Prishtinë, 30 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi për ngushëllime familjen Ramadani për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilmi Ramadani.
Ai i shprehu familjes dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit të tyre.
“Janë fort të rrallë veprimtarët e çështjes kombëtare që punuan, organizuan e luftuan kaq gjatë si Ilmi Ramadani dhe që kontribuan, frymëzuan dhe inkurajuan kaq shumë të tjerët sikur ai. Nuk fliste për angazhimin e sakrificën që bënte – ato do të flasin edhe për shumë breza e gjenerata në të ardhmen e popullit tonë”, shkroi kryeministri në librin e kujtimeve.

