Prishtinë, 27 tetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë.
Kryeministri uroi shtetin dhe popullin e Austrisë për shënimin e kësaj feste.
“Dje, Austria shënoi këtë moment historik për të 60-tën herë që kur u bë festë zyrtare kombëtare – gjashtë dekada kujtimi, reflektimi dhe krenarie në një rrugë të përcaktuar nga demokracia, përgjegjësia dhe liria.” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se “Për ne në Kosovë, kjo ditë bart rezonim të veçantë. Rrugëtimi i Austrisë – nga okupimi në pavarësi, nga ndarja në demokraci – pasqyron në shumë mënyra rrugën tonë drejt lirisë dhe vetëvendosjes. Na kujton se sovraniteti nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë, por edhe me vlerat: drejtësinë, solidaritetin dhe dinjitetin njerëzor.”
Kryeministri tha se me këtë rast ne festojmë edhe miqësinë e partneritetin mes dy shteteve tona, të ndërtuar në vlera të përbashkëta dhe besim të ndërsjellë.
“Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike të shtetësisë sonë. Ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë tonë; ka qenë një mbështetëse e palëkundur e rrugës sonë evropiane; dhe vazhdon të jetë një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në zhvillim, arsim dhe investime. Për këtë, shpreh mirënjohjen tonë të thellë.” tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministri Kurti:
E nderuara znj. Clarissa Castek, e Ngarkuar me Punë e Republikës së Austrisë në Republikën e Kosovës,
Të nderuar Ambasadorë dhe Përfaqësues të Misioneve Diplomatike në Kosovë,
Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe Parlamenti, si dhe nga institucionet e tjera të shtetit tonë,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e vërtetë të jem me ju këtë mbrëmje — për të festuar Ditën Kombëtare të Austrisë, një ditë që ka kuptim të thellë për popullin austriak, dhe për të gjithë ne që vlerësojmë lirinë dhe demokracinë. Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, shpreh urimet tona më të përzemërta për Austrinë dhe qytetarët e saj.
Data 26 tetor shënon një kapitull përcaktues në historinë e Austrisë — ditën e vitit 1955 kur Parlamenti në Vjenë miratoi Ligjin Kushtetues dhe rivendosi pavarësinë e Austrisë, duke riafirmuar vendin e saj në Evropë. Pas viteve të shkatërrimit dhe ndarjes, Austria rifitoi jo vetëm sovranitetin, por edhe busullën e saj morale — duke zgjedhur paqen mbi pushtetin dhe partneritetin mbi përplasjen. Dje, Austria e shënoi këtë moment historik për herë të 60-të që prej shpalljes si festë zyrtare kombëtare — gjashtë dekada kujtese, reflektimi dhe krenarie të qetë në një rrugë të përcaktuar nga demokracia, përgjegjësia dhe liria për të zgjedhur rrugën e vet.
Kjo është një histori që na kujton të gjithëve se forca e vërtetë e një kombi nuk matet me fuqinë e tij, por me aftësinë për t’u rindërtuar me dinjitet, për t’u pajtuar me të kaluarën dhe për të kontribuar për një Evropë më paqësore.
Për ne në Kosovë, kjo ditë ka jehonë të veçantë. Rrugëtimi i Austrisë — nga pushtimi në pavarësi, nga ndarja në demokraci — në shumë mënyra pasqyron rrugën tonë drejt lirisë dhe vetëvendosjes. Na kujton se sovraniteti nuk është vetëm çështje kufijsh, por edhe çështje vlerash: drejtësi, solidaritet dhe dinjitet njerëzor.
Megjithatë, sot ne festojmë më shumë sesa historinë. Ne festojmë miqësinë ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, të ndërtuar mbi besim, vlera të përbashkëta dhe partneritet të sinqertë.
Austria ka qëndruar përkrah Kosovës në çdo fazë të rëndësishme të shtetndërtimit tonë. Ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë tonë; ka qenë mbështetëse e palëkundur e rrugës sonë evropiane; dhe vazhdon të jetë një ndër partnerët tanë më të rëndësishëm në zhvillim, arsim, siguri dhe investime.
Për këtë, shpreh mirënjohjen tonë të thellë.
Më lejoni të ndaj tri reflektime mbi atë që përcakton partneritetin tonë sot:
E para – Bashkëpunimi Ekonomik dhe Teknologjik.
Kompanitë austriake po e zbulojnë gjithnjë e më shumë Kosovën — jo vetëm si treg, por si partner për inovacion, zhvendosje të afërt prodhimi dhe bashkëprodhim. Së bashku, mund të ndërtojmë zinxhirë të qëndrueshëm vlere që lidhin zemrën e Evropës me zemrën e Ballkanit.
E dyta – Arsimi dhe Rinia.
Kosova është një ndër shoqëritë më të reja në Evropë. Universitetet dhe agjencitë zhvillimore austriake kanë hapur dyer për të rinjtë tanë, duke krijuar ura dijesh, mundësish dhe përvojash të përbashkëta. Ne nuk e harrojmë kurrë se ishte Austria vendi i parë që njohu diplomat e Universitetit të Prishtinës gjatë okupimit, më shumë se tre dekada më parë.
E treta – E ardhmja jonë evropiane.
Zëri i Austrisë në Bashkimin Evropian ka qenë gjithmonë zë arsyeje, bashkëpunimi dhe përfshirjeje. Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për integrimin evropian të Kosovës. Për ne, Evropa nuk është vetëm destinacion — është drejtim. Është standardi që synojmë të arrijmë në demokraci, sundim të ligjit dhe mirëqenie.
Të dashur miq,
Teksa festojmë Ditën Kombëtare të Austrisë, tashmë për herë të 60-të që nga shpallja e saj zyrtare — ne gjithashtu festojmë vlerat që na bashkojnë: paqen, pavarësinë, bashkëpunimin dhe miqësinë.
Uroj që e kuqja dhe e bardha e flamurit austriak të na kujtojnë këto: e bardha – paqen dhe bashkëpunimin; e kuqja – guximin për të qëndruar në mbrojtje të bindjeve tona.
Faleminderit. Danke.





















 
								 
								 
								 
								 
								