Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica International Jazz”

Mitrovicë, 8 gusht 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica Internacional Jazz”, që po mbahet në Parkun e Qytetit në Mitrovicë.

Në këtë mbrëmje kulturore festive, kryeministri Kurti tha se “Mitrovica International Jazz Days” e bën bashkë edhe dimensionin ndërkombëtar e universal të muzikës në njërën anë, por edhe në anën tjetër veçantinë e zhanrit të Jazz-it. Ky është një festival, i cili sjellë muzikë cilësore, krijon lidhje të reja dhe pasuron jetën kulturore të qytetit.

Me nëntë koncerte dhe pjesëmarrje të artistëve nga Holanda dhe Britania e Madhe, ai theksoi se ky edicion ka sjellë një kombinim të veçantë mes talentit ndërkombëtar dhe mikpritjes lokale, duke bërë kështu që publiku ta ndjekë me entuziazëm dhe ta bëjë festivalin pjesë të natyrshme të qytetit.

“Këto nëntë koncerte po zhvillohen në të dy anët e Ibrit, sepse e tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit, dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor. Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojë të mbështesë këtë festival të Mitrovicës dhe të gjitha iniciativat që fuqizojnë jetën kulturore në vendin tonë. Sepse aty ku ka kulturë dhe art, ka zhvillim, e mirëkuptim, dhe mjedis për të gjithë njësoj”, tha ai.

Kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për realizimin e këtij festivali, duke thënë se organizimi i një ngjarjeje të tillë kërkon përkushtim të madh dhe bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve, artistëve dhe komunitetit dhe mirënjohje për secilën e secilin që ka dhënë kontributin e vet.

“Urime për këtë edicion të suksesshëm. Uroj që Mitrovica International Jazz Festival të vazhdojë të rritet çdo vit, duke sjellë më shumë muzikë ditën dhe natën, më shumë bashkëpunim gjithandej dhe më shumë mundësi për vetë Mitrovicën dhe mbarë Kosovën”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar të pranishëm që jeni qytetarë e banorë të Mitrovicës, por edhe ju që keni ardhur nga vende të tjera sonte në Mitrovicë,
Të dashur qytetarë,
Të dashur artistë,
E dashur Rona dhe ekip organizativë,
I nderuar Kryetar i Komunës jugore të Mitrovicës, z. Bedri Hamza,
I nderuar Kryetar i Komunës veriore të Mitrovicës, z. Erden Atiq,
Të nderuar ambasadorë të Holandës, Zvicrës, Malit të Zi dhe ju diplomatë të tjerë të akredituar në Republikën tonë,

Është kënaqësi të jem sonte me juve në Mitrovicë, në këtë ngjarje kulturore që çdo vit fiton më shumë peshë dhe kuptim: Mitrovica International Jazz Days – që e bën bashkë edhe dimensionin ndërkombëtarë e universal të muzikës në njërën anë, por edhe në anën tjetër veçantinë e zhanrit të Jazz-it. Ky është një festival i cili sjellë muzikë cilësore, krijon lidhje të reja dhe pasuron jetën kulturore të qytetit.

Me nëntë koncerte dhe pjesëmarrje të artistëve nga Holanda dhe Britania e Madhe, ky edicion ka sjellë një kombinim të veçantë mes talentit ndërkombëtar dhe mikpritjes lokale. Publiku e ka ndjekur me entuziazëm dhe e ka bërë festivalin pjesë të natyrshme të qytetit.

Xhazi është një gjuhë muzikore që lë hapësirë për liri, për improvizim dhe për shprehje autentike. Dhe është pikërisht kjo frymë që po reflektohet edhe në jetën kulturore të Mitrovicës së hapur, dinamike dhe krijuese.

Unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për realizimin e këtij festivali. Organizimi i një ngjarjeje të tillë kërkon përkushtim të madh dhe bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve, artistëve dhe komunitetit dhe mirënjohje për secilën e secilin që ka dhënë kontributin e vet.

Një falënderim i veçantë për të rinjtë që janë përfshirë në këtë proces. Angazhimi i tyre në kulturë është një investim në të tashmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët.

Këto nëntë koncerte po zhvillohen në të dy anët e Ibrit, sepse e tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor.

Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojë të mbështesë këtë festival të Mitrovicës dhe të gjitha iniciativat që fuqizojnë jetën kulturore në vendin tonë. Sepse aty ku ka kulturë dhe art, ka zhvillim, e mirëkuptim, dhe mjedis për të gjithë njësoj.

Urime për këtë edicion të suksesshëm. Uroj që Mitrovica International Jazz Festival të vazhdojë të rritet çdo vit, duke sjellë më shumë muzikë ditën dhe natën, më shumë bashkëpunim gjithandej dhe më shumë mundësi për vetë Mitrovicën dhe mbarë Kosovën.

Ju faleminderit e ju dëshiroj mbrëmje të bukur e të këndshme!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors