Kryeministri Thaçi: Asnjë cep i territorit të Republikës së Kosovës nuk do t’i jepet Serbisë


Image

Prishtinë, 17 nëntor 2011
 
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me deklarimet e fundit në skenën politike të Kosovës për shkëmbim territoresh, si dhe lidhur me çështjen e menaxhimit të integruar të kontrollit të kufijve shtetërorë

 
I nderuari kryetar
Të nderuar deputetë
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

 
Më lejoni fillimisht,  që në kuadër të këtyre angazhimeve që i kemi, por edhe miratimit të buxhetit për vitin 2012, të ndalem edhe në dy çështje që janë të rëndësishme për qytetarët e vendit, për shtetin tonë, për respektimin e kushtetutës dhe ligjet e  Republikës së Kosovës.
 
I nderuar kryetar,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Miq ndërkombëtarë

 
Jemi dëshmitarë të përkushtimeve të mëdha të institucioneve të Republikës së Kosovës në një partneret shumë të ngushtë me të gjitha autoritete ndërkombëtare, KFOR-in, EULEX-in, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjeve në tërë territorin e Kosovës.
 
Befasisht, ditëve të fundit kemi deklarime të personaliteteve publike të partive të ndryshme politike, që mënyrën e zgjidhjes së problemit të veriut të Mitrovicës, e shohin si opsion me dhënien e atij territori të Republikës së Kosovës, Serbisë, apo me ndryshimin e kufijve apo këmbimin e territoreve.
 
Natyrisht, unë shpreh edhe shqetësimin e Qeverisë për këto ide befasuese, që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, dhe gjithashtu prezantoj edhe shqetësimin e miqve ndërkombëtar për këto ide që janë në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe dokumenteve ndërkombëtare për Kosovën.
 
E ritheksoj edhe njëherë, Kosova është e njohur nga 86 shtete, me integritetin territorial të respektuar, të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.
 
Prandaj edhe njëherë e shpreh shqetësimin tim në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjithashtu prezantoj edhe shqetësimin e miqve ndërkombëtarë, që kanë prezantuar këtë shqetësim në Qeveri të Kosovës për këto ide të individëve të ndryshëm të skenës politike të Kosovës.
 
Pyetja ime në këtë drejtim, edhe si Qeveri e Kosovës, është se a janë këto qëndrime të partive të caktuara politike, apo vetëm qëndrime individuale.
 
Jam në favor të mendimit të lirë, jam në favor të ideve të reja, në favor të opinioneve të lira, por në të njëjtën kohë, mendoj se këtyre çështjeve të ngritura ditëve të fundit, është mirë t’i jepet përgjigje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
 
Qeveria e Kosovës do të vazhdoj të respektoj në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për  respektimin e plotë të integritetitet territorial të Republikës së Kosovës, dhe natyrisht asnjë cep i territorit të Republikës së Kosovës të mos i jepet Serbisë.
 
Ndarja e territorit të Kosovës është një ide shumë e rrezikshme.
 
Çështja e dytë është ajo për menaxhimin e integruar të kontrollit të kufijve shtetëror.

Ideja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar dhe kontrollit të kufirit shtetëror, është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës, dhe ju kisha ftuar të gjithëve me dashamirësinë më të madhe, si kolegë, t’a lexoni mirë, sepse është model evropian, model që e kemi aprovuar vetë.
 
Dhe, unë kisha dashur vetëm të theksoj, që të mos përzihet menaxhimi i integruar i kufijve me çështjen e kufijve.
 
Menaxhimi i integruar i kufijve është ky. Pra, ky ligj zbatohet pa paragjykim ndaj mandatit të organizatave ndërkombëtare, ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
 
Menaxhimi i integruar i kufirit nënkupton bashkëpunim dhe bashkërendim kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërmjet të gjitha autoriteteve përkatëse, për vendosjen e sistemeve të efektshme të menaxhimit të integruar të kufirit, me qëllim arritjen e objektivave të kufijve të hapur, por të mirëkontrolluar dhe të sigurt.
 
Bëjeni dallimin edhe me demarkacion, që nënkupton vijën kufitare ndërmjet dy shteteve fqinje.
 
Ju falemnderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors