Kryeministri Mustafa: Presidenti Rugova themelues i shtetit dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 2 dhjetor 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 72 vjetorit të lindjes.
 
Gjatë ditës, kryeministri Mustafa, ka bërë homazhe pranë varrit të Presidentit Rugova si dhe ka vizituar Familjen Rugova.
 
Mesazhi i kryeministrit Mustafa me këtë rast:
 
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
 
Me rastin e shënimit të 72 vjetorit të lindjes, përkujtojmë sot me krenari Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
 
Republika e Kosovës dhe populli i saj shprehin respektin për jetën dhe veprën epokale të Presidentit Rugova, i cili me vizionin, vendosmërinë dhe lidershipin e tij, e udhëhoqi Kosovën drejt realizimit të synimeve shekullore për liri, pavarësi dhe demokraci.
 
Si themelues i shtetit të Kosovës dhe arkitekt i pavarësisë, Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës së qytetarëve të Kosovës, duke pasur përkrahjen e të gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.
 
Qeveria e Kosovës ashtu si të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në Kosovë, janë të përkushtuar për fuqizimin e shtetit të pavarur, për thellimin e miqësisë me SHBA-të si dhe për integrim të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, vlera shtetërore dhe parime demokratike të përfaqësuara dhe të promovuara nga Presidenti Rugova.
 
Isa Mustafa,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors