Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës kolektive “Ngjyrat e Luginës”, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar

Prishtinë, 25 qershor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të ekspozitës kolektive “Ngjyrat e Luginës”, e organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.

“Imagjinata në tablo nuk bën kompromis me heshtjen. Ngjyrat e Luginës, ekspozitë që rrahë me ritmin e ekzistencës dhe nuk mbulohet nga statistikat e padrejtësisë. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, shqiptarët jetojnë çdo ditë në përballje me diskriminimin dhe shtypjen dhe shfrytëzimin dhe përjashtimin nga institucionet, e sidomos me atë që njihet si pasivizim i adresave, apo spastrim i ftohtë etnik nëpërmjet metodave burokratike e administrative”, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Ai tha se tani Kosova nuk është më vështruese e kësaj padrejtësie, dhe se me vendimet e saj është përherë pranë jush, gjithnjë e më afër jush dhe praninë do ta rrisim nga viti në vit.

“Nëpërmjet kësaj ekspozite, e gjithë Kosova e ndjen Luginën më afër. Ju keni sjellë këtu copëza jete Lugine, që vetëm thellësia e imagjinatës dhe gjerësia e përvojës suaj i ka ndjerë. Ju faleminderit që e sollët atë këtu edhe në këtë formë estetike! Ju faleminderit që nuk pushoni së krijuari e së angazhuari! Dhe, mbi të gjitha, faleminderit që nuk shkëputeni nga përkatësia!”, tha kryeministri Kurti.

“Ngjyrat e Luginës” është një rrëfim përmes artit për identitetin, qëndresën dhe frymën krijuese të shqiptarëve të Luginës. Kjo ekspozitë është pjesë e një cikli prezantimesh që do të udhëtojë nëpër kryeqendrat shqiptare me synim forcimin e lidhjeve kulturore mbarëkombëtare. Ekspozita mbahet në Galerinë Flori, në Prishtina Mall në Prishtinë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Enkel Rexhepi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar,
I nderuari profesor Sabedin Hetemi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, kolegë nga Qeveria e Kosovës,
Të nderuar artistë nga Lugina,
Të nderuar përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,

Kur arti flet, atëherë politika vështron. Arti ku prek vështirë se prek dot tjetërkush. Arti shtron shpesh pyetje, politika eventualisht do ta arrijë përgjigjen. Mirëpo, sonte në Prishtinë jemi mbledhur për më shumë se kaq, sepse jemi mbledhur për ta parë me sytë tanë atë që Lugina e thotë përmes penelit.

Imagjinata në tablo nuk bën kompromis me heshtjen. Ngjyrat e Luginës, ekspozitë që rrahë me ritmin e ekzistencës dhe nuk mbulohet nga statistikat e padrejtësisë. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, shqiptarët jetojnë çdo ditë në përballje me diskriminimin dhe shtypjen dhe shfrytëzimin dhe përjashtimin nga institucionet, e sidomos me atë që njihet si pasivizim i adresave, apo spastrim i ftohtë etnik nëpërmjet metodave burokratike e administrative.

Kosova nuk është më vështruese e kësaj padrejtësie. Ju e dini që ne me vendimet tona jemi përherë pranë jush, gjithnjë e më afër jush dhe praninë do ta rrisim nga viti në vit.

Nëpërmjet kësaj ekspozite, e gjithë Kosova e ndjen Luginën më afër. Ju keni sjellë këtu copëza jete Lugine, që vetëm thellësia e imagjinatës dhe gjerësia e përvojës suaj i ka ndjerë.

Lidhja jonë nuk është më thjesht simbolike, por konkrete, institucionale dhe financiare. Nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar, do t’ju përkrahim edhe më fort, edhe më shumë në kulturë, ashtu siç tashmë tradicionalisht mbështesim arsimin me tekste mësimore e bursa për studentë dhe nxënës.

Deri tani Qeveria e Kosovës përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar ka përkrahur 28 projekte të kulturës, ndërkaq drejtpërdrejt përmes Ministrisë së Kulturës 21 projekte në Luginë.

Andaj, në emrin tim si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju them që Lugina nuk është vetëm çështje apo temë, ajo është pjesë e mendimit dhe zemrës dhe qenies sonë.

Ju faleminderit që e sollët atë këtu edhe në këtë formë estetike! Ju faleminderit që nuk pushoni së krijuari e së angazhuari! Dhe, mbi të gjitha, faleminderit që nuk shkëputeni nga përkatësia!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors