Prishtinë, 14 tetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën me temë “Fuqizimi i të drejtave muzike përmes menaxhimit kolektiv”, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti në bashkëpunim me Kosova Music Rights Society (KMRS), ku u bë lansimi zyrtar i Organizatës së Menaxhimit Kolektiv për të Drejtat e Autorit në Fushën e Muzikës, Kosova Music Right Society (KMRS).
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se çdo nismë e jona, si kjo e sotmja, qëndron mbi supet e maleve shpirtërore që janë ndërtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë Kosovën vend hiper-muzikor dhe për këtë arsye ne i kemi detyrim kësaj krijimtarie dhe krijueseve të saj.
“Sot po shënojmë një hap që shkon përtej muzikës. Sepse, në thelb të kësaj nisme të krijimit të Kosova Music Rights Society (KMRS) dhe punës që i pret përpara, qëndron një ide më e madhe: ajo e të drejtës për të zotëruar frytin e punës sonë, për të fituar edhe autori nga dobia publike. Kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe morale, kulturore e filozofike. Shoqëria që njeh dhe e mbron krijimtarinë është shoqëri, e cila beson në vetvete. Shoqëri, e cila beson në të tashmen dhe në të ardhmen e saj. Po ashtu, është shoqëri, e cila edhe i respekton artistët e vet përveçse i do ata”, tha kryeministri Kurti.
Kosova Music Rights Society, siç tha kryeministri, është më shumë se një organizatë besimi midis krijuesve dhe shtetit, si dhe midis publikut dhe artit. Me këtë hap, shtoi ai, Kosova hyn në një kapitull të ri të menaxhimit kolektiv të të drejtave autoriale, duke u bërë pjesë e traditave botërore institucionale dhe rrjetit evropian të bashkëpunimit me organizata si SACEM e Francës, (Shoqëri e Autorëve, Kompozitorëve dhe Muzicientëve) dhe potencialisht me bashkëpunim me të gjitha të tjerat në botë, një partneritet që dëshmon për seriozitetin e kësaj nisme dhe për hapjen tonë drejt standardeve ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet partnere e palëkundur në zhvillimin e industrisë së muzikës në të gjitha format e saj, nga kompozimi dhe interpretimi te prodhimi, shpërndarja dhe mbrojtja ligjore e veprës. Ai theksoi se me Ligjin e ri për Kulturën, me Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e përafërta dhe me reformat e tjera, që po ndërmarrim, ne po ndërtojmë themelet për një sistem që mbron krijuesin dhe nxitë ekonominë krijuese.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari ushtrues detyre i ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu,
I nderuari prokuror nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, z. Ardian Mehmeti,
I nderuari z. Bislim Bislimi, Sekretar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
E nderuara znj. Kaltrina Mehmeti, Kryetare e Organizatës Kosova Music Rights Society,
Të nderuar artistë, kompozitorë, producentë, botues, miq të kulturës e të artit, përfaqësues të institucioneve tona,
Dikush e qepë një fustan, tjetra e krijon një skulpturë, tjetri e pikturon një pikturë. Këto preken dhe mbrohen.
Dikush kompozon një këngë, incizon një Sonatë, performon një koncert. Këto kryesisht dëgjohen.
A mund të mbrohet diçka që dëgjohet? Ne e asocojmë dëgjimin me shpirtin, fundja çiftelitë deri në vitet ‘90 vetëm janë falur, asnjëherë nuk janë shitur.
Përse mos të mbrohet edhe ajo që dëgjohet?.
Rrugën e institucionalizimit të muzikës në vendi tonë e ka trasuar kompozitori ynë i parë, Lorenc Antoni, në fillim të shekullit XX-të. Me shkrimet e tij të para shkencore për folklorin tonë dhe për punën kërkimore që ka bërë. Më pas, erdhi shkolla e parë e muzikës në Prizren. Pastaj gjeneratat e para të kompozitorëve. Dhe më tej, instrumentistët e panumërt, vokalistët, krijuesit e teksteve, autorët, këngëtarët. Nga folklori burimor, te muzika klasike. Nga rock-u, pop-i, hip-hopi e metali, te muzika elektronike e ajo alternative. Nga odat tona tradicionale, deri te skenat e mëdha të festivaleve. Nga studiot e vogla të qyteteve tona, deri te mbi 43 ngjarje masive me fokus muzikor.
Çdo nismë e jona, si kjo e sotmja, qëndron mbi supet e maleve shpirtërore që janë ndërtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë Kosovën një vend hiper-muzikorë. Për këtë arsye ne i kemi detyrim kësaj krijimtarie dhe këtyre krijuesve.
Sot po shënojmë një hap që shkon përtej muzikës. Sepse në thelb të kësaj nisme të krijimit të Kosova Music Rights Society (KMRS) dhe punës që i pret përpara, qëndron një ide më e madhe: ajo e të drejtës për të zotëruar frytin e punës sonë, për të fituar edhe autori nga dobia publike. Kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe morale, kulturore e filozofike. Shoqëria që njeh dhe e mbron krijimtarinë është shoqëri e cila beson në vetvete. Shoqëri e cila beson në të tashmen dhe në të ardhmen e saj. Po ashtu, është shoqëri e cila edhe i respekton artistët e vet përveçse i do ata.
Në muzikë e kemi inverzionin dhe retrogradën, në institucione kemi MKRS dhe KMRS. E njëjta melodi, por tani me harmoni juridike. Një anagram institucional që flet për evoluimin tonë.
KMRS tani është më shumë se një organizatë besimi midis krijuesve dhe shtetit si dhe midis publikut dhe artit. Me këtë hap, Kosova hyn në një kapitull të ri të menaxhimit kolektiv të të drejtave autoriale, duke u bërë pjesë e traditave botërore institucionale dhe rrjetit evropian të bashkëpunimit me organizata si SACEM e Francës, (Shoqëri e Autorëve, Kompozitorëve dhe Muzicientëve) dhe potencialisht me bashkëpunim me të gjitha të tjerat në botë, një partneritet që dëshmon për seriozitetin e kësaj nisme dhe për hapjen tonë drejt standardeve ndërkombëtare.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet partnere e palëkundur në zhvillimin e industrisë së muzikës në të gjitha format e saj, nga kompozimi dhe interpretimi te prodhimi, shpërndarja dhe mbrojtja ligjore e veprës. Me Ligjin e ri për Kulturën, me Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e përafërta, dhe me reformat të cilat po i ndërmarrim, ne po ndërtojmë themelet për një sistem që mbron e lartëson krijuesin dhe nxit ekonominë kreative.
Le ta mbështesim këtë përpjekje të përbashkët e cila bashkon zërin e krijuesve, forcën e institucioneve dhe ndërgjegjen e publikut. Le ta kthejmë Kosovën në një laborator të së ardhmes kulturore, ku çdo tingull, çdo varg dhe çdo ide artistike gjen hapësirë për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
Urime themeluesve të KMRS, përfaqësuesve të MKRS-së, partnerëve ndërkombëtarë dhe të gjithë krijuesve që i japin shpirt e gëzim vendit tonë për çdo ditë.
Faleminderit.














