Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e 25-vjetorit të Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Kosovë

Prishtinë, 19 qershor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme mori pjesë në manifestimin e organizuar për të shënuar 25-vjetorin e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Kosovë dhe 100-vjetorin e saj në nivel global.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se partneriteti i tyre është i rrënjosur edhe në vlera të përbashkëta si demokracia, drejtësia sociale, solidariteti dhe paqja. Në këtë përvjetor kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj FES edhe në mbështetjen mbi draftimin e ligjit për Fondin Sovran në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe institucionet tona.

Më tej falënderoi drejtorin Peter Hurrelbrink për përkushtimin e tij dhe avancimin e kulturës demokratike dhe fuqizimin e zërave të rinj, ndërsa, në anën tjetër i uroi mirëseardhje në krye të fondacionit drejtoreshës së re Katharina Hofmann, në një kohë kur Kosova është më e përkushtuar se kurrë për të thelluar demokracinë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të ankoruar të ardhmen tonë në familjen evropiane.

Në fund, kryeministri i uroi të pranishmit për 25-vjetorin e FES duke treguar se këto 25 vite të partneritetit janë ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë, të mbështetura nga vlera të përbashkëta dhe të përkushtuara për një shoqëri më të drejtë dhe të begatë.

“Si socialdemokrat, besoj fuqimisht se politika duhet të udhëhiqet nga vlerat – jo nga frika apo nga oportunizmi, por nga një angazhim i thellë për drejtësi, pjesëmarrje dhe dinjitet njerëzor. Këto parime nuk janë vetëm themelore për Kosovën – ato janë gurthemeli i bashkëpunimit tonë me Friedrich-Ebert-Stiftung.” tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar drejtor në largim, z. Hurrelbrink,
E nderuar drejtoreshë e sapoemëruar, znj. Hofmann,
E nderuar znj. dr. Kortländer nga selia qendrore e Friedrich-Ebert-Stiftung në Berlin,
I nderuar ambasador Rohde,
Të dashur miq të Friedrich-Ebert-Stiftung,
Të dashur miq të Kosovës dhe përkrahës të palodhshëm të demokracisë sonë të re qysh prej ditëve të para,

Është kënaqësi e veçantë për mua që sonte të jem me ju në një rast kaq të rëndësishëm – për të shënuar 25-vjetorin e Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë dhe për të festuar 100-vjetorin e këtij fondacioni në nivel global.

Sonte, mezi pres ta shfrytëzoj këtë mundësi për të reflektuar mbi një partneritet të kahershëm, i cili nuk është i rrënjosur vetëm në bashkëpunim, por edhe në vlera të përbashkëta: demokraci, drejtësi sociale, solidaritet dhe paqe.

Që nga ardhja e saj në Kosovë para një çerek shekulli, Friedrich-Ebert-Stiftung ka qëndruar përkrah nesh gjatë viteve më formuese – duke mbështetur transformimin demokratik, duke investuar në dialog dhe duke besuar në potencialin e një shoqërie që po dilte nga konflikti drejt qytetarisë, pjesëmarrjes dhe dinjitetit. Këtë solidaritet nuk do ta harrojmë kurrë.

Sonte, gjithashtu shënojmë një moment tranzicioni. Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për z. Peter Hurrelbrink – përkushtimi i tij njerëzor, qartësia e qëllimit dhe udhëheqja e tij e qetë e kanë bërë zyrën e FES-it në Prishtinë jo vetëm të respektuar, por edhe thellësisht të besuar. Ju keni qenë një partner i qëndrueshëm në avancimin e kulturës demokratike dhe fuqizimin e zërave të rinj. Faleminderit, Peter.

Znj. Katharina Hofmann, ju mirëpresim ngrohtësisht. Ju po vini në një kohë kur Kosova është më e përkushtuar se kurrë për ta thelluar demokracinë, për ta forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për ta ankoruar të ardhmen tonë në familjen evropiane. Jemi të bindur se nën udhëheqjen tuaj, ky partneritet jo vetëm që do të vazhdojë – por do të forcohet edhe më shumë.

Të dashur miq,

Si socialdemokrat, besoj fuqishëm se politika duhet të udhëhiqet nga vlerat – jo nga frika apo oportunizmi, por nga një përkushtim i thellë për drejtësi, pjesëmarrje dhe dinjitet njerëzor. Këto parime nuk janë themelore vetëm për Kosovën – ato janë gurthemeli i bashkëpunimit tonë me Friedrich-Ebert-Stiftung.

Këtu, dua të falënderoj në mënyrë të veçantë fondacionin për mbështetjen e çmuar në hartimin e ligjit për Fondin Sovran i Pasurisë, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe institucionet tona.

Në veçanti, dua të theksoj përkrahjen e palëkundur të Fondacionit për të rinjtë e Kosovës, punëtorët, aktorët qytetarë dhe institucionet demokratike. Së bashku kemi krijuar platforma për mësim, dialog dhe transformim. Dhe së bashku do të vazhdojmë të fuqizojmë ata që bartin premtimin për një të nesërme më të mirë.

Në përmbyllje, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë – për të gjithë ata që kanë qenë dhe janë pjesë e Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë dhe për të gjithë ju që keni besuar në rrugëtimin demokratik të Kosovës.

Le të urojnë për 25 vitet e ardhshme të këtij partneriteti – të ndërtuar mbi besim të ndërsjellë, të mbështetur nga vlera të përbashkëta dhe të përkushtuar ndaj një shoqërie më të drejtë dhe më të begatë.

Faleminderit shumë! Dankeschön and prost!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors