Prishtinë, 11 mars 2016
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar demonstratat e vitit 1981, duke theksuar se ato ishin fillimi i revoltës dhe rrugëtimit stoik të popullit të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Kryeministri Mustafa tha se demonstratat studentore të nisura më 11 mars 1981, janë ngjarje kulmore në historinë e re të Kosovës, pasi që ato dëshmuan botërisht vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për realizmin e synimeve shekullore për çlirim dhe krijim të shtetit.
“Populli i Kosovës, me energjinë dhe vendosmërinë e studentëve, me patriotizmin dhe dijen e elitës intelektuale dhe me heroizmin e pashoq të luftëtarëve të lirisë, pas disa dekadave të rezistencës, në të gjitha format, arriti ta jetësojë vullnetin dhe synimin e tij nacional për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu mirënjohjen më të thellë institucionale të Qeverisë së Kosovës për të gjithë ata studentë dhe qytetarë të Kosovës, të cilët që nga viti ‘81 e tutje, u ballafaquan me sfida të paimagjinueshme në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.