Kryeministri Kurti: Të përkushtuar për një shoqëri më të barabartë, të qëndrueshme, të begatë, për të gjithë qytetarët tanë


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 27 tetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga UNKT në shënim të zotimeve të Kosovës për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Jemi të lumtur që jemi mes 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar angazhimet e tyre ndaj Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm në platformën elektronike të OKB-së”, kështu u shpreh Kryeministri Kurti në fjalën hapëse të tij.

“Kjo pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur për të krijuar një shoqëri më të barabartë, të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët tanë”, shtoi ai.

Më tej, theksoi se “Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030, së bashku me planin tonë trevjeçar, përshkruan vizionin tonë për zhvillim të qëndrueshëm dhe realizimin e Agjendës 2030”.

“Javën e kaluar ne shpallëm angazhimin tonë për Transformimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në frymën e “lënies së askujt prapa”. Udhërrëfyesi ynë i përshpejtuar fokusohet në uljen e varfërisë, kalimin në burime të rinovueshme, transformimin digjital dhe reformën në arsim”, tha mes tjerash ai.

Në përfundim, Kryeministri Kurti tha se “Së bashku, ne do të vazhdojmë të punojmë drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të barabartë dhe më të qëndrueshme drejt Agjendës 2030. Punojmë së bashku për t’i bërë këto synime realitet dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për brezat që vijnë”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Koordinatore e KB për Zhvillim, Znj. Spence, E dashur Arnhild,
Shkëlqesia Juaj Atifete Jahjaga, ish Presidente e Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia juaj Nicholas Abbott, Ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë,
Të nderuar Shkëlqesi,
Ambasadorët Minca Benedejcic, Slloveni,
Shpresa Jusufi, Maqedonia e Veriut,
Matti Nissinen, Finlandë,
Bernard Çobaj, Mali i Zi,
Oliver Guerot, Francë,
Keisuke Yamanaka, Japoni,
Jonas Westerlund, Suedi,
Të nderuar përfaqësues të organizatave në kuadër të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë,
Të nderuar deputetë, kolegë të Qeverisë,

Është kënaqësi të jem me ju sot së bashku me shumë anëtarë të kabinetit, për të ndarë angazhimin e qeverisë sonë për të kontribuar në aksionin e rinovuar global në arritjen e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Duke iu përgjigjur thirrjes së Kombeve të Bashkuara për të bërë përparim domethënës në përshpejtimin e OZHQ-ve, Kosova u angazhua për shtatë vite veprim të përshpejtuar dhe transformues për të përmbushur premtimin për zhvillim të qëndrueshëm. Jemi të lumtur që jemi mes 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar angazhimet e tyre ndaj SDG-ve në platformën elektronike të OKB-së.

Kjo pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur për të krijuar një shoqëri më të barabartë, të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët tanë.

Duke u ndalur në 5 P-të e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm: Planeti, Paqja, Prosperiteti, Partneriteti dhe Njerëzit, ne njohim dhe vendosim qytetarët në qendër. Janë edhe ata, pra qytetarët për të cilët ne duhet të bëjmë ndryshimin, por edhe ata që bëjnë ndryshimin.

Prandaj ne jemi të angazhuar në fuqizimin e qytetarëve duke ndërtuar një sistem që ofron mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë.

Strategjia jonë Kombëtare e Zhvillimit 2030, së bashku me Planin tonë Kombëtar të Zhvillimit trevjeçar, përshkruan vizionin tonë për zhvillim të qëndrueshëm dhe realizimin e Axhendës 2030.

Javën e kaluar ne shpallëm angazhimin tonë për Transformimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në frymën e “mos lë askënd prapa”. Udhërrëfyesi ynë i përshpejtuar fokusohet në uljen e varfërisë, kalimin në burime të rinovueshme, transformimin dixhital dhe reformën në arsim.

Ne jemi të përkushtuar ndaj katër prioriteteve kryesore të politikave, duke filluar nga:
Numri një, ulja e shkallës së varfërisë nga 25% në 19% deri në vitin 2027, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve shëndetësore në kohë dhe cilësore, dhe përmirësimit të një rrjeti të barabartë dhe të adaptueshëm të sigurisë sociale me saktësi të përmirësuar të targetimit dhe mbulim të të varfërve.

Së dyti, rritja e kapacitetit tonë të energjisë së rinovueshme nga 279 MW në 1600 MW deri në vitin 2030, e plotësuar nga planet për të zgjeruar një minimum prej 170 MW të kapacitetit të ruajtjes së baterive në sistemin kombëtar të energjisë elektrike.

Së treti, deri në vitin 2027, dixhitalizimi i 65% të shërbimeve publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset, me synimin për pajisjen e 80% të popullsisë me aftësi bazë dixhitale deri në vitin 2030.

Dhe së katërti, zbatimi i reformave të rëndësishme në sistemin tonë arsimor, duke alokuar 4-6% të PBB-së dhe 15-20% të shpenzimeve publike për arsimin deri në vitin 2027. Kjo përputhet me rritjen e normave të përfshirjes në arsimin e hershëm të fëmijërisë dhe për fëmijët me nevoja të veçanta, si si dhe rritja e shkallës së regjistrimit të fëmijëve të margjinalizuar në arsimin e detyrueshëm dhe të mesëm të lartë.

Angazhimet tona përfaqësojnë një plan të përpjekjeve të qeverisë sonë për të punuar me të gjithë partnerët e zhvillimit, Koordinatorin e Zhvillimit të OKB-së dhe Agjencitë e OKB-së në terren, për të përshpejtuar përpjekjet në arritjen e standardeve të Agjendës 2030.
Për të mbështetur këto angazhime, ne po i bëjmë mekanizmat tanë të zhvillimit të përshtatshëm për qëllimin. Këtë vit ne synojmë të krijojmë një Fond përshpejtues të SDG dhe një Panel të SDG.

Së bashku, ne do të vazhdojmë të punojmë drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të barabartë dhe më të qëndrueshme drejt Axhendës 2030. Mezi pres të punojmë së bashku për t’i bërë këto synime realitet dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për brezat që vijnë.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors