Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Belgjikës për Ditën e Mbretit

Prishtinë, 14 nëntor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, me rastin e shënimit të festës së Ditës së Mbretit, Madhërisë së tij, Mbretit Philippe.

Duke uruar të gjithë qytetarët e Belgjikës për këtë ditë të shënuar, kryeministri tha se Kosova dhe Belgjika ndajnë më shumë sesa thjesht miqësi, ato ndajnë vlera.

“Marrëdhënia jonë bazohet në demokraci, në fatin tonë të përbashkët evropian dhe në besimin se paqja dhe drejtësia duhet të mbizotërojnë gjithmonë. Belgjika qëndroi pranë Kosovës në momente kritike: që nga kohët e rezistencës paqësore kundër shtypjes në vitet e ’90-ta, deri te lufta për çlirim dhe pavarësim në vitet 1998-1999, që i dha fund viteve të vuajtjeve. Edhe më pas, Belgjika vazhdoi të mbështeste rindërtimin, zhvillimin dhe shtetësinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, ai theksoi se Belgjika ishte ndër të parat që artikuloi themelin ligjor dhe moral të ndërhyrjes humanitare të Perëndimit në Kosovë dhe ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovë në vitin 2008 dhe që atëherë, ka qenë një mbështetëse parimore dhe e vazhdueshme e sovranitetit dhe integrimit tonë euroatlantik.

“Sot, marrëdhëniet tona janë më të forta se kurrë. Vendimi i Belgjikës për të avancuar praninë e saj diplomatike në Prishtinë në një Ambasadë të plotë në tetor 2023 dhe akreditimi i pritur i Atasheut të Mbrojtjes së Kosovës në Bruksel, shënojnë arritje të reja në partneritetin tonë. Gjithashtu, mirëpresim rikthimin e Belgjikës këtë vit si kontribuese në KFOR. Është një gjest, që riafirmon angazhimin e hershëm të Belgjikës për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Tani po punojmë së bashku për të thelluar bashkëpunimin, nga mundësitë tregtare dhe ekonomike deri te arsimi, drejtësia dhe siguria. Modeli belg i qeverisjes së mirë dhe pluralizmit vazhdon të na frymëzojë, ndërsa ndërtojmë një Kosovë demokratike, të drejtë dhe të begatë”, deklaroi kryeministri në fjalën e tij.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj Belgjikës për miqësinë e saj të vazhdueshme, për angazhimin e saj brenda NATO-s dhe BE-së dhe për solidaritetin e popullit të saj, përfshirë diasporën tonë në Belgjikë.

“Teksa Belgjika feston këtë Ditë të Mbretit, ne festojmë me ju – vlerat e lirisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor, të cilat na bashkojnë. Uroj që partneriteti ynë të vazhdojë të rritet, i udhëhequr nga të njëjtat ideale, që Belgjika i ka mishëruar prej kohësh: liria, dhembshuria dhe një angazhim i thellë për të ardhmen e përbashkët të Evropës”, u shpreh në fund të fjalës së tij.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në gjuhën:

Shkëlqesia juaj, Grégoire Cuvelier, Ambasador i Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës,
I nderuari z. Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë dhe ministra të Qeverisë,
Të nderuar ambasadorë, shefa të misioneve, chargés d’affaires dhe përfaqësues të ambasadave,
Presidentë Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga,
Të dashur ushtarë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të KFOR-it,
Të ftuar të nderuar, të dashur miq,

Është kënaqësi e madhe t’i bashkohem sonte festimit të Ditës së Mbretit të Belgjikës. Kjo nuk është vetëm një ditë nderimi, por edhe një ditë për të shënuar historinë e jashtëzakonshme, unitetin dhe shpirtin e popullit belg. Më lejoni, pra, në emër të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’i përcjell përshëndetjet dhe urimet tona më të përzemërta Madhërisë së Tij, Mbretit, Kryeministrit Bart De Wever dhe popullit mik të Belgjikës.

Historia e Belgjikës është një histori qëndrueshmërie, diversiteti dhe kreativiteti. Është historia e një vendi në zemër të Evropës, që për shumëkënd është vetë zemra e Evropës. Ashtu si Evropa, Belgjika ka gjetur gjithmonë forcë në unitetin e saj dhe pasuri në dallimet e saj. Nga trashëgimia burgunde që formësoi traditat politike dhe artistike të Evropës, te tapiceritë mesjetare të Bryzhit dhe pikturat surreale të Magritte, nga zëri i Jacques Brel-it te shpikja e Adolphe Sax-it, saksofoni i të cilit i dha botës një tingull të ri — Belgjika ka frymëzuar breza me artin, muzikën dhe imagjinatën e vet. Në Flandër dhe Valoni, nga Antuerpi në Namur, nga Genti në Liezh, kreativiteti dhe humanizmi belg vazhdojnë të mishërojnë më të mirën e Evropës: një harmoni gjuhësh, kulturash dhe idesh.

Kosova dhe Belgjika ndajnë më shumë sesa miqësi. Ne ndajmë vlera. Marrëdhënia jonë bazohet në demokraci, në fatin tonë të përbashkët evropian dhe në besimin se paqja dhe drejtësia duhet gjithmonë të mbizotërojnë. Belgjika qëndroi pranë Kosovës në momente vendimtare: që nga koha e rezistencës paqësore kundër shtypjes në vitet ’90, deri te lufta për çlirim dhe pavarësi në vitet 1998–1999, që i dha fund viteve të vuajtjes. Dhe më pas, Belgjika vazhdoi të mbështeste rindërtimin, zhvillimin dhe shtetësinë e Kosovës.

Belgjika ishte ndër të parat që artikuloi themelin ligjor dhe moral të ndërhyrjes humanitare të Perëndimit në Kosovë dhe ndër të parat që njohu pavarësinë tonë në vitin 2008. Që atëherë, ka mbetur një mbështetëse parimore dhe e vazhdueshme e sovranitetit tonë dhe e integrimit euroatlantik. Ne e vlerësojmë thellësisht këtë mbështetje, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra: përmes konsultimeve të rregullta politike, bashkëpunimit në drejtësi e polici, marrëveshjeve të fundit në fushën e mbrojtjes, si dhe avokimit të vazhdueshëm të Belgjikës për Kosovën brenda Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Sot, marrëdhëniet tona janë më të forta se kurrë. Vendimi i Belgjikës për të avancuar praninë e saj diplomatike në Prishtinë në një Ambasadë të plotë në tetor 2023 dhe akreditimi i pritur i Atasheut të Mbrojtjes së Kosovës në Bruksel shënojnë arritje të reja në partneritetin tonë. Ne gjithashtu mirëpresim rikthimin e Belgjikës këtë vit si kontribuese në KFOR. Është një gjest që riafirmon angazhimin e hershëm të Belgjikës për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Po punojmë tani së bashku për të thelluar bashkëpunimin, nga mundësitë tregtare e ekonomike te arsimi, drejtësia dhe siguria. Modeli belg i qeverisjes së mirë dhe pluralizmit vazhdon të na frymëzojë teksa ndërtojmë një Kosovë demokratike, të drejtë dhe të begatë.

Edhe Kosova po ndryshon për të mirë. Ne jemi demokracia më e avancuar në rajon, plotësisht të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, të përkushtuar ndaj reformave dhe duke përmirësuar vazhdimisht ekonominë dhe sundimin e ligjit. Ne i jemi mirënjohës Belgjikës për miqësinë e saj të palëkundur, për angazhimin e saj brenda NATO-s dhe BE-së, si dhe për solidaritetin e popullit të saj, përfshirë diasporën tonë të gjallë që jeton në qytete si Brukseli, Antuerpi, Namuri, Liezh, Genti dhe Bryzhi. Edhe ata janë një urë e gjallë mirëkuptimi mes popujve tanë.

Ndërsa Belgjika feston këtë Ditë të Mbretit, ne festojmë bashkë me ju — vlerat e lirisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor, të cilat na bashkojnë. Uroj që partneriteti ynë të vazhdojë të rritet, i udhëhequr nga të njëjtat ideale që Belgjika i ka mishëruar prej kohësh: lirinë, dhembshurinë dhe një përkushtim të thellë për të ardhmen e përbashkët evropiane.

Vive le Roi! Vive la Belgique! Rroftë Belgjika! Rroftë miqësia midis Kosovës dhe Belgjikës! Ju falemnderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors