Pejë, 23 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Trasnfereve dhe zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, vizitoi në Pejë fabrikën e ngjyrave, fasadave dhe materialeve ndërtimore, Gemix.
Gemix u themelua në vitin 2012 si kompani motër e Orbita sh.p.k., e cila merrej me tregti dhe shpërndarje të bojërave, veshjeve dhe kimikateve të ndërtimit. Ajo fillimisht prodhonte vetëm disa produkte si bojëra me bazë uji për brenda dhe jashtë, suva minerale, akrilike dhe mozaik, duke zgjeruar pastaj gamën me produkte të thata, ngjitës për pllaka me bazë çimentoje dhe ngjitës për izolim termik. Me ndihmën e partnerëve të R&D nga Italia dhe Gjermania, Gemix prodhoi artikuj cilësorë që e dalluan në treg, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Ballkanin. Kompania përdor lëndë të para të klasit të lartë, duke ofruar cilësi 30-40% më të mirë krahasuar me produkte të tjera të së njëjtës kategori çmimi.
Në vitin 2016, Gemix ndërtoi një linjë prodhimi për produkte të thata në Komoran. Objekti përfshin rreth 3,500 m² hapësira magazinimi dhe prodhimi, dhe 900 m² zyra dhe laboratorë. Linja e re prodhon rreth 15,000 kg në orë, duke e konsoliduar Gemix si prodhues të rëndësishëm në fushën e produkteve me bazë çimentoje.
Gjatë vizitës, kryeministri Kurti u njoftua me kushtet e punës, pajisjet dhe makinerinë moderne të prodhimit. Këtë vit, kompania ka regjistruar një rritje prej rreth 60% të eksportit. Përveçse në Kosovë, produktet e kësaj kompanie ofrojnë cilësi dhe çmime konkurruese në më shumë se 10 vende tjera, përfshirë këtu vende të Bashkimit Evropian, si Franca, Gjermani, Italia, Zvicra, Greqia, Kroacia e Sllovenia. Ai e falënderoi pronarin Avni Podrimaj dhe punëtorët për mikpritjen dhe për punën e pandërprerë dhe kontributin e rëndësishëm në ekonominë e vendit si dhe promovimin e tij përmes cilësisë së produkteve që prodhon.
Kompania Gemix është njëra nga bizneset e shumta që kanë përfituar nga mbështetja e qeverisë; ajo është përfituese e masës për subvencionimin e kredisë investive në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.







