Klinë, 19 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri në detyrë i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe bashkë me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, vizituan tri banesat sociale në qytetin e Klinës, ku po realizohen investime të rëndësishëm për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtyre ndërtesave.
Në këto tri ndërtesa të banimit social, që janë ndërtuar para dy dekadave, jetojnë 220 banorë, përkatësisht 71 familje. Në kuadër të investimeve të për efiçiencë, aty po rregullohet fasada, termoizolimi, po bëhet ndërrimi i dyerve, dritareve dhe kulmit, si dhe po vendosjen klima efiçiente në secilën njësi banesore. Punimet janë në fazën finale. Ato përveçse do përmirësojnë kushtet e jetës, do të kursejnë energjinë elektrike për banorët: në njërën ndërtesë rreth 50%, në tjerat 63%, përkatësisht 65%. Vlera e investimit në këto tri ndërtesa në Klinë është rreth 650 mijë euro.
Kryeministri Kurti përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Komunës së Klinës, dhe shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian për mbështetjen që po i jep vendit tonë në fushën e efiçiencës së energjisë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë vizitës tha se banesat që po i shohim sot, janë 3 nga 28 banesa sociale gjithandej Kosovës, të cilat po rinovohen me masa të ngjashme. Në të gjitha këto ndërtesa, banorët janë kryesisht përfitues të ndihmës sociale, pra shtresa më në nevojë e shoqërisë, mirëpo edhe shumë nëna vetushqyese, familjarë, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, që më së shumti kanë nevojë për dorën e shtetit. Ajo u shpreh e lumtur që përmes këtij programi është arritur të deri te 758 familje në total, duke theksuar se kjo është pjesë e një pakoje më të madhe dhe programeve të shumta të efiçiencës së energjisë, përmes së cilave synojmë që ta ulim konsumin e energjisë, që në njërën anë do të thotë më pak import i kushtueshëm i energjisë elektrike, dhe në anën tjetër përmirëson cilësinë e jetesës për të gjithë banorët e këtyre ndërtesave.
Ndërkaq Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj duke e falënderuar kryeministrin dhe ministren për mbështetjen, e cilësoi këtë investim dhe projekt të rëndësishëm për Komunën dhe banorët e saj, e veçanërisht për përfituesit e drejtpërdrejtë të këtyre masave të efiçiencës.
Këto investime po zbatohen nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe mbështeten nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrje të komunave (me 10%)
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe me nikoqirin, Kryetarin e Komunës, Zenun Elezaj, që t’i shohim përmbylljen e punimeve për efiçencë të energjisë elektrike në tri ndërtesa, ku përfitojnë gjithsej 71 familje, gjashtë prej tyre janë me kryefamiljarë gra, e që gjithsej kanë 220 banorë. Po bëhet rregullimi i fasadës, termoizolimi, ndërrimi i dyerve dhe i dritareve dhe sidomos i kulmit, ashtu që të jenë të freskëta gjatë verës, e të ngrohta gjatë dimrit. Po vendoset klima në secilën njësi banesore, këto janë ndërtuar para gati dy dekadave dhe janë familje të shumta nevojtare.
Unë falënderoj Ministrinë e Ekonomisë, komunën e Klinës e cila participon me 10% dhe në veçanti Bashkimin Evropian, për mbështetjen që na e ka dhënë, për çështjen e efiçiencës së energjisë elektrike, e cila në këto tri ndërtesa në njërën kursen energji rreth 50%, në tjetrën 63% dhe në tjetrën 65%.
Punimet janë rreth përfundimit, andaj është mirë që t’i shohim në këtë fazë finale, sepse herën e ardhshme ato do të jenë të realizuara plotësisht.
Kjo është në kuadër të një pakete të madhe, të një programi që ne po e bëjmë anembanë komunave të Kosovës, për ndërtesat publike, por gjithashtu edhe për ato private që t’i ndihmojmë qytetarët. Në njërën anë kemi pasur mundësimin e izolimit të shtëpive për rreth 3,000 familje, ndërkaq 40,000 familjeve gjithsej i janë blerë pajisjet elektrike që janë efiçiente për nga shpenzimi i energjisë.
Për këto tri ndërtesa këtu në Klinë, kostoja gjithsej ka qenë rreth 650 mijë euro.








