Prizren, 1 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni “Lumbardhi”, kushtuar Kino Lumbardhit, e titulluar “Edhe një herë deri herën tjetër”, e cila u mbajt në hapësirat e kinemasë “Lumbardhi”, në qytetin e Prizrenit.
Me rastin e mbylljes së përkohshme të ndërtesës së kinemasë për shkak të renovimit që do t’i bëhet, kryeministri Kurti ktheu në kujtesë se Kinemaja Lumbardhi në vitin 2002 u bë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. Ai shtoi se ky institucion është monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore e do të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme.
“Rrugëtimi i Kinemasë Lumbardhi, nga themelimi e deri më sot, përfshin ngjarje dhe përjetime të rëndësishme: Nga një simbol i reformës shoqërore dhe kulturore në mesin e viteve ’50, në vendtakimin dhe shënjuesin e kujtesës kolektive; deri te triumfi i aktivizmit qytetar dhe i vlerave kulturore e shoqërore, kur u shpall aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe ruajti karakterin publik e kulturor”, tha kryeministri.
Duke e ndërlidhur me emrin e lumit i cili kalon nëpër qytetin e Prizrenit, kryeministri Kurti u shpreh se ngjashëm sikur lumi edhe kinemaja Lumbardhi e dokumentojnë jetën e qytetit, pra rrjedhën e ujit që i jep jetë qytetit dhe ngjarjet kulturore, të cilat tash e 73 vite e kanë gjallëruar qytetin, e së bashku me to edhe me festivalet si Zambaku i Prizrenit dhe DokuFest, të cilat mbledhin miliona shikues që janë inspiruar në këto ambiente.
“Mes për mes qytetit të Prizrenit rrjedhë një lum i bukur, i cili bënë zë sikur një shirit filmik gjatë projeksionit në një kinema të vjetër. Kjo ndërlidhje zanore me këtë lum mund të jetë njëra prej arsyeve nga e ka huazuar kinemaja Lumbardhi emrin e tij”, tha ai.
Në këtë program përmbyllës, ai falënderoi të gjithë ata të cilët kanë kontribuuar dhe janë angazhuar që kjo kinema të jetë pikë gravitimi për kulturën dhe qytetin dhe një vend frymëzimi për gjeneratat e ardhshme. Më tej, shtoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që vit pas viti të rrisë mbështetjen për artin dhe trashëgiminë kulturore – si një nga shtyllat e zhvillimit kulturor, shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuri z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z. Driton Hapçiu, Kryetar i Fondit të Fondacionit “Lumbardhi”,
I nderuari z. Ares Shporta, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Lumbardhi”,
E nderuar znj. Aslıhan Demirtaş, arkitekte udhëheqëse e projektit të revitalizimit të Lumbardhit,
I nderuari z. Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i “DokuFest”-it,
Të nderuar të pranishëm, miq të artit e të kulturës,
Mes për mes qytetit të Prizrenit rrjedhë një lum i bukur, i cili bënë zë sikur një shirit filmik gjatë projeksionit në një kinema të vjetër. Kjo ndërlidhje zanore me këtë lum mund të jetë njëra prej arsyeve nga e ka huazuar kinemaja “Lumbardhi” emrin e tij. Mirëpo më kanë thënë se ekziston një arsye tjetër, se si kjo Kinema i ngjan lumit.
Ashtu si lumi edhe kinemaja Lumbardhi e dokumenton jetën e qytetit – lumi me rrjedhën e ujit që i jep jetë Prizrenit qysh nga krijimi i tij, ndërkaq kinemaja nga rrjedha e ngjarjeve kulturore që i kanë dhënë shpirt këtij qyteti tash e 73 vjet. Dy festivalet më të rëndësishme si Zambaku i Prizrenit dhe DokuFest-i kanë nis rrugëtimit mu në këtë ndërtesë. Ndër vite, me miliona shikues janë inspiruar në këtë ambient.
Të nderuar të pranishëm,
Historia e kësaj kinemaje, e vendosur në zemër të Prizrenit dhe që mban emrin e lumit që përshkon qytetin, është e mbushur me ndjenja të thella – nga lidhja emocionale e komunitetit me të, deri te periudhat e refuzimit dhe braktisjes.
Rrugëtimi i Kinemasë “Lumbardhi”, nga themelimi e deri më sot, përfshin ngjarje dhe përjetime të rëndësishme:
- Nga një simbol i reformës shoqërore dhe kulturore në mesin e viteve ’50, në vendtakimin dhe shënjuesin e kujteses kolektive;
- Nëpër udhëtimin e vështirësuar nga rrethana politike e ekonomike, ku rrezikohej nga privatizimi rrënues e deri te ndërtimet privatizuese;
- E deri te triumfi i aktivizmit qytetar dhe i vlerave kulturore e shoqërore, kur u shpall aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe ruajti karakterin publik e kulturor.
Kësisoj, Kinema “Lumbardhi” dëshmoi se i përket komunitetit – mbi të gjitha, i përket Kulturës.
Rasti i kësaj kinemaje solli lindjen e një festivali me përmasa botërore dhe një mobilizimi qytetar për ta shpëtuar nga harresa dhe tjetërsimi.
Në vitin 2002, Kinema “Lumbardhi” u bë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest – ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë – duke i rihapur dyert për publikun.
Vendimi për rrënimin e kinemasë, i miratuar nga Komuna në vitin 2007, nxiti aktivizmin qytetar: përmes iniciativës së organizatave DokuFest dhe Ec Ma Ndryshe, me ç’rast u mblodhën 8 mijë nënshkrime për të ndalur rrënimin.
Një tjetër moment kyç ishte riangazhimi në vitin 2014, kur iniciativa përfshiu 57 organizata joqeveritare nga mbarë Kosova, të cilat u bashkuan për të ndalur procesin e privatizimit.
Kjo bëri të mundur shpalljen e Kinema “Lumbardhi” si aset i trashëgimisë kulturore, dhe themelimin e fondacionit “Lumbardhi” – një entitet që synon rijetësimin e kinemasë si institucion i pavarur kulturor, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë, por edhe duke zhvilluar një vizion të qartë që lidh si kohërat, ashtu edhe brezat.
Është kënaqësi e veçantë të jem sot në mesin e nismëtarëve që e kanë mbrojtur me përkushtim këtë institucion, dhe që së bashku po e festojmë këtë moment kthese, atë të shumëpritur, për fillimin e restaurimit dhe revitalizimit të plotë të Kinemasë “Lumbardhi”.
Më lejoni të falënderoj secilin e secilën që ka kontribuar në këtë rrugëtim, që kjo kinema të vazhdojë të jetë pikë gravitimi për kulturën dhe qytetin, një vend frymëzimi për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.
Më lejoni të falënderoj gjithashtu edhe të gjitha organizatat e ndryshme të cilat nuk i përmenda me emër, e të cilat e kanë ndërtuar atë rezistencë të suksesshme të aktivizmit qytetar në Kosovën e pasluftës.
Gjatë viteve të fundit, mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë thelbësore për zhvillimin e kulturës dhe artit. Në veçanti, në fushën e kinematografisë. Kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë për prodhimin e filmave dhe mbështetjen e kinemave. Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëprodhimi me disa shtete, duke krijuar mundësi shtesë financimi për kineastët tanë.
Sa i përket kinemave publike në Kosovë, përmes Ligjit për Kinematografi po krijojmë bazë ligjore që këto kinema të zhvillohen si hapësira të rëndësishme të ekosistemit kulturor në vendin tonë.
E posaçërisht për Kinemanë “Lumbardhi”, nga java e ardhshme fillojmë procesin e shumëpritur të restaurimit dhe të rijetësimit të saj, me një investim prej 1 milion euro. Ky institucion – ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore – do të vazhdojë edhe për dekada të jetë shtëpi e krijimtarisë kulturore dhe artistike, të punëtorive të ndryshme ku mblidhen edhe aktivistët edhe artistët, e ku takohen vlerat e së kaluarës me potencialin e së ardhmes.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që vit pas viti të rrisë mbështetjen për artin dhe trashëgiminë kulturore – si një nga shtyllat e zhvillimit kulturor, shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë.
Faleminderit të gjithëve për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e deritanishëm.
Ju dëshiroj mbrëmje të këndshme dhe frymëzuese!

















