Kryeministri Kurti përkujtoi masakrat ndaj familjeve Mulliqi dhe Morina

Prishtinë, 30 mars 2026

Në përvjetorin e 27-të të masakrave ndaj familjeve Mulliqi dhe Morina, të hënën, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Kastriot dhe në Drenas, në nderim të viktimave të gjenocidit të Serbisë, gjysma prej të cilëve ishin fëmijë dhe nxënës.

Në fshatin Milloshevë të Kastriotit, kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe kryetari i komunës, Halil Thaçi, përkujtoi masakrën ndaj veprimtarit të çështjes kombëtare Fejzullah Morina dhe tre djemve të tij: Lavdimit, Fidaimit dhe Shkëlzenit. Dy të fundit ishin vetëm 14 dhe 10 vjeç.

Ndërsa, në Abri të Epërme të Drenasit, kryeministri Kurti dhe bashkëpunëtorë përkujtuan tetë anëtarët e familjes Mulliqi, burra e djem të vrarë nga forcat e armatosura serbe më 30 mars 1999. Prej tyre, katër ishin fëmijë e nxënës të moshave 13 deri në 17 vjeç.

Me këtë rast u përkujtua edhe dëshmori i kësaj familjeje nga beteja e 19 gushtit 1998, Sejfulla Mulliqi, i cili përbën një shembull të pashoq, pasi si 17-vjeçar kishte shitur lopën për të blerë një armë, vetëm e vetëm që t’i bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se për të rikujtuar çmimin e shtrenjtë të lirisë dhe të shtetit që kemi sot, në këtë vend vijmë edhe çdo 26 shtator, datë në të cilën më 1998 forcat serbe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors