Kryeministri Kurti takoi senatoren amerikane Elissa Slotkin

Washington D.C., ShBA, 30 shtator 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takoi senatoren amerikane të shtetit të Michiganit, Elissa Slotkin.

Në fillim të takimit dhe bisedës, kryeministri Kurti e uroi senatoren Slotkin për rizgjedhjen e saj në zgjedhjet e vitit të kaluar. Temat kryesore të bisedës ishin mbrojtja, siguria, integrimi dhe investimet në infrastrukturë. Aty kryeministri veçoi bashkëpunimin ndërmjet vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në armatimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rëndësinë e mbështetjes së ShBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Bashkë diskutuan edhe për aktivizmin dhe kontributin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në Michigan dhe për rolin që ajo luan në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve dhe për potencialin e saj në urëzimin e investimeve të bizneseve amerikane në Kosovë.

Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe ambasadorin i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors