Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar për shënimin e anëtarësimit të Kosovës në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR)

Prishtinë, 31 korrik 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë mbrëmë në darkën festive të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) me rastin e anëtarësimit në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Në këtë ngjarje morën pjesë ndër të tjerë edhe Ambasadori Aivo Orav, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë; Anu Prattipati, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë; Clarissa Castek, Zëvendës shefe e Misionit të Ambasadës së Austrisë në Kosovë, Nedjeljko Spilek, Zëvendës shef i Misionit të Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, dhe Ardian Gola, ish deputet dhe ish kryetar i Komisionit parlamentar për Arsim.

Duke vlerësuar lartë këtë arritje të rëndësishme, kryeministri Kurti shprehu urimet ndaj kryetares së KSHC-së, prof. Hasnije Ilazi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi. Ai falënderoi edhe partnerë tanë e shtetet mike për mbështetjen, kontributin dhe partneritetin e tyre me Agjencinë e Kosovës për Akreditim, me qëllim përmbushjen e standardeve evropiane për cilësi (ESH).

Përfshirja e AKA-së në EQAR përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për angazhimin dhe përkushtimin e saj në përmbushjen e standardeve evropiane të cilësisë. Kjo arritje forcon ndjeshëm besimin në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Për studentët, kjo do të thotë se diplomat e tyre do të gëzojnë njohje të garantuar në nivel ndërkombëtar, duke lehtësuar mobilitetin akademik dhe profesional në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Regjistrimi në EQAR dëshmon se programet dhe institucionet që kalojnë procesin e akreditimit nga AKA i përmbushin kriteret e përcaktuara për cilësi dhe transparencë.

Për institucionet e arsimit të lartë, kjo nënkupton mundësi të zgjeruara për bashkëpunime ndërkombëtare, pjesëmarrje në programe evropiane, sigurim fondesh, rritje të vizibilitetit dhe tërheqje të studentëve nga vende të tjera.

Si anëtare e EQAR-it, AKA fiton status të barabartë me agjencitë përkatëse evropiane dhe është në pozitë të vlerësojë edhe institucione jashtë kufijve të Kosovës, duke u pozicionuar si një aktor serioz dhe me integritet në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në nivel ndërkombëtar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors