Kryeministri Kurti mori pjesë në takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare

Prishtinë, 4 dhjetor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare, të organizuara nga Egmont Group dhe mbështetur nga GIZ në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri shprehu mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj organizatorëve për ndërmarrjen e iniciativave të tilla dhe mbështetjen në mbajtjen e ngjarjeve me rëndësi si takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare.

“Organizimi i kësaj ngjarje është në përputhje të plotë me programin tonë qeveritar dhe synimet tona për integrim evropian dhe integrim në mekanizmat tjerë ndërkombëtar. Synimi ynë është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendor për të mbështetur dhe koordinuar përgjigjen e gjithë akterëve në Kosovë. Po e bëjmë këtë bashkë për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit duke bërë sa më efektive kapacitetet kolektive për ta parandaluar, identifikuar dhe luftuar krimin ekonomik”.

Ai shtoi se përafrimi i objektivave dhe përpjekjeve të Qeverisë me ato të akterëve tjerë do të na ndihmojnë në identifikimin efektiv të kërcënimeve dhe dobësive sistematike dhe forcimin e përgjigjeve tona për zvogëlimin e tyre.

Raportet ndërkombëtare qëndrojnë si dëshmi të progresit të Kosovës në këto fusha. Raporti për Vendin i Bashkimit Evropian nënvizon se Kosova ka bërë progres në luftën kundër pastrimit të parave, raportet e Transparency International të viteve të fundit theksojnë se Kosova ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit, Indeksi Global i Krimit të Organizuar tregon se vendi ynë ka bërë progres të theksuar në luftimin e krimit të organizuar, duke renditur Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të ulët të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe njëherit Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në Indeksin Global të Krimit të Organizuar 2025, na vlerëson si shtetin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në rajon.

“Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm, duke forcuar kornizën ligjore dhe institucionale në këtë fushë me qëllim të luftimit të këtyre dukurive, harmonizimit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare dhe zbatimin efektiv të tyre. Kjo qasje forcon më tej bashkëpunimin, kohezionin dhe koordinimin tonë. Njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës, ka performuar mirë dhe ka shënuar rezultate të kënaqshme në identifikimin dhe gjurmimin e të ardhurave të paligjshme financiare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e saj ndaj NJIF dhe autoritetet tjera në luftimin e këtyre aktiviteteve kriminale”, u shpreh kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Shkëlqesia Juaj Rainer Rudolph,
I nderuari Drejtor i Njësisë për Inteligjencë Financiare të Kosovës, z. Genc Rraci,
E nderuara bashkë-drejtuese e Rajonit II të Evropës në Egmont Group, znj. Michaela Schütz,
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të Njësive për Inteligjencë Financiare të Rajonit II të Evropës në kuadër të Egmont Group,
Zonja dhe zotërinj,
Mirëmëngjes të gjithëve,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më lejoni të shpreh vlerësimin tim për ndërmarrjen e iniciativave të tilla si takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare në kuadër të Egmont Group. Kjo përbën një hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet e Kosovës për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në sistemin financiar dhe për luftimin e aktiviteteve të paligjshme financiare. Po ashtu, më lejoni të shfrytëzoj këtë mundësi për t’i falënderuar të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Egmont Group dhe GIZ, për mbështetjen e tyre për këtë ngjarje. Organizimi i kësaj ngjarjeje është plotësisht në përputhje me programin tonë qeveritar dhe me synimet tona për integrim evropian dhe për integrim në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Qëllimi ynë është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendor për të mbështetur dhe koordinuar përgjigjen e të gjithë akterëve në Kosovë. Ne po e bëjmë këtë së bashku për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke optimizuar kapacitetet kolektive për të parandaluar, identifikuar dhe luftuar krimin ekonomik.

Forcimi i bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe rritja e shkëmbimit ndërkombëtar të inteligjencës financiare — me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të pastrimit të parave, veprimeve të lidhura kriminale dhe financimit të terrorizmit, si dhe konfiskimit të të ardhurave të gjeneruara nga krimi — janë ndër objektivat strategjikë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në botën e sotme të globalizuar, përballemi me një numër gjithnjë e më të madh rreziqesh dhe sfidash që burojnë nga krimi i organizuar dhe krimet financiare që përpiqen të shfrytëzojnë boshllëqet në regjimin ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e financimeve të paligjshme. Prandaj, bashkërendimi i objektivave dhe përpjekjeve të Qeverisë me ato të akterëve tjerë do të na ndihmojë në identifikimin efektiv të kërcënimeve dhe dobësive sistematike dhe në forcimin e përgjigjeve tona për zvogëlimin e tyre.

Këto përpjekje mundësojnë rritjen e kohezionit dhe koordinimit në parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale dhe terroriste, duke bllokuar rrjedhën e fitimeve të paligjshme dhe duke dobësuar ndikimin global të organizatave terroriste dhe kriminale.

Tashmë kemi parë rezultate konkrete në identifikimin, ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin që lidhen me pastrimin e parave, veprimet kriminale të lidhura dhe financimin e terrorizmit. Kosova do të vazhdojë të ofrojë angazhim dhe bashkëpunim maksimal në sigurimin e informacionit dhe ndihmës konstruktive në kohën e duhur, sa herë që kjo kërkohet nga vendet e tjera. Ne po ndërtojmë vazhdimisht mekanizma të qëndrueshëm bashkëpunimi për forcimin e masave të parandalimit dhe luftimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në forcimin e kornizës ligjore dhe institucionale në këtë fushë, me qëllim të luftimit të këtyre dukurive dhe të harmonizimit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe të zbatimit efektiv të tyre. Kjo qasje forcon më tej bashkëpunimin, kohezionin dhe koordinimin tonë. Njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës ka ka treguar performancë të lartë dhe ka arritur rezultate të kënaqshme në identifikimin dhe gjurmimin e të ardhurave të paligjshme financiare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen ndaj NJIF dhe autoriteteve të tjera në luftimin e këtyre aktiviteteve kriminale.

Sipas Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën 2025, Kosova ka bërë përparim në luftën kundër pastrimit të parave. Ne kemi miratuar ndryshime ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së për parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave, identifikimin e fitimeve të krimit, zbatimin e sanksioneve të synuara financiare ndërkombëtare dhe asetet krypto.

Raportet e Transparency International gjatë viteve të fundit theksojnë se Kosova ka shënuar progres në luftimin dhe uljen e nivelit të korrupsionit. Sipas këtij raporti, kemi shënuar progres në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit.

Në Indeksin Global të Krimit të Organizuar, vendi ynë ka bërë përparim të dukshëm në luftimin e krimit të organizuar, duke u renditur ndër vendet me nivelin më të ulët të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Krahasuar me raportet e viteve të kaluara, Kosova ka shënuar progres në këtë fushë, duke u ngritur me 19 vende në indeksin global të publikuar në vitin 2023.

Njëkohësisht, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC), në Indeksin Global të Krimit të Organizuar 2025, e vlerëson Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në rajon. Dhe kjo na ka ndihmuar shumë, nga njëra anë për të shndërruar luftën kundër korrupsionit në rritje ekonomike, në liri të qytetarëve dhe zhvillim, por edhe që qytetarët dhe familjet të ndihen të sigurta.

Këto suksese dëshmojnë punën dhe përpjekjet tona të vazhdueshme në luftën kundër aktiviteteve kriminale, si dhe përkushtimin e Kosovës ndaj integrimit evropian.

Në përfundim, më lejoni edhe një herë të shpreh mbështetjen tonë të pakushtëzuar për luftimin efektiv të pastrimit të parave, ekonomisë joformale dhe krimeve të tjera financiare.

Ju uroj të gjithëve suksese në punën tuaj dhe shpreh gatishmërinë time për të mbështetur iniciativa të tilla sa herë që ato janë të nevojshme, si një mundësi për të diskutuar hapat e domosdoshëm të bashkëpunimit për të siguruar sukses në luftën kundër këtyre dukurive negative.

Falemnderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors