Kryeministri Kurti mori pjesë në edicionin e dytë të Forumit “Zá n’Kujtesë” kushtuar helmimeve të nxënësve në Kosovë gjatë viteve 1990–1992

Prishtinë, 26 nëntor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e dytë të Forumit “Zá n’Kujtesë” që këtë vit iu kushtua helmimeve të nxënësve në Kosovë gjatë viteve 1990–1992. Ky edicion i ri, i realizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë në bashkëpunim me MAShTI-n, sjell dokumente, fotografi dhe dëshmi të kohës që ndriçojnë një nga episodet më të errëta të viteve ’90.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se i vjen mirë që gjashtë muaj pas forumit të parë të “Za n’Kujtesë”, që për subjekt i kishte ushtarët shqiptarë të vrarë në ushtrinë jugosllave, sot jemi bërë bashkë për forumin e dytë, që për temë i ka, helmimet e nxënësve në Kosovë në fillim të viteve ’90.

“Mes të gjitha krimeve të kryera nga shteti okupator i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, një prej krimeve më makabre dhe më djallëzore, kanë qenë pikërisht helmimet e nxënësve. Shumë prej nesh këtu e kanë përjetuar atë kohë të errët, e cila edhe në kujtesën time edhe sot është shumë e gjallë, meqë kam qenë nxënës i vitit të parë në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kur në pranverën e vitit 1990, u bë e qartë që nxënësit po helmoheshin nëpër shkolla”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, ai kujtoi kohën kur në Kosovë kishin filluar helmimet e nxënësve, më 21 mars 1989 në Klinë dhe më 6 dhjetor 1989 në Prizren, duke thënë se teksa po përgatitej suprimimi i autonomisë së Kosovës, që u realizua më 23 mars 1989, vetëm dy ditë më herët, në shkollën “Luigj Gurakuqi” të Klinës, u shënuan rastet e para të helmimeve. Në muajt në vijim, duke filluar nga 15 marsi i vitit 1990, raste të helmimeve të nxënësve do të shënoheshin edhe në 20 qytete dhe 11 fshatra në tërë Kosovën. Përtej nxënësve në shkolla, raste helmimesh do të regjistroheshin edhe mes punëtorëve në fabrikën e tekstilit “Emin Duraku” në Gjakovë, në fabrikën “Ballkan” të Suharekës, në fabrikën “Polet” të Vushtrrisë dhe sporadikisht mes kalimtarëve. Madje u raportua edhe për helmimin e shtatë fëmijëve në çerdhen “Emin Duraku” në Gjakovë. Më 19 mars 1990, pati helmime masive të nxënësve shqiptarë në Podujevë, që u pasuan nga një valë tjetër helmimesh edhe më 22 mars. 20 mars 1990, ishte dita kulmore e helmimeve, kur raste të nxënësve të helmuar u raportuan në shumë qytete të Kosovës. Numri më i madh i të helmuarve do të rezultonte të jetë mes nxënësve të komunës së Ferizajt, ndërkaq ndër vite, është përllogaritur që numri total i nxënësve të helmuar ka qenë 7421.

“Autoritetet serbe u orvatën t’i kamuflojnë gjithë këto raste helmimesh, duke i penguar hetimet dhe analizat mjekësore. Po ashtu, i patën përndjekur ata që ishin përfshirë në dhënien e ndihmës, sikur në rastin e 48 studentëve të Fakultetit të Mjekësisë të cilët u burgosën për shkak të, siç u tha, ofrimit të paautorizuar të ndihmës mjekësore. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të tyre, këto krime shtetërore të Serbisë padyshim që kanë lënë pas shumë dëshmi”, tha kryeministri.

Krahas dëshmive të vet viktimave, dëshmitarëve, raporteve të ndryshme mjekësore e të organizatave ndërkombëtare, si dhe politikanëve të kohës, kryeministri veçoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë nga institucionet e shtetit të Kosovës. Pikërisht me qëllim të grumbullimit të çdo materiali dhe çdo dëshmie për të gjitha krimet e cilësdo periudhë të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë, është themeluar edhe Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, në të cilin institut po krijohet një qendër arkivore, librare dhe audiovizuale, që do t’u shërbejë të gjithë studiuesve, kërkuesve, gazetarëve, juristëve dhe politikbërësve të interesuar për të vërtetën e historisë së Kosovës dhe politikave të adresimit të saj, shtoi kryeministri.

