Kryeministri Kurti viziton punimet për renovimin e 59 banesave sociale në Plemetin të Komunës së Obiliqit

Obiliq, 4 qershor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, përfaqësuesit nga Bashkimi Evropian dhe nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё (FKEE), vizituan sot punimet të cilat po bëhen në projektin për renovimin e dy ndërtesave, me gjithsej 59 banesa sociale për banorët në Plemetin, në Komunën e Obiliqit.

Këto renovime janë të bashkëfinancuara nga Qeveria dhe Bashkimi Evropian, me kontribut 10 për qind edhe nga komuna. Dy hapësirat me sipërfaqe prej rreth 4 mijë metrash katrorë, janë të ndërtuara në vitet 2006 dhe 2008, e tashmë po renovohen me masa të efiçiencës së energjisë, me vlerë investimi rreth 500 mijë euro.

“Prej këtyre 59 familjeve që janë, 15 prej tyre janë me kryefamiljare gra, gjithsej janë 370 anëtarë, që do të thotë se ka shumë fëmijë dhe me termoizolimin e kulmit të mureve, me ndryshimin e atmosferës së brendshme shumë më të rregullt e më të pastër, me ndërrimin e dritareve edhe të dyerve, me fasada të reja, do të kenë kushte të dinjitetshme të gjithë banorët këtu, shumica dërrmuese e të cilëve janë të komuniteteve joshumicë, sidomos romë e ashkalinj”, deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se projekti i gjithmbarshëm për efiçiencë të energjisë elektrike ka vlerë prej 6 milionë euro dhe po bëhet në 27 banesa sociale anembanë Kosovës. Me këtë efiçiencë të energjisë elektrike, nëpërmjet renovimit të ndërtesave, kursehet 73 për qind energjia elektrike.

Nga ana e saj, ministrja Rizvanolli tha se “Kur e kemi dizajnuar këtë projekt së bashku me BE-në para tri vitesh, qëllim dhe sfidë kryesore ka qenë balancimi i dy objektivave: efiçienca e energjisë në njërën anë dhe arritja tek qytetarët që më së shumti kanë nevojë. Projekti i banesave sociale, rreth 6 milionë euro, dy prej të cilave i kemi këtu sot, e arrin në mënyrën më perfekte balancimin e këtyre dy objektivave, dhe më vjen shumë mirë që kemi arrit tek qytetarët e Republikës së Kosovës që më së shumti kanë nevojë, përfshirë dhe komunitetet pakicë edhe nënat vetushqyese e kategori të tjera.”

Ajo shtoi se pas investimeve, kursimi i energjisë në këto ndërtesa do të jetë 71 për qind në njërën dhe 75 për qind në tjetrën, dhe kjo do të thotë jo vetëm fatura më të ulëta, shpenzime më pak, por gjithashtu edhe rehati shumë më e madhe për banorët.

Ndërkohë ministri Krasniqi tha se këtij investimi aktual i ka paraprirë edhe një investim tjetër i qeverisë bashkë me komunën e Obiliqit, ku janë rregulluar hapësirat përreth ndërtesave e poashtu edhe depot për secilën njësi banesore, duke finalizuar një investim që tashmë e bën jetën më të lehtë për qytetarët e komuniteteve që jetojnë në këto banesa.

Nga Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi tha se fondi ka realizuar shumë projekte, në 86 objekte publike, ku 17 janë duke u përfunduar, me rreth 3500 familje si përfituese nga fondi i BE-së.
Përfaqësuesi prezent nga Bashkimi Evropian shprehu se përmes këtij projekti po bëhet ndryshim i prekshëm në jetën e qytetarëve dhe se e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj është në BE e duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë vizion.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Jemi këtu bashkë me kolegë nga qeveria, me kryetarin e Komunës së Obiliqit dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, që të vizitojmë punimet të cilat po kryhen për renovimin e këtyre dy ndërtesave me gjithsej 59 banesa sociale për banorët në Plemetin, në Komunën e Obiliqit, Kastriotit.

E falënderojmë Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare, Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen e gjithanshme dhe komunën e cila kontribuon me 10 për qind.

Prej këtyre 59 familjeve që janë, 15 prej tyre janë me kryefamiljare gra, gjithsej janë 370 anëtarë, që do të thotë se ka shumë fëmijë dhe me termoizolimin e kulmit të mureve, me ndryshimin e atmosferës së brendshme shumë më të rregullt e më të pastër, me ndërrimin e dritareve edhe të dyerve, me fasada të reja, do të kenë kushte të dinjitetshme të gjithë banorët këtu, shumica dërrmuese e të cilëve janë të komuniteteve joshumicë, sidomos romë e ashkalinj.

Të nderuar banorë,

I gëzofshi këto ndërtesa e banesa të rinovuara dhe Qeveria e Republikës së Kosovës bashkë me komunën e Kastriotit e me Bashkimin Evropian do të jenë pranë juve, në mënyrë që të keni mirëqenie, të mos jeni të margjinalizuar e të diskriminuar.

Projekti i gjithmbarshëm, për efiçiencë të energjisë elektrike ka vlerë prej 6 milionë euro dhe po bëhet në 25 banesa sociale anembanë Kosovës, madje në 27 për shkak se janë shtuar edhe dy të tilla në Prizren.

Me këtë efiçiencë të energjisë elektrike, nëpërmjet renovimit të ndërtesave, kursehet 73 për qind energjia elektrike.

Faleminderit për mikpritjen e ju dëshiroj shëndet e suksese në jetë të gjithëve!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors