Prishtinë, 24 maj 2016
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e platformës së dialogut të Investitorëve Evropianë me Qeverinë e Kosovës.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, kryesuesi i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emmanuel Mitsou dhe përfaqësues të institucioneve, bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë.
Kryeministri Mustafa tha se Bashkimi Evropian paraqet partnerin kryesor ekonomik të Kosovës, me pjesëmarrje në eksporte dhe importe me mbi 40 %, dhe pjesëmarrjen e investimeve të huaja direkte me mbi 50 %.
“Ky partneritet i referohet një klime të favorshme ekonomike që Kosova po ofron, i referohet përfitimeve përkatësisht benefiteve të investitorëve dhe ekonomisë së Kosovës. Si shembull i mirë i këtyre përftimeve është edhe sektori financiar, përkatësisht bankar, i cili po punon dhe po tregon efekte pozitive dhe multiplikative për ekonominë tonë. Shembuj tjerë të suksesit ka edhe në fusha të tjera”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa, tha se bartja e dijes dhe e teknologjisë nga investitorët evropianë, paraqet kontribut afatgjatë për ekonominë e Kosovës në mënyrë që këto përvoja të merren dhe të implementohen në Kosovë.
“Presim që investitorët evropianë të jenë promotorët kryesorë edhe për investime të reja, aq të nevojshme për ekonominë tonë, falë potencialit ekonomik me të cilin disponon Kosova dhe klimës së favorshme të cilën ne po e ndërtojmë këtu. Ne e kemi një treg të punës shumë të përshtatshëm, një treg të punës fleksibil, një popullatë të re, me moshë mesatare prej 26 vjeç, me paga mesatare më të ulëta se sa në vendet në rajon dhe me sistem edukimi i cili është në përmirësim e sipër. Sa i përket sektorëve më potencialë, vlen të nënvizojmë se ky mund të jetë sektori i teknologjisë informative, sektori i agrobiznesit, sektori i përpunimit të drurit, minierave, energjisë, turizmit, përpunimit të tekstilit, përpunimit të lëkurës, për të cilat ne kemi pas dhe kemi përvoja dhe të cilat mund ta gjejnë edhe tregun vendor, tregun regjional dhe atë evropian”, tha kryeministri Mustafa.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:
Është kënaqësi e imja që jam sot së bashku me ju ta bëjmë lansimin e dialogut me investitorët evropianë në sektorë të rëndësishëm për ne, si në sektorë të minierave, mineraleve, sektorin financiar, sektorin e telekomunikacionit, ku njëherit kemi investime të vazhdueshme dhe thelbësore, me efekte shumë pozitive për ekonominë tonë.
Bashkimi Evropian paraqet partnerin tonë kryesor ekonomik, me pjesëmarrje në eksporte dhe importe me mbi 40 %, dhe pjesëmarrjen e investimeve të huaja direkte me mbi 50 %.
Ky partneritet i referohet një klime të favorshme ekonomike që Kosova po ofron, i referohet përfitimeve përkatësisht benefiteve të investitorëve dhe ekonomisë së Kosovës. Si shembull i mirë i këtyre përftimeve është edhe sektori financiar, përkatësisht bankar, i cili po punon dhe po tregon efekte pozitive dhe multiplikative për ekonominë tonë. Shembuj tjerë të suksesit ka edhe në fusha të tjera. Prandaj bartja e dijes dhe e teknologjisë nga investitorët evropianë, paraqet kontribut afatgjatë për ekonominë e Kosovës në mënyrë që këto përvoja t’i marrim dhe t’i implementojmë në vendin tonë. Rrjedhimisht, ne presim që investitorët evropianë të jenë promotorët kryesorë edhe për investimet e reja, aq të nevojshme për ekonominë tonë, falë potencialit ekonomik me të cilin disponon Kosova, dhe klimës së favorshme të cilën ne po e ndërtojmë këtu. Për shembull, ne e kemi një treg të punës shumë të përshtatshëm, një treg të punës fleksibil, një popullatë të re, me moshë mesatare prej 26 vjeç, me paga mesatare më të ulëta se sa në vendet në rajon dhe me sistem edukimi i cili është në përmirësim e sipër. Sa i përket sektorëve më potencialë, vlen të nënvizojmë se ky mund të jetë sektori i teknologjisë informative, sektori i agrobiznesit, sektori i përpunimit të drurit, minierave, energjisë, turizmit, përpunimit të tekstilit, përpunimit të lëkurës, për të cilat ne kemi pas dhe kemi përvoja, dhe të cilat mund ta gjejnë edhe tregun vendor, tregun regjional dhe atë evropian.
Mund të them se Bashkimi Evropian paraqet orientimin tonë politik dhe shoqëror, dhe se me marrëveshjen e fundit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, me procesin e liberalizimit të vizave, me anëtarësimin në UEFA, po konfirmohet vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës për perspektivën e integrimit evropian, si vizion i vetëm i Kosovës në rrugëtimin e saj. Shumë reforma janë ndërmarrë dhe janë identifikuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Është Strategjia Kombëtare e Zhvillimit, është Programi i Reformave Ekonomike, është Programi Nacional për Implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të gjitha këto paraqesin mekanizma kryesor të Qeverisë edhe të Bashkimit Evropian për të monitoruar reformat dhe për t’i zhvilluar edhe më tutje ato tek ne.
Ne, deri më tani, kemi ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në koordinim të plotë me bizneset, kemi bërë një reformë të nevojshme fiskale e cila po jep rezultate të prekshme në nxitjen e bizneseve në vendin tonë, është arrit Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar e cila na ka mundësuar që të ndryshojmë kornizën fiskale dhe që vendi ynë të lirohet nga kufizimet për të marrë hua për projektet që sigurojnë punësim dhe zhvillim. Mbi këtë bazë ne do të kemi rreth 185 milionë kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe mundësinë që po ashtu të krijojmë edhe detyrime tjera zhvillimore prej 400 milionë euro.
Investimet e huaja direkte prej rreth 330 milionëve në vitin e kaluar janë më të larta pas vitit 2012, mund të them se edhe tre mujori i parë i këtij viti është mjaft inkurajues.
Qeveria e ka aprovuar Projektligjin për Investime Strategjike, ai tani është në procedurë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe mendojmë se me aprovimin e këtij ligji ne do të krijojmë kushte që të tërheqim investime në bazë të negociatave direkte dhe të thjeshtësojmë procedurën e tërheqjes së investimeve të jashtme direkte.
Kemi aprovuar Ligjin për Garancinë e Kredive për Biznesin, është arritur marrëveshja me Bankën Evropiane për Investime, me BERZH-in, Komisionin Evropian dhe janë siguruar mjetet për rikonstruktimin e hekurudhës, e cila po ashtu do të sigurojë që transporti i mallrave dhe njerëzve në të ardhmen të jetë më i lirë dhe kjo do të zhvillohet si pjesë e Agjendës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, organizata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, MCC- Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit- ka vlerësuar reformat në Kosovë, duke na listuar në vendet që mund të tërheqin fonde nga kjo organizatë dhe ne presim që mund të tërheqim fonde në vlerë ndërmjet 250 deri në 400 milionë dollarë në vitet e ardhshme, të cilat do t’i orientojmë në projektet e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit demokratik të vendit.
Jemi duke punuar vazhdimisht në përafrimin e legjislacionit dhe rregullativës tjetër me Bashkimin Evropian, në mënyrë që të krijojmë kushte të barabarta për biznes dhe të krijojmë një ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve dhe bizneseve nga jashtë.
Po ashtu, po bashkëpunojmë me të gjithë akterët në ekonomi, që t’i identifikojmë pengesat aktuale për të bërë biznes dhe të përmirësojmë klimën për investime. Kemi konstatuar se një prej këtyre problemeve, ka qenë edhe problemi i energjisë elektrike dhe tani po punojmë në ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Jemi afër këtij projekti, një investim ky mbi 1 miliardë euro me investitor privat. Kemi përfunduar investimet në autostradën energjetike me Shqipërinë. Nga ana e Shqipërisë do të përfundojë tani dhe do të sigurojmë kushte të këmbimit të energjisë elektrike, që kap kapacitetet prej 400 kilovoltësh dhe poashtu do të punojmë edhe me organizatat e tjera në mënyrë që të sigurojmë lehtësimin e biznesit.
Kur jemi tek klima e biznesit, po përmend se në bazë të vlerësimeve të Bankës Botërore përmes projektit “Doing Business”, Kosova rangohet në vendin e 65-të në 189 shtete të ranguara, që për ne është një rangim i kënaqshëm, por që nuk na kënaq plotësisht tani, sepse duhet të bëjmë përpjekje që edhe më tutje të avancojmë në listën tonë dhe të ecim përpara.
Dëshiroj t’ju uroj sot për këtë takim të rëndësishëm të gjithë ju që jeni këtu, që të ndajmë përvojat, të tregojmë po ashtu edhe orientimet që na bëjnë bashkë, në mënyrë që zhvillimi ynë i ardhshëm, të jetë zhvillim i përbashkët në shumë fusha. Sigurisht se propozimet tuaja, vërejtjet, sugjerimet, por edhe të gjeturat që do t’i japim në takimet që kemi nëpër tryeza, do të konkretizojnë edhe më shumë orientimet tona të ardhshme zhvillimore.
