Vushtrri, 29 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësshefin e seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, vizitoi biznesin “Greenfungo” në Komunën e Vushtrrisë, përfitues i subvencionit të paneleve solare për prodhim të energjisë për vetëkonsum.
Gjatë vizitës panë nga afër se si zhvillohet procesi i përpunimit dhe i prodhimit. Greenfungo merret me grumbullimin dhe përpunimin e produkteve pyjore të egra, jo drusore. Mbi 90 për qind të prodhimit kjo kompani e eksporton në vendet e Evropës Perëndimore.
“Qeveria jonë është e përkushtuar që t’i ulë kostot operacionale të bizneseve vendore prodhuese dhe njëkohësisht të ju ndihmojë atyre që të gjejnë sa më shumë tregje ndërkombëtare për këto prodhime, të cilat janë edhe cilësore edhe të shëndetshme”, tha kryeministri Kurti.
Në veçanti, ai falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe për qëndrimin pranë këtij sektori tejet të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendit tonë.
Ministrja Rizvanolli theksoi se gjatë dy viteve të fundit Ministria e Ekonomisë për herë të parë ka shpallur thirrje për përkrahje të bizneseve, tre sosh; për ngrohje eficiente, për sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike dhe për sisteme solare termike për ngrohje të ujit. Qëllimi i këtyre skemave, të mbështetura nga BE-ja, ka qenë mundësimi i uljes së faturave të energjisë, duke i bërë ato më konkurruese dhe më të afta për përballje të krizave energjetike, si dhe të shfrytëzohen sa më shumë burimet e ripërtrishme në sektorin e energjisë dhe në ekonominë tonë. Duke folur për skemat e përgjithshme për efiçencë të energjisë, përfshirë edhe ato për ekonomitë familjare, ministrja Rizvanolli u shpreh e lumtur që mjetet e BE-së të kanalizohen te qytetarët dhe bizneset në mënyrë më të mirë të mundshme.
Ndërkaq, nga kompania u shprehën falënderues ndaj BE-së dhe Ministrisë së Ekonomisë për mbështetjen që iu është dhënë për subvencionimin e paneleve solare, ku si rezultat shpenzimet e energjisë elektrike janë ulur 30 deri në 50 për qind.
