“Duke grumbulluar dëshmi për helmimet dhe të gjitha krimet e kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë, duke u kujdesur përmes institucioneve tona si shtet dhe përmes kultivimit të mbamendjes si shoqëri, duke njohur dhe kujtuar, ne kujdesemi edhe që të mos kthehet fashizmi dhe që e kaluara të mos na përsëritet”, tha ai në përfundim të fjalës së tij.

Fjala e kryeministrit Kurti:

E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuar drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi,
E nderuara ministre në detyrë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
Të nderuar panelistë dhe pjesëmarrës: z. Zef Shala, Kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza”, z. Halim Hyseni, ish-drejtor i Institutit Pedagogjik të Kosovës, Dr. Besnik Bardhi, znj. Shqipe Gashi dhe të tjerë ish-nxënëse të helmuar dhe familjarë të tyre,
Të nderuar profesorë dhe studentë,
Zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që gjashtë muaj pas forumit të parë të “Za n’Kujtesë”, që për subjekt i kishte ushtarët shqiptarë të vrarë në ushtrinë jugosllave, sot jemi bërë bashkë për forumin e dytë, që për temë i ka, helmimet e nxënësve në Kosovë në fillim të viteve ’90.

Sa herë që flasim për dhunën shtetërore të Serbisë ndaj shqiptarëve nën Jugosllavi, për spastrimin etnik dhe për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe para saj, për apartheidin dhe gjenocidin, për burgosjet politike dhe shkeljet masive të lirive dhe të drejtave të njeriut, gjithmonë është sfiduese të orientohemi mes historisë së gjatë të tyre, se cilat janë fillet e gjithë kësaj historie. Ndoshta sepse dhuna shtetërore, shtypja dhe diskriminimi, shfrytëzimi dhe nënpërfaqësimi, krimet e llojllojshme nga vrasjet nën tortura deri te gjenocidi e masakrat, janë mbiemra gjithëpërfshirës për historinë e Kosovës gjatë shekullit XX.

Gjithsesi, mes të gjithë këtyre krimeve të kryera nga shteti okupator i Serbisë ndaj neve shqiptarëve në Kosovë, një prej krimeve më makabre dhe më djallëzore, kanë qenë pikërisht helmimet e nxënësve. Shumë prej nesh këtu e kanë përjetuar atë kohë të errët, e cila edhe në kujtesën time edhe sot është shumë e gjallë, meqë kam qenë nxënës i vitit të parë në gjimnazin “Xhevdet Doda” këtu në Prishtinë, kur në pranverën e vitit 1990, u bë e qartë që nxënësit po helmoheshin nëpër shkolla.

Në të vërtetë, helmimet e nxënësve në shkollë kanë filluar më 21 mars 1989 në Klinë dhe më 6 dhjetor 1989 në Prizren. Pra teksa po përgatitej suprimimi i autonomisë së Kosovës, që u realizua më 23 mars 1989, vetëm dy ditë më herët, në shkollën “Luigj Gurakuqi” të Klinës, u shënuan rastet e para të helmimeve. Ndërkohë që kishte tre javë që në Kosovë ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme atëbotë. Në këto rrethana tejet të vështira, kur Sllobodan Millosheviqi po e konsolidonte ngjitjen e tij në pushtet, autoritetet e institucioneve të sigurisë dhe shërbimeve të fshehta jugosllave, po kryenin një nga krimet më antihumane në Kosovë.

Në muajt në vazhdim, duke filluar më 15 marsin e vitit 1990, raste të helmimeve të nxënësve do të shënoheshin edhe në 20 qytete dhe 11 fshatra në tërë Kosovën. Përtej nxënësve në shkolla, raste helmimesh do të regjistroheshin edhe mes punëtorëve në fabrikën e tekstilit “Emin Duraku” në Gjakovë, në fabrikën “Ballkan” të Suharekës, në fabrikën “Polet” të Vushtrrisë dhe sporadikisht mes kalimtarëve. Madje u raportua edhe për helmimin e shtatë fëmijëve në çerdhen “Emin Duraku” në Gjakovë.

Më 19 mars 1990, pati helmime masive të nxënësve shqiptarë në Podujevë, që u pasuan nga një valë tjetër helmimesh edhe më 22 mars të atij viti. Dita e martë e 20 marsit 1990, ishte dita kulmore e helmimeve, kur raste të nxënësve të helmuar u raportuan në shumë qytete të Kosovës. Numri më i madh i të helmuarve do të rezultonte të jetë mes nxënësve të komunës së Ferizajt, ndërkaq ndër vite, është përllogaritur që numri total i nxënësve të helmuar ka qenë 7421.

Autoritetet serbe u orvatën t’i kamuflojnë gjithë këto raste helmimesh, duke i penguar hetimet dhe analizat mjekësore. Po ashtu, i patën përndjekur ata që ishin përfshirë në dhënien e ndihmës, sikur në rastin e 48 studentëve të Fakultetit të Mjekësisë të cilët u burgosën për shkak të, siç u tha, ofrimit të paautorizuar të ndihmës mjekësore. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të tyre, këto krime shtetërore të Serbisë padyshim që kanë lënë pas shumë dëshmi.

Në radhë të parë janë vetë viktimat e helmimeve, këta mbi 7421 nxënës të helmuar disa prej të cilëve ndër vite dhe deri sot kanë patur nevojë për trajtime mjekësore. Janë dëshmitë e mësuesve dhe profesorëve të tyre, të familjarëve dhe të mjekëve e personelit mjekësorë që u kanë dhënë ndihmë profesionale të helmuarve; janë raportet e ndryshme mjekësore, sikur raporti i Dr. Franjo Plavshiq, nga Instituti “Rebro” i Zagrebit. Raportet e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut; raporti i Komisionit Ndërkombëtar i udhëhequr nga Charles Graves dhe i përbërë edhe nga Verena Graf dhe Zhan Zhak Kirikijarian, të cilët u dëbuan më pas nga autoritetet serbe asokohe. Janë dëshmitë e murgeshave të kishës katolike në Ferizaj, që u dhanë ndihmë të helmuarve. Janë deklaratat e politikanëve të kohës, sikur ajo e liderit kroat, ish-presidentit Stipe Mesiq, i cili në vitin 1991, dorëzoi dëshmi në Pentagon për përfshirjen e Armatës Popullore të Jugosllavisë në këto helmime, teksa ajo prodhonte gaz helmues Sarin në një fabrikë në afërsi të Mostarit. Janë pa numër dëshmi të grumbulluara e të botuara në shtypin e kohës si dhe histori të rrëfyera nga dëshmitarë të ndryshëm ndër vite.

Përveç tyre, janë edhe tre libra studimorë seriozë, të shkruar nga Halim Hyseni, Hazir Mehmeti dhe së fundi nga Luljeta Pula, ku janë grumbulluar, analizuar dhe prezantuar shumë dëshmi për historitë e helmimeve të nxënësve në Kosovë, disa prej të cilave janë prezantuar edhe në ekspozitën jashtë kësaj salle të kuruar këtu. Dhe pikërisht ky ka qenë qëllimi ynë këtu e katër vite më parë kur filluam me takimet dhe diskutimet e para për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Duke grumbulluar çdo material dhe çdo dëshmi për të gjitha krimet e cilësdo periudhë të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë, në këtë institut po krijohet një qendër arkivore, librare dhe audiovizuale, që do t’u shërbejë të gjithë studiuesve, kërkuesve, gazetarëve, juristëve dhe politikbërësve të interesuar për të vërtetën e historisë së Kosovës dhe politikave të adresimit të saj.
Në atë kohën e helmimeve, poeti ynë i madh Ali Podrimja e pat shkruar poezinë “Ndjesë”, ku në vargun e fundit shkroi:
Në këtë hakitje shpirti,
Ndjesë të kërkoj vogëlushi im
Nëse ndonjëherë të kam rrejtur
Se iku fazhizmi.

Duke grumbulluar dëshmi për helmimet dhe të gjitha krimet e kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë, duke u kujdesur përmes institucioneve tona si shtet dhe përmes kultivimit të mbamendjes si shoqëri, duke njohur dhe kujtuar, ne kujdesemi edhe që të mos kthehet fashizmi dhe që e kaluara të mos na përsëritet.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors