Prishtinë, 5 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me anëtarë të kabinetit qeveritar, mirëpritën mbrëmë në ambientet e Ndërtesës së Qeverisë bashkatdhetarë të shumtë, që po kalojnë pushimet e tyre në Kosovë.
“Kjo pritje është kthyer në një traditë. E nisëm në vitin 2021 dhe që nga ajo kohë, si Qeveri, kemi pasur prioritet bashkëbisedimin dhe bashkërendimin me juve, bashkatdhetarë tanë. Gjatë këtyre viteve janë zhvilluar mbi 300 tubime brenda dhe jashtë vendit, duke sjellë dhe krijuar diskutime përmbajtjesore dhe bashkëpunime konkrete në fusha të ndryshme, nga ekonomia te arsimi dual, nga diplomacia te siguria”, u shpreh në fjalën e tij pritëse, kryeministri Kurti.
Ai u uroi mirëseardhje në Kosovë, mbrëmje të këndshme dhe biseda të përzemërta me bashkatdhetarë tjerë e me përfaqësues të institucioneve të Republikës të pranishëm në pritje, teksa tha se ky organizim është një falënderim i yni për ata, për çdo përkrahje që kanë dhënë, çdo projekt që kanë mbështetur, çdo zë që kanë ngritur në mbrojtje afirmim të Kosovës e popullit tonë dhe për gjithçka që vazhdojnë të bëjnë kudo.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Faleminderit të gjithë të dashur bashkatdhetarë,
Mirë se keni ardhë në shtëpinë tuaj!
Mirë se keni ardhë në këtë takim tonë të radhës për mërgatën. Kjo mbrëmje iu përket juve, të dashur bashkatdhetarë, unë ju falënderoj nga zemra që keni gjetur kohë të na bashkoheni sonte, pavarësisht sfidave të motit të cilat na detyruan që ta ndryshojmë vendin e takimit. Me t’u ndalur shiu kthehemi te Ballkoni i Hapur, edhe pse dyshoj që duhanpirësit tashmë e kanë bërë këtë gjë.
Kjo pritje është kthyer në një traditë. E nisëm në vitin 2021 dhe që nga ajo kohë, si Qeveri, kemi pasur prioritet bashkëbisedimin dhe bashkërendimin me juve, bashkatdhetarë tanë. Gjatë këtyre viteve janë zhvilluar mbi 300 tubime brenda dhe jashtë vendit, duke sjellë dhe krijuar diskutime përmbajtjesore dhe bashkëpunime konkrete në fusha të ndryshme, nga ekonomia te arsimi dual, nga diplomacia te siguria.
E kemi filluar me “Dialogu me Mërgatën” dhe vazhduam me përfshirjen e profesionistëve të shumtë nga mërgata në institucionet tona. E kjo qasje që nga fillimi ka qenë e hapur, siç e kemi zemrën e mendjen, duke u fokusuar në përfshirjen dhe komunikimin e dyanshëm. Shumë prej ideve që lindën në këto takime janë shndërruar në programe qeveritare si “Diplomacia Qytetare”, “Made in Kosova”, “Shijo Kosovën” dhe “Java e Kulturës Jashtë Vendit”.
Për shembull, programi “Diplomacia Qytetare”, për të cilën foli edhe e reja nga mërgata, e kthyer në Kosovë, Dua Mati, ka luajtur një rol kyç në forcimin e lidhjes së profesionistëve të rinj me vendin, duke tejkaluar lidhjet familjare. Sot, mbi 50% e këtyre pjesëmarrësve të këtij programi jetojnë dhe kontribuojnë aktivisht në institucionet e Kosovës, sektorin privat dhe shoqërinë civile, pra janë kthyer nga mërgata. Prindërit e tyre kanë shkuar nga Kosova në Gjermani e në Zvicër, e këta nga Gjermania e Zvicra janë kthyer në Kosovë.
Të dashur bashkatdhetarë,
Ju e përfaqësoni një përvojë të rrallë – jetën mes dy botëve: të rrënjosur thellë në atdhe dhe të integruar mirë në shoqëritë e tjera. Këtu, dua të theksoj edhe rolin e qytetarit diplomat në shekullin XXI, i cili angazhohet me kohën, talentin dhe pasurinë e tij.
E ne juve ju shohim si ura që lidh përkatësitë dhe realitetet e ndryshme por bashkëkohore. Ju jeni qytetarë diplomatë të shekullit XXI: ndërmjetës, përkthyes kulturor dhe ndërtues urash besimi, gjithsesi me rol kyç për ndërtimin e një shteti të hapur dhe demokratik.
Ju jeni zëri i Kosovës në Evropë dhe botë, në universitetet, institucionet dhe kompanitë ku punoni. Ju jeni dëshmia që Kosova ka vullnet, besueshmëri dhe profesionalizëm për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në këtë shekull të ri.
Një nga arritjet më të rëndësishme gjatë këtij mandati ka qenë adresimi i të drejtës së votës për mërgatën. Për herë të parë, mërgimtarët kanë pasur mundësinë të votojnë drejtpërdrejt nga vendet ku jetojnë, përmes ambasadave, konsullatave apo edhe postës. Kemi hartuar dhe miratuar ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor që e garanton këtë të drejtë themelore. Ky hap është dëshmi e përkushtimit tonë për një Republikë bujare, krahëhapur, ku çdo qytetar ka zërin e tij, pavarësisht vendndodhjes.
Sot, Kosova ka më shumë se kurrë, nevojë për njerëz si ju, jo vetëm si mysafirë që vizitojnë për pak ditë, por si partnerë të zhvillimit dhe bashkëkrijues të së ardhmes tonë. Nuk flasim më për “trurin që ikën”, por për zemrën që nuk harron: sepse ata që kanë ndërtuar jetë jashtë vendit, ruajnë mallin, mbajnë lidhjet dhe bartin përgjegjësinë ndaj atdheut tonë të përbashkët. Secili që mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut është përjetësisht brenda kombit.
Prandaj, angazhimi ynë është i qartë: dëgjojmë zërin tuaj, hapim dyer për bashkëpunim dhe ju japim hapësirën që doni e meritoni për ndërtimin e së ardhmes sonë.
Të dashur bashkatdhetarë,
E dimë se të jetuarit mes dy botëve është sfidë, por për bindjen time është edhe një dhuratë e rrallë, ajo që dikush e konsideron mangësi në fakt është përparësi, sepse të jetuarit mes dy botëve prej jush ka krijuar njerëz me horizont më të gjerë, me ndjeshmëri të thellë dhe me aftësi më të larta për të parë përtej të zakonshmes.
Kjo mbrëmje është falënderimi ynë për juve, për çdo përkrahje që keni bërë, për çdo projekt që keni mbështetur, për çdo zë që keni ngritur në mbrojtje dhe afirmim të Kosovës e popullit tonë dhe për gjithçka që vazhdoni të bëni kudo.
Mërgata është ndjenja e Kosovës e shtrirë në mendjet e botës. Pa fjalët dhe punën mërgimtarëve tanë, bota nuk do të na njihte sa duhet e siç jemi. Bashkë po e gjallojmë Ujmanin që na jep ujin, Rugovën dhe Brezovicën duhet t’i jetojmë, Ulpianën në antikitetin e saj ta zbulojmë, Mitrovicën ta bashkojmë, Tetovën ta çojmë në Prizren e Prizrenin në Tetovë, Gjakovën në Shkodër e Shkodrën në Gjakovë, energjinë e Kastriotit, Obiliqit, ta shtojmë e pastrojmë, dhe kudo sa më shpejtë qytetet t’i lidhim më fshatrat e me sa më shumë prodhim. Për këtë na duhet krijimtaria dhe përvoja juaj. Ngjarjet kulturore le t’i ndihmojmë sepse janë mundësia e shpirtit tonë, shkollat tona t’i forcojmë sepse janë mundësia e arsyes sonë, dhe, këto t’i shtrijmë sa më shumë edhe në mërgatë, sepse ardhmëria e mërgatës duhet të flasë shqip, e, institucionet tona t’i bëjmë njerëzore e moderne me ndihmën e ekspertizës suaj.
Është koha që shqiptarët të synojnë sidomos inxhinierinë dhe shkencat.
Pjesëmarrja e njerëzve tanë në partitë politike në perëndim në institucionet komunale kudo që jetojnë ata, duhet të jetë në po atë përqindje që jemi edhe në biznes, në sport e në art. Duhet të zhdukim çdo kompleks inferioriteti dhe indiference. Nuk ka fusha specifike ku nuk marrin pjesë shqiptarët. Shqiptarët duhet të marrin pjesë në çdo fushë, çdo njohje, çdo biznes. Sepse nuk diskutohet një gjë: vullneti i qeverisë së VETËVENDOSJES!, i qeverisë që lëviz procese e çështje, me të gjitha mundësitë e veta, për të lehtësuar pjesëmarrjen tuaj në shoqëritë perëndimore dhe në jetën në Kosovë.
Të dashur bashkatdhetarë, për fund siç e dini, ne e kemi një fqinj në veri, “një kojshi të keq”, si thotë populli. Megjithëkëtë ne duam të kemi marrëdhëniet normale me të, veçse ai vazhdon të sillet në mënyrë agresive dhe përpiqet ta pengojë zhvillimin tonë e ta destabilizojë vendin tonë. Mirëpo institucionet e sigurisë e të inteligjencës të Republikës së Kosovës, janë duke u kundërvënë tërë kohën, cep më cep, suksesshëm.
Rritja ekonomike, progresi demokratik, rishpërndarja sociale, barazia gjinore e shoqërore, shtrirja e sovranitetit shtetëror, vendosja e integritetit territorial e institucional, stabiliteti i gjithmbarshëm, paqja dhe siguria, rendi dhe ligji janë evidente në Republikën tonë, në Republikën tuaj si asnjëherë më parë.
E pikërisht sukseset tona, të dashur bashkatdhetarë, e bëjnë Beogradin zyrtar fort agresiv, sepse paraprakisht e bëjnë fort nevrik. Prandaj, më lejoni që t’ju bëjë thirrje të gjithë juve këtu, e nga juve këtu edhe bashkëqytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë që t’i shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.
Kësisoj më së miri sigurohemi që udhëtimet tuaja janë të mbara e pa ndonjë shqetësim apo maltretim. Në të njëjtën kohë, nuk ia japim kënaqësinë Serbisë së dëshpëruar për brutalitete të reja.
Më vjen keq, që ka rënë shi sonte, por t’iu them të drejtën më vjen edhe mirë, jo vetëm sepse ne themi “me shi vjen edhe bereqeti”, se ministri i Bujqësisë është këtu. Por, edhe për shkak se po të mos binte shi ne të gjithë do të ishim vetëm në Ballkonin e Hapur, dhe mbase nuk do t’i shihnit këto hapësirat tjera, të Kryeministrisë. Këtu është Salla e Mbledhjeve të Zgjeruara, majtas nga korridori, kur të dilni e keni Sallën e Konferencave me gazetarë, keni korridorin që qon deri tek Salla e Mbledhjeve të Qeverisë, e kështu me radhë.
Edhe një herë, mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj, e këtë kohë shfrytëzojeni për tu njoftuar, e për të bashkëbiseduar me njëri-tjetrin, por edhe për ti shijuar ushqimet me prodhim vendor që i kemi te Salla e Konferencave, e gjithashtu edhe muzikën e këndshme që e kemi përgatitur për juve, e nëse ndalet shiu, e kemi edhe Ballkonin e Hapur, në katin e parë.
Faleminderit për gjithë mbështetjen, ndihmën e përkrahjen!
Ju dëshiroj një mbrëmje të këndshme. Të gjithë ju që po nxitoheni të bashkëbisedoni me mua e të fotografoheni e kam një lajm të mirë, që unë sonte jam nikoqir, kështu që nuk shkoj. Nuk është situata sikur në ato tubimet në Cyrih që më duhet t’iu them më duhet të shkoj në Gjenevë tash, ika më shpejtësi unë. Sonte nuk ka tubime tjera, unë do të jem këtu disa orë me juve, vetëm mateni veten a mund të qëndroni.
Faleminderit për vëmendjen e pjesëmarrjen, e mbrëmje të këndshme e të bukur!

























