Kryeministri Kurti në pritjen për bashkatdhetarë: Kosova është më e fortë, shumë më e fortë me juve pranë

Prishtinë, 25 korrik 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me anëtarë të kabinetit qeveritar, në një ceremoni që tashmë është bërë traditë e që organizohet në Ballkonin e Hapur, mirëpriti mbrëmë pjesëtarë të mërgatës, bashkatdhetarë tanë, të cilët po qëndrojnë për pushime në Kosovë.

Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë dhe qëndrim sa më të mirë pranë familjeve, në fjalën përshëndetëse, kryeministri Kurti tha se mërgata është edhe e pafundme në ide, por edhe e panumërt në veprim. Edhe pse ende nuk kemi arritur të bëjmë mjaftë krahasuar me fuqinë dhe mundësitë e mërgatës tonë, siç tha ai, megjithatë, rezultatet janë të dukshme për të gjithë ata të cilët dëshirojnë e pranojnë të shohin e të dëgjojnë.

Me këtë rast, kryeministri ka kujtuar takimet e realizuara me mërgatën brenda dhe jashtë vendit, duke theksuar se programi për diplomaci qytetare ka pasur një rol transformues në lidhjen e profesionistëve të rinj me atdheun, përtej lidhjeve familjare. Sot, si rezultat i këtij programi, kryeministri Kurti theksoi se mbi 50% e pjesëmarrësve vazhdojnë të jetojnë dhe të kontribuojnë në institucionet e Kosovës. “Pra jemi përpjekur që bashkatdhetarët kur të vijnë për pushime në vendlindje të mos vinë vetëm tek familja e farefisi, por të vijnë edhe tek institucionet e shtetit, për të cilët pikërisht mërgata jonë ka kontribuar aq shumë dhe ka funksionuar si një ambasadë e jona edhe atëherë kur nuk e kishim pavarësinë”, tha ai.

Kryeministri Kurti, me tej tha se kemi theksuar gjithnjë gjithandej rëndësinë e themelimit dhe të ndërveprimit të shoqatave, organizimit të profesionistëve, dhe sidomos arsimimit e arsimit të gjuhës shqipe. Nga ana tjetër, ju e keni më të lehtë forcimin e mërgatës mbarëkombëtare, me shqiptarin e Shqipërisë, atë të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut, por dhe me çamin, preshevarin dhe arbëreshin. Pra, ju jeni dhe ura jonë infra-historike përveçse transnacionale.

“Sot, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz si ju – jo vetëm si mysafirë që vijnë për pak ditë, por si partnerë të zhvillimit, si bashkëkrijues të së ardhmes sonë. Ne nuk flasim më për “trurin që ikën” – ne flasim për zemrën që nuk harron dhe inteligjencën që zbulohet. Për ata që, edhe pse kanë ndërtuar jetë të suksesshme jashtë, kanë ruajtur mallin, lidhjen dhe përgjegjësinë për vendin prej nga vijnë”, tha ai, duke u dëshiruar të gjithë bashkatdhetarëve shëndet, fat, punë të mbarë e veç gëzime në jetë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar të pranishëm,

Mirë se keni ardhur në vendlindje dhe sonte.

Nisma Ballkoni i hapur filloi pikërisht me pritjen për bashkatdhetarë në vitin 2021.

Gjatë këtij mandati tonë që kurrsesi të përfundojë, kemi realizuar mbi 300 bashkëbisedime me mërgatën brenda dhe jashtë vendit. “Dialogu me Mërgatën” shërbeu si një karvan udhëtues që përshkoi me sa mundëm vende të ndryshme të botës gjithandej ku jetojnë shqiptarët.

Disa pika të “Dialogut me Mërgatën” u shndërruan në pjesë të programit tonë më të spikatur, si program për “Diplomaci qytetare”, pastaj tjetri për “Made in Kosova”, “Shijo Kosovën”, “Java e kulturës jashtë vendit”, etj, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Mërgata është edhe e pafundme në ide, edhe e panumërt në veprim. Por ende nuk kemi arritur të bëjmë mjaftë krahasuar me fuqinë dhe mundësitë e mërgatës tonë. Megjithëkëto, rezultatet janë të dukshme për të gjithë ata të cilët dëshirojnë e pranojnë të shohin e të dëgjojnë.

Programi për diplomaci qytetare ka pasur një rol transformues në lidhjen e profesionistëve të rinj me atdheun, përtej lidhjeve familjare. Sot, si rezultat i këtij programi, mbi 50% e pjesëmarrësve vazhdojnë të jetojnë dhe të kontribuojnë në institucionet e Kosovës. Pra jemi përpjekur që bashkatdhetarët kur të vijnë për pushime në vendlindje të mos vinë vetëm te familja e farefisi, por të vijnë edhe tek institucionet e shtetit, për të cilët pikërisht mërgata jonë ka kontribuar aq shumë dhe ka funksionuar si një ambasadë e jona edhe atëherë kur nuk e kishim pavarësinë.

Për të përmendur vetëm dy shembuj të këtyre që janë kthyer, Fjolla, është kthyer nga Gjeneva e Zvicrës dhe tani është diplomate e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ndërkaq, një vajzë tjetër, Ariana, është kthyer nga Danimarka, e sot punon suksesshëm në sektorin privat në Kosovë.

Këto përfaqësojnë përvojë të rrallë – përvojën e të jetuarit midis dy përkatësive që është shembull për të gjithë juve, sepse të gjithë ju me jetën dhe përvojën tuaj e keni mishëruar këtë lloj të jetuarit. Njëra prej përvojave dhe jetesës suaj është e lindur dhe e rrënjosur në atdhe, e tjetra e integruar në shoqëri, në kultura politike e në institucione të të tjerëve që janë bërë edhe tuajat. Vetëm hapja në përmasën tuaj e bën Republikën e Kosovës të madhe sa ç’duhet të jetë ajo. Tash e dimë që nuk ka as vend e as popuj të vegjël. Ka vetëm popuj të cilët e harrojnë vetveten, shtete të cilat nuk e respektojnë vetveten, por populli ynë dhe shtetit ynë nuk janë të tillë. Dhe këtë e kemi mësuar pikërisht prej juve. Juve, që keni vepruar e kontribuar jashtë Kosovës, që jeni bërë ura lidhëse mes kulturave, përkthyes të kuptimeve dhe ndërmjetës mes realiteteve të ndryshme.

Andaj, edhe roli juaj është ai një qytetari diplomat, i një ambasadori e konsulli joformal, në kohën e jetës transnacionale. Qytetari i shekullit XXI nuk është vetëm pjesë e një komuniteti lokal apo e një vendi të origjinës, por një urë lidhëse ndërmjet shteteve, popujve, shoqërive dhe kulturave e ekonomive. Dhe ju e dini se si qeveria jonë i adhuron shumë urat. Ura i lidh dy brigjet dhe nuk ndërtohet vetëm për njërin breg. Qytetari diplomat është ura, e ju jeni qytetari diplomat.

Ne kemi theksuar gjithnjë gjithandej rëndësinë e themelimit dhe të ndërveprimit të shoqatave, organizimit të profesionistëve, dhe sidomos arsimimit e arsimit të gjuhës shqipe. Nga ana tjetër, ju e keni më të lehtë forcimin e mërgatës mbarëkombëtare, me shqiptarin e Shqipërisë, atë të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut, por dhe me çamin, preshevarin dhe arbëreshin. Pra, ju jeni dhe ura jonë infra-historike përveçse transnacionale.

Sot, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz si ju – jo vetëm si mysafirë që vijnë për pak ditë, por si partnerë të zhvillimit, si bashkëkrijues të së ardhmes sonë. Ne nuk flasim më për “trurin që ikën” – ne flasim për zemrën që nuk harron dhe inteligjencën që zbulohet. Për ata që, edhe pse kanë ndërtuar jetë të suksesshme jashtë, kanë ruajtur mallin, lidhjen dhe përgjegjësinë për vendin prej nga vijnë.

Njeriu jeton aty ku i rri mendja e i rreh zemra.

Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit, projektin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, shpalljen e pavarësisë, të gjitha këto data e çështje të rëndësishme për kombin, për gjuhën dhe për të ardhmen dhe shtetin, i bënë ata shqiptarë të cilët nuk i dalluan mërgimtarin dhe banorin e këtyre trojeve. Vendlindja Thërret dhe Ushtria Çlirimtare po ashtu ishin projekti i një populli i cili nuk e ndan vetveten.

Të dashur miq,

Mesazhi ynë është pyetja jonë e përbashkët: çka tutje? Si mundemi ta bëjmë këtë bashkëpunim sa më konsistent, sa më bashkëkrijues dhe sa më të fuqishëm. Së pari, brezi i ri duhet të zotërojë gjuhën e vet shqipe. Sa më shumë, sa më mirë. Ne nuk jemi popull refugjatësh. Ne jemi popull krenar me një gjuhë të ëmbël, e të bukur. Së dyti mërgimtari për ne është politik dhe jo thjesht ekonomik. Është politik sepse e njeh situatën botërore dhe urgjencën e atdheut të vet, ngaqë e di dhe nuk harron prej nga vjen. Të jetuarit mes dy botëve është sfidë, por është sfidë e cila edhe të stërvit edhe nuk të dëshpëron. Si e tillë është një dhuratë e rrallë për njerëzit me horizont të gjerë, me ndjeshmëri të thellë, me vetëdije të lartë dhe me aftësi për të parë përtej së zakonshmes.

Duket që qeniet njerëzore nuk janë të bëra, nuk janë të mbaruara për të jetuar vetëm në një vend ose për ta folur vetëm një gjuhë. Dhe ku ka dëshmi më të mirë për këtë sesa bashkatdhetarët tanë, sesa ju shqiptarë të nderuar që jetoni jashtë atdheut por jeni përherë brenda kombit.

E kjo mbrëmje e jona e përbashkët këtu në Ballkonin e hapur të Qeverisë së Republikës së Kosovës që tregon se ky është Ballkon i hapur e një shtëpie që është edhe e juaja, është një falënderimi i imi personalisht dhe i kolegëve të mi nga ekzekutivi i shtetit të pavarur të Kosovës për juve, për çdo përkrahje, ndihmë e mbështetje që na e keni dhënë, për çdo projekt të cilin e keni nisur, e keni bartur dhe për çdo zë që e keni ngritur në mbrojtje e afirmim të Kosovës – dhe për gjithçka që vazhdoni të bëni.

Kosova është më e fortë, është shumë më e fortë me juve pranë.

Ju faleminderit edhe njëherë e ju dëshiroj shëndet, fat, punë të mbarë e veç gëzime në jetë ngado që shkoni e çkado që bëni.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors