Kryeministri Kurti mori pjesë në edicionin e 3- të të Ulpiana Fest

Prishtinë, 1 shtator 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe deputetë të Kuvendit, mbrëmë mori pjesë në edicionin e 3- të të Ulpiana Fest, i cili u mbajt në ambientet e Parkut Arkeologjik Ulpiana.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se janë në një lokalitet me vlera të larta për vendin tonë, aty ku rishtas ekipi i arkeologëve nga Kosova dhe Franca, ka zbuluar dy gjetje të rëndësishme historike të cilat dëshmojnë themelimin e qytetit Justiniana Secunda si qytet dardan, si dhe rëndësinë e Ulpianës në antikitetin e vonë dhe në mesjetën e hershme.

“Këto pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike tashmë janë në pronësi publike, ju përkasin të gjithëve, na bashkojnë të gjithëve, gjë që do të mundësojë qasje në hulumtimet e mëtutjeshme dhe të sigurojnë ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm si vlerë e përbashkët dhe universale”, tha kryeministri Kurti.

Ai gjithashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin shumëvjeçar mes Kosovës dhe Francës, në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore arkeologjike dhe shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar të profesorëve dhe të arkeologëve francezë në mbështetjen e dhënë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike në Kosovë. Andaj, me këtë rast, ai ndau mirënjohjen në nderim të Prof. Dr. Jean-Luc Lamboley, për kontributin e tij të rëndësishëm në arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës. Në mungesë të Prof. Dr. Jean-Luc Lamboley, mirënjohjen në emrin e tij e pranoi arkeologu francez Christophe Goddard.

Për dy ditë me radhë vizitorët kanë pasur mundësinë që në Parkun Arkeologjik, të shohin nga afër trashëgiminë e Dardanisë përmes punëtorive krijuese, lojërave tradicionale, ushqimit vendor dhe shfaqjeve artistike.

Fjala e kryeministrit Kurti:

Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë që të jem sonte bashkë me juve dhe para jush, në ambientet e lokalitetit arkeologjik “Ulpiana” Justiniana Secunda dhe të ndaj mirënjohjen në nderim të Prof. Dr. Jean-Luc Lamboley.
Kjo mbrëmje është e rëndësishme për arsye të shumta, por më lejoni që t’i përmendi disa prej tyre:

  • Së pari, sepse jemi në një lokalitet me vlera të larta për vendin tonë, aty ku rishtas ekipi i arkeologëve nga Kosova dhe Franca, ka zbuluar dy gjetje të rëndësishme historike të cilat dëshmojnë themelimin e qytetit Justiniana Secunda si qytet dardan si dhe rëndësinë e Ulpianës në antikitetin e vonë dhe në mesjetën e hershme;
  • Së dyti, sepse këto pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike tashmë janë në pronësi publike, ju përkasin të gjithëve, na bashkojnë të gjithëve, gjë që do të mundësojë qasje në hulumtimet e mëtutjeshme dhe të sigurojnë ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm si vlerë e përbashkët dhe universale;
  • Së treti, meqenëse sot, përveç ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike, jemi dëshmitarë të rijetësimit të kësaj pasurie, nëpërmjet aktiviteteve kulturore, siç është edhe ky “Ulpiana Fest”,
    ku e kaluara e larmishme prezantohet dhe promovohet para nesh dhe;
  • Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, sot kemi rastin të shënojmë dhe festojmë bashkëpunimin shumëvjeçar mes Kosovës dhe Francës, në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore arkeologjike.
    Dua të shpreh mirënjohjen time për kontributin e çmuar të profesorëve dhe të arkeologëve francezë në mbështetjen e dhënë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike në Kosovë.
    Prandaj, është kënaqësi e posaçme që të ndaj këtë mirënjohje për Prof. Dr. Jean-Luc Lamboley, për kontributin e tij të rëndësishëm në arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors