Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të partneritetit mes përfaqësisë së brendit gjerman të veturave Mercedes-Benz dhe kompanisë Auto Kaçandolli

Prishtinë, 15 tetor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të partneritetit mes përfaqësisë së brendit gjerman të veturave Mercedes-Benz dhe kompanisë Auto Kaçandolli.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se historia e Auto Kaçandollit fillon shumë më herët, si një punëtori modeste zanatlie për riparimin e veturave që në vitet 60-ta, dhe se sot nuk po festojmë vetëm 10 vjet përfaqësim të Mercedes-Benz, por edhe mbi 65 vite punë, përkushtim dhe sukses. “Një histori që nuk fillon me vetura luksoze, por me një çekiç, një copë llamarinë dhe me një ëndërr të madhe, që sot ka arritur të bëhet realitet përmes përfaqësimit zyrtar të një prej brendeve më të famshme në botë”, tha kryeministri.

Duke përmbledhur rrugëtimin frymëzues të kompanisë si vizion, punë e përkushtim, kryeministri Kurti tha se sot me 75 punëtorë, Auto Kaçandolli është shembulli më i mirë se si profesionalizmi dhe etika e punës mund ta ngrejnë një biznes kosovar në një nivel kaq të lartë dhe me standarde ndërkombëtare.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai i falënderoi përfaqësuesit e kompanisë për kontributin e tyre në ekonominë vendore dhe për imazhin e mirë që përfaqësojnë brenda dhe jashtë vendit tonë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar vëllezër Kaçandolli dhe bashkëpunëtorë të Auto Kaçandolli,
Të nderuar të pranishëm, miq dhe partnerë,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi të jem me juve sonte këtu për të festuar jubileun 10-vjeçar të përfaqësisë së brendit gjerman të veturave Mercedes-Benz nga kompania Auto Kaçandolli.

Megjithatë, historia e Auto Kaçandollit fillon shumë më herët, siç e pamë edhe në këtë film të shkurtër dokumentar, si një punëtori modeste zanatlie për riparimin e veturave në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, e themeluar nga dy vëllezër: Shaqiri dhe Rexhep Kaçandolli. Shaqiri ishte babai i tre vëllezërve që sot janë bashkëpronarë të kompanisë: Skënderi, Valdeti dhe Fitimi.

Pra, nuk po festojmë vetëm 10 vjet përfaqësim të Mercedes-Benz, por edhe mbi 65 vite angazhim dhe sukses. Një histori që nuk fillon me vetura luksoze, por me një çekiç, me një copë llamarinë dhe me një ëndërr të madhe, që sot ka arritur të bëhet realitet përmes përfaqësimit zyrtar të një prej brendeve më të famshme në botë të të gjitha kohërave.

Tani, në këtë showroom të ri e të bukur, ky rrugëtim frymëzues mund të përmblidhet me tri fjalë: vizion, punë dhe përkushtim. Sot, me 75 punëtorë, Auto Kaçandolli është shembull i mirë se si profesionalizmi dhe etika e punës mund ta ngrejnë një biznes kosovar në një nivel kaq të lartë edhe me standarde ndërkombëtare.

Pak me humor, e dimë të gjithë atë historinë klasike të shitësve të veturave të përdorura nga jashtë, kur thonë: “Veç një plakë e ka vozitë, edhe ajo veç deri te marketi — e kish pasë një mace!” Por këtu te Kaçandolli s’ka nevojë për këso ‘fiskultura marketingu’, këtu makinat janë direkt prej vitrine! Prej shakave te realiteti, suksesi juaj vëllezër Kaçandolli dhe motrat Mevgize dhe Makfirete, suksesi juaj është i padiskutueshëm, porsi cilësia që e sjellni midis nesh.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju falënderoj për kontributin tuaj në ekonominë vendore, për punët që krijoni, dhe për imazhin e mirë që përfaqësoni brenda dhe jashtë vendit tonë.

Ju uroj edhe shumë dekada të tjera me sukses, me vetura e motorrë që punojnë mirë kur të dalin nga këtu dhe klientë që kthehen gjithmonë me buzëqeshje.

Gëzuar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors