Kryeministri Mustafa: Qeveria e Kosovës përkrahje të fuqishme për rritjen e prodhimit vendor


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 1 prill 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Parkun e Biznesit në Drenas, ku pa nga afër punën dhe rezultatet e disa prodhuesve vendorë dhe të huaj të cilët veprojnë në Kosovë.
 
Pas vizitave në Firmën prodhuese gjermano-kosovare për ndërtimin e ashensorëve “Liftkos”, në Kompaninë italiane të montimit të ndërtesave “Arkos”, si dhe në fabrikën e prodhimit të qeseve të plastikës “Scampa”, kryeministri Mustafa mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të zgjerimit të Fabrikës së përpunimit të drurit “Shehu”.
 
Gjatë vizitës, ku ishte i shoqëruar nga ministrat Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti dhe kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, kryeministri Isa Mustafa, shprehu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e parkut edhe në 70 hektarë tokë, në mënyrë që të gjitha bizneset e interesuara të kenë hapësirë në këtë zonë.
 
“Zona praktikisht është e populluar sepse më nuk ka hapësirë për biznese të reja. Kemi iniciativën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me Komunën, që ne të zhvendosemi në anën tjetër edhe me 70 hektarë, në mënyrë që të mundësojmë që të gjitha bizneset që janë të interesuara të hyjnë në zona të tilla e të gjejnë hapësirë”, tha kryeministri, duke bërë të ditur se tashmë në këtë park të biznesit janë koncentruar 41 biznese.
 
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi rëndësinë e pranisë së gjermanëve dhe investitorëve të tjerë të huaj në këtë Park të Biznesit.
 
“Ato po tregohen si zona shumë të suksesshme dhe si shumë efiçiente. Bizneset po tregohen po ashtu shumë të interesuara. Vetë fakti që i kemi këtu partnerët nga Gjermania, që kanë ardhur me teknologji gjermane, me dije gjermane, me përvojë dhe me traditë të punës, por që kanë punuar shkëlqyeshëm edhe me partnerët vendorë, është një fakt shumë i mirë se ne mund të zhvillojmë një partneritet të tillë ekonomik me vendet e tjera”, tha kryeministri Mustafa.
 
Por, të gjitha këto të arritura, pikë së pari, kryeministri ua atribuoj qytetarëve.
 
“Njerëzit tanë janë punëtorë, të vyeshëm. Ata mund të jenë konkurrues me njerëzit tjerë në tregun e Bashkimit Evropian. Edhe këtë ditë të fillimit të Marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, MSA-së, ta shfrytëzojmë si ditë të përkushtimit tonë që ne të jemi prezent edhe në tregun e brendshëm, edhe në tregun e jashtëm”, tha kryeministri.
Investitori gjerman, nga ana e tij, vlerësoi përkrahjen dhe interesimin e Qeverisë për bizneset, duke shprehur besimin në fuqizimin e mëtejshëm të prodhimtarisë në Kosovë.
 
Pas vendosjes së gurthemelit të zgjerimi të Fabrikës “Shehu”, kryeministri Isa Mustafa shprehu interesimin e Qeverisë që të përkrah zhvillimin e prodhimit vendor.
 
“Kemi prodhues të shkëlqyeshëm brenda, që jo vetëm mund të plotësojnë nevojën e tregut brenda, por mundet pastaj të shndërrohen në eksportues të rëndësishëm edhe me dizajn edhe me cilësi të produkteve”, tha kryeministri, duke bërë të ditur se kjo firmë parasheh që ta dyfishoj numrin e punëtorëve pas zgjerimit të kapaciteteve.
 
Duke e quajtur shembull shumë të mirë të një ekonomike fleksibile, kryeministri Mustafa tha po ashtu se Kosovës i nevojitet të zhvilloj ekonomi të tillë e cila mund t’i përshtatet kushteve të tregut, mund t’i përshtatet kërkesës së brendshme, kërkesës së tregut regjional dhe tregut evropian.
 
“Është sot një simbolikë e veçantë, siç thash më parë, sepse hyjmë në ditën e parë të Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Stabilizim dhe Asociim. Unë dëshiroj të falënderoj edhe kryetarin e Komunës, për një përkushtim të madh të tij në zhvillimin e kësaj zone, dhe ta siguroj që do ta përkrahim edhe në pjesën tjetër të rrugës, në mënyrë që të zgjerohet kjo zonë, dhe të dyfishohet ose trefishohet”, tha kryeministri Mustafa.
 
Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, foli për sukseset që po arrihen në Parkun e Biznesit, duke vlerësuar edhe seriozitetin e investitorëve që operojnë aty.
 
Demaku, po ashtu, vlerësoi përkrahjen që Qeveria e Kosovës po i ofron  investitorëve serioz dhe bizneseve serioze në Parkun e Biznesit në Drenas, por edhe në Kosovë.
 
“Kemi investitorë nga pjesët tjera të Kosovës, nga jashtë Kosovës. Dhe ajo që është me rëndësi dëshiroj ta theksoj se është një shembull jashtëzakonisht i mirë dhe ndoshta do të ishte mirë që të kemi raste të tilla edhe në pjesë tjera të Kosovës, zona të tilla ekonomike, që janë në interes për investitorë, por veçanërisht edhe për numrin e të punësuarve, kur kemi parasysh faktin që janë mbi 400 punëtorë që janë momentalisht të angazhuar në Parkun e Biznesit dhe në suaza të rritjes. Gjithashtu përkrahja e vazhdueshme e Qeverisë, e Ministrisë së Tregtisë në këtë rast, për zhvillimin e Zonës Industriale, pjesa përballë Parkut të Biznesit, do të krijojë kushte edhe hapësirë të mjaftueshme edhe për një numër të madh të investitorëve, që besoj që në një të ardhme të afërt do të shihen rezultatet edhe të pjesës tjetër”, tha kryetari Demaku.

Pronari i Fabrikës së përpunimit të drurit “Shehu”, e falënderoi kryeministrin Mustafa për kujdesin dhe për përkrahjen që Qeveria e Kosovës po ofron për prodhuesit vendorë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors