Prizren, 2 shtator 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Bujqesisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zëvendësministrin e këtij dikasteri, Imri Demelezi dhe deputetë të Kuvendit, mori pjesë në shënimin e Ditës së Aronisë Organike, që u organizua nga Shoqata Nacionale e Pemëve të Imëta “Mjedra e Kosovës” bashkë me ArtiFruit&Aronica.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se kjo ngjarje është dëshmi e përkushtimit dhe vizionit, për një kulturë bujqësore të re në vendin tonë, dhe për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, e në veçanti të bujqësisë organike në Kosovë.
“Sot po promovojnë një produkt relativisht të ri për Kosovë, por edhe të prodhuar në një sistem të ri alternativë, siç është sistemi i prodhimit organik apo BIO apo ekologjik siç quhet ndryshe”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Aronia në Kosovë filloi të kultivohej në vitin 2011 dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, falë punës së palodhur e të kujdesshme të fermerëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, sektori i aronisë dhe ai i bujqësisë organike ka marrë formë të qëndrueshme dhe sot, rreth 90 fermerë kultivojnë 100 hektarë me aroni, shumica sipas standardeve organike.
Më tej, kryeministri Kurti theksoi se brenda një viti prodhimet tona do ta kenë logon dhe standardet organike të Republikës së Kosovës, meqenëse deri tani fermerët tanë janë certifikuar me standarde organike nga Bashkimi Evropian dhe vende tjera.
Ai tha se përkrahja e madhe financiare, si asnjëherë më parë, me mbi 535 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë gjatë mandatit tonë qeverisës, duhet plotësuar me infrastrukturë tjetër të domosdoshme, krahas lehtësirave burokratike.
“Besojmë se këto forma mbështetëse dhe të tjera në vazhdimësi që do të prezantojmë, do t’ia mundësojnë fermerëve tanë të jenë të vlerësuar e të mbrojtur në tregjet tona vendore e të huaja; e po ashtu sofrat, tryezat e shtëpive tona të jenë edhe me prodhime organike me logo të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e qeverisë për fermerët, për bizneset agro-ushqimore dhe për të gjithë ata që po kontribuojnë në këtë sektor, meqë siç tha ai, aronia dhe pemët e imëta nuk janë vetëm kultura bujqësore, ato janë pjesë e së ardhmes sonë ekonomike dhe shembull i asaj se si mund të zhvillohet Kosova në mënyrë të shëndetshme, të qëndrueshme dhe me perspektivë evropiane.
“Është obligim dhe përkushtim i yni si Qeveri që të festojmë ditët e prodhimeve tona. Andaj, si kryeministër dhe si Qeveri, do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve, fermerëve e ndërmarrësve tanë”, tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Faton Peci, ministër në detyrë i Bujqesisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj,
Të nderuar zëvendësministra të Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Kosovës, të Bujqesisë të dy, Albrim Hoxha dhe Imri Demelezi,
E nderuara znj. Clarissa Castek, zëvendësambasadore e Austrisë,
E nderuara znj. Astrid Wein, Drejtore e Caritas-it Zviceran në Kosovë,
I nderuar z. Faton Nagavci, Drejtor ekzekutiv në shoqatën “Organika”,
I nderuari z. Kujtim Lepaja, Drejtor ekzekutiv në shoqatën “Mjedra e Kosovës”,
I nderuari qift i mrekullueshëm Esat dhe Sanije Berisha, mikpritës i kësaj ngjarje dhe Pronar të “ARONICA”,
Të nderuar fermerë, kultivues dhe përpunues të Aronisë dhe të gjithë ju të pranishëm.
Është kënaqësi e veçantë për mua që sot, që të jem së bashku me juve në Prizren, për të shënuar Ditën e Aronisë Organike. Kjo ngjarje është dëshmi e përkushtimit dhe vizionit, për një kulturë bujqësore të re në vendin tonë, dhe për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, e në veçanti të bujqësisë organike në Kosovë. Pra, sot po promovojnë një produkt relativisht të ri për Kosovë, por edhe të prodhuar në një sistem të ri alternativ siç është sistemi i prodhimit organik apo BIO apo ekologjik, siç quhet ndryshe.
Aronia në Kosovë filloi të kultivohej në vitin 2011. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, falë punës së pandalshme e të kujdesshme të fermerëve tanë dhe të mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, sektori i aronisë dhe ai i bujqësisë organike ka marrë formë të qëndrueshme. Sot, rreth 90 fermerë kultivojnë 100 hektarë tokë me aroni, shumica sipas standardeve organike.
Meqenëse deri më tani fermerët tanë janë certifikuar me standarde organike nga Bashkimi Evropian dhe vende tjera, brenda një viti prodhimet tona do ta kenë logon dhe standardet organike të Republikës së Kosovës. Dy vite pasi qytetarët tanë e kanë mundësinë për të identifikuar e mbrojtur prodhimet e tyre me certifikatën e Treguesit Gjeografik të Origjinës.
Përkrahja e madhe financiare, si asnjëherë më parë, me mbi 535 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë gjatë këtij mandatit tonë qeverisës, duhet plotësuar me infrastrukturë tjetër të domosdoshme, krahas lehtësirave burokratike.
Besojmë se këto forma mbështetëse dhe të tjera në vazhdimësi që do të prezantojmë, do të ia mundësojnë fermerëve tanë të jenë të vlerësuar e të mbrojtur në tregjet tona vendore e të huaja; e po ashtu sofrat, tryezat e shtëpive tona të jenë edhe me prodhime organike me logo të Kosovës.
Pra, sot Dita e Aronisë Organike nuk është vetëm një frut i certifikuar që po promovojmë. Sot është edhe një simbolikë e inovacionit, shëndetit, mjedisit të pastër dhe mundësive të reja ekonomike për fermerin, si dhe ekonominë tonë vendore.
Prodhimet tona cilësore, me vlera të larta ushqyese i bëjnë ato produkte me potencial të madh, që i shërben shëndetit të qytetarëve dhe i hap dyer të reja zhvillimit socio-ekonomik të gjithmbarshëm të vendit tonë.
Prandaj, falë përkushtimit tonë të përbashkët, kushteve agro-klimatike, punës së pareshtur të fermerëve dhe ndërmarrësve tanë, prodhimet tona duhet të arrijnë atë shkallë të zhvillimit dhe reputacionit që kur të flasin për prodhimet “Made in Kosova”, gjithsecili të nënkupton për prodhime me cilësi të lartë, gjithsesi të shëndetshme dhe të prodhuara në një proces prodhimi të garantuar.
Shembull i këtij përkushtimi është kompania “Aronica”, e cila me vizionin e saj ka arritur të ndërthurë prodhimin dhe përpunimin, duke ngritur vlerën e këtij superfruti dhe duke e çuar atë edhe në tregjet ndërkombëtare. Ky është modeli që dëshirojmë të shohim gjithandej: nga prodhimi, te përpunimi, te eksporti, e deri te konsumi vendor.
Aty ku ka punë e bashkëpunim dhe plan pune, rezultatet sigurisht që nuk mungojnë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe si kryeministër, dua të ritheksoj mbështetjen tonë për fermerët, për bizneset agro-ushqimore dhe për të gjithë ata që po kontribuojnë në këtë sektor.
Aronia dhe pemët e imëta nuk janë vetëm kultura bujqësore, ato janë pjesë e së ardhmes sonë ekonomike, pjesë e kulturës sonë ushqimore, dhe shembull i asaj se si mund të zhvillohet Kosova në mënyrë të shëndetshme, të qëndrueshme dhe me perspektivë evropiane.
Është obligim dhe përkushtim i yni si Qeveri që të festojmë ditët e prodhimeve tona. Andaj, si kryeministër dhe si Qeveri e Republikës, do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve, fermerëve e ndërmarrësve tanë.
Ju falemnderit për punën, përkushtimin dhe vizionin tuaj.
Urime Dita e Aronisë Organike!
Ne jemi me ju, me fermerët për fermerët, sot dhe çdo ditë të vitit. Urime! Ju falemnderit.


































