Kryeministri Kurti vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës për të uruar festën e Fitër Bajramit

Prishtinë, 20 mars 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm të festës së Fitër Bajramit, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëpritën nga Myftiu Naim Tërnava.

Me këtë rast, kryeministri i uroi besimtarët për Fitër Bajramin, duke thënë se kjo festë e gëzuar njëkohësisht na i përkujton vlerat e solidaritetit, të sakrificës, të ndihmës që duhet të japim për ata që kanë më pak, që ndodhen në kushte më të vështira.

“Si çdo vjet edhe sivjet, si për çdo Bajram, vizitën e parë e bëjmë te Myftiu Naim Tërnava, te kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, këtu në selinë e tyre në Prishtinë, për t’i falënderuar për angazhimin, punën, rolin, kontributin edhe aktual edhe historik”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë ditë festive, kryeministri Kurti kujtoi edhe 37 hoxhallarë, imam, shehit, që ranë dëshmorë në luftën çlirimtare.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, erdhi Fitër Bajrami. Urime e përhajr Bajrami i Madh të gjithë besimtarëve, të gjithë shqiptarëve. Një festë e gëzuar, e cila njëkohësisht na i përkujton vlerat e solidaritetit, të sakrificës, të ndihmës që duhet të japim për ata që kanë më pak, që ndodhen në kushte më të vështira.

Si çdo vjet edhe sivjet, si për çdo Bajram, vizitën e parë e bëjmë te Myftiu Naim Tërnava, te kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, këtu në selinë e tyre në Prishtinë, për t’i falënderuar për angazhimin, punën, rolin, kontributin edhe aktual edhe historik.

Sivjet janë bërë 30 vjet prej se unë njihem personalisht me Myftiun Naim Tërnava dhe unë asnjëherë nuk e harroj kontributin e tij si udhëheqës i Medresesë Alaudin, ku mbaheshin atëbotë aktivitete të shumta shoqërore dhe kombëtare në kuadër të rezistencës sonë.

Gjithashtu, sot kujtojmë edhe 37 hoxhallarë, imam, shehit, që ranë dëshmorë në luftën çlirimtare.

E falënderoj Myftiun Tërnava për bashkëpunimin që kemi me programet e ndryshme për paqe sociale, për mirëqenie qytetare, me Shoqatën “Bereqeti” dhe jo vetëm, dhe njëkohësisht shprehi zotimin tonë që do të bashkëpunojmë gjithnjë më ngushtë e më shumë edhe në të ardhmen.

Edhe njëherë urime e gëzuar Fitër Bajramin!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors