Prishtinë, 15 tetor 2025
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u zhvillua promovimi i librit “Arti i Pushtetit: Aktet Gjuhësore në Diskursin Politik Shqiptar” nga autorja Majlinda Bregasi. Në këtë ngjarje mori pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Prezent në ngjarje ishte edhe profesori i Linguistikës në Universitetin e Firenzes, Leonardo M. Savoia, i cili edhe ka shkruar parathënien e këtij libri. Kryeministri Kurti e uroi autoren Majlinda Bregasi për botimin e këtij libri dhe analizat e paraqitura në studimin e saj.
Majlinda Bregasi është gjuhëtare e shkrimtare dhe aktualisht drejton Institutin e Gjuhës dhe Kulturës italiane në Universitetin e Prishtinës, si dhe është anëtare e Këshillit Kombëtar të Shkencës në Kosovë dhe profesoreshë e gjuhës italiane, latine dhe shqipe. Autorja ka botuar gjithashtu edhe libra të tjerë si “Albanica Latina”, “Stina e pestë” dhe “Gërsheti i prerë”.
















