Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Orav

Prishtinë, 16 shkurt 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në zyrën e tij, Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Ambasadori Orav e uroi kryeministrin Kurti për formimin e qeverisë dhe për mandatin e ri qeverisë. Ai gjithashtu e përgëzoi Kosovën për miratimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Kryeministri e falënderoi ambasadorin Orav për urimet. Gjatë takimit, ai ritheksoi zotimin se Republika e Kosovës do të jetë përherë partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian dhe se agjenda e reformave mbetet prioritet i Qeverisë, si dhe përsëriti nevojën që sa më parë Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian për të avancuar më tej në rrugën drejt integrimit dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti pas takimit me ambasadorin Orav:

E falënderova ambasadorin Orav, Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimet e tij që e kemi konstituar Kuvendin e Legjislaturës së 10-të dhe për formimin e Qeverisë, gjithashtu edhe për aprovimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili e ka një vlerë të gjithmbarshme për Republikën tonë prej 882.6 milionë euro, nga të cilat afër 30 për qind janë grante, ndërkaq diç mbi 70 për qind janë kredi.

Gjithashtu i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë siç ka qenë përherë partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian dhe ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe e sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë edhe të përfitojmë, e për këtë është e nevojshme që sa më parë ta marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë ta përshpejtojmë agjendën e reformave që padyshim do të jetë prioritet i qeverisë sonë.

Edhe një herë faleminderit shumë ambasador Orav.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors