Mitrovicë, 7 nëntor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, me ushtruesin e detyrës së Ministrit, Blerim Sallahun dhe me kryetarin e Komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiq dhe nënkryetaren Katarina Axhançiq, dhe me kolegë tjerë nga kabineti qeveritar, vizitoi sot punimet që po zhvillohen në Qendrën për Strehimin dhe Përkujdesjen e Viktimave të Dhunës në Familje dhe objektit të shkollës dhe kopshtit për fëmijë në veri të Mitrovicës, të dy investime të qeverisë qendrore.
Qendra për Strehimin dhe Përkujdesjen e Viktimave të Dhunës në Familje që po ndërtohet ka një kosto të përgjithshme prej 640 mijë euro. Objekti do të ketë dy etazhe, tri dhoma për gra që nuk kanë fëmijë, tri dhoma për gra me fëmijë, si dhe një dhomë të veçantë për fëmijë. Punimet pritet të finalizohen në pranverë të vitit të ardhshëm. Kurse objekti i shkollës së re dhe kopshtit për fëmijë, ku kanë nisur punimet në fillim të muajit tetor, është një investim tjetër i qeverisë sonë prej 4.1 milionë euro, në të cilin do të ndjekin mësimet afër 500 fëmijë.
Ai u njoftua me detajet e projekteve dhe me dinamikën punimeve. Kryeministri falënderoi të gjithë për kontributin që kanë dhënë dhe për bashkëpunimin në realizimin e këtyre dy projekteve me rëndësi për banorët e veriut të Mitrovicës.











