarët për një pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje. Po ashtu kryeministri ftoi të gjitha subjektet politike pranimin dhe njohjen e rezultateve të  zgjedhjeve.

“Ne besojmë fuqishëm në suksesin e plotë që do ta shënojë Kosova edhe në zgjedhjet e 15 nëntorit”, tha z.Thaçi.
 
Qeveria ka marrë vendim për koncesionimin dhe zhvillimin me investime private për hidrocentralet e vogla në Republikën e Kosovës. Sipas këtij vendimi, Ministria e Energjisë dhe e Minierave do të përgatisë studime paraprake të nevojshme për hidrocentralet e vogla që do të jepen me koncesion, bazuar në nenin 18 të Ligjit mbi Partneritetet Publiko-Private dhe Koncesionet në Infrastrukturë Publike.

Kabineti qeveritar ka diskutuar sot draftin e Planit Hapësinor të Kosovës 2010-2020. Pas shumë diskutimeve , kryeministri Thaçi ka kërkuar konsulta shtesë me faktorin ndërkombëtar, me shoqërinë civile sepse ky është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët tanë. Qeveria ka vendosur që ky dokument për tre muaj të mbetet në diskutim publik.

Po sot është miratuar Strategjia për Rini dhe themelimi i Komitetit ndërministror. Sipas ministrit Valton Beqiri kjo strategji ka për qëllim përmirësimin e situatës së të rinjve duke përfshirë moshën 15 deri 25 vjeçare. Politika rinore fillon me përcaktimin e hollësishëm të situatës së rinisë në Kosovë, pjesëmarrja, edukimi, punësimi, shëndetësia, siguria njerëzore dhe sporti e rekreacioni, ka thënë z. Beqiri.
 
Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë e Transportit Multimodal dhe Planit të Veprimit . U tha se Strategjia e Transportit Multimodal dhe Plani i Veprimit është hartuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë dhe është projekt i asistencë. Sipas ministrit Fatmir Limaj qëllimi i përgjithshëm i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në sektorin e transportit është: të kontribuojë në rritjen ekonomike përmes krijimit të sistemit të transportit multimodal (rrugor, hekurudhor, dhe ajror) të integruar, efikas, dhe me kosto të ulët dhe i cili nuk e rrezikon ambientin.
Me qëllim të realizimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes Zyrës së Kryeministrit dhe USAID-it, Qeveria ka marrë vendim që të ndahen mjete financiare në vlerë prej 100.000 (njëqindmijë) euro për financim të projekteve në fshatrat multietnike në Republikën e Kosovës.

Qeveria ka ndarë 35 mijë euro për Produkcionet filmike Rex Film dhe Arena për shtatë dokumentar televiziv për shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors