Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025”

Prishtinë, 20 shkurt 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025” , organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, për të nderuar arritjet më të larta të sportit për vitin që lamë pas.

Duke nderuar përkushtimin, disiplinën dhe karakterin që sportistët tanë përfaqësojnë brenda dhe jashtë vendit, kryeministri Kurti tha se çdo medalje e juaja, të dashur kampionë, është dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm dhe e punës tuaj të pandalshme.

Në fjalën hyrëse, ai falënderoi të gjithë sportistët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm, për çdo stërvitje të hershme të mëngjesit dhe për çdo garë ku kanë ngritur flamurin e Kosovës dhe është dëgjuar himni i Kosovës me dinjitet.

“Gjatë viteve të fundit, së bashku, kemi punuar që sporti të zhvillohet në sistem dhe strukturë të qëndrueshme që mundëson zhvillim afatgjatë. Kemi rritur investimet kapitale dhe mbështetjen financiare, kemi forcuar kornizën ligjore dhe kemi zhvilluar programe konkrete që mbështesin sportistët dhe kemi vendosur standarde të qeverisjes së mirë brenda sektorit të sportit”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se investimi publik në sport është besim dhe përkushtim ndaj talentit tonë – dhe kjo kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe rezultate konkrete.

Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë projekt zhvillimor shtetëror që kërkojnë bashkëpunim dhe përkushtim nga të gjithë ne, andaj edhe përgatitja për to është angazhim serioz ndër-institucional dhe ndër-sektorial. Andaj, Qeveria do të vazhdojë të jetë partnere e fuqishme në këtë proces, si mbështetje e qëndrueshme për realizimin e suksesshëm të tyre.

Çmimin “Sportistja e Vitit” për herë të gjashtë e fitoi xhudistja Distria Krasniqi, kurse me çmimin “Sportisit iVitit” u nderuar xhudisti Akil Gjakova.

Kryeminsitri uroi secilën e secilin prej laureatëve të vitit, dhe u dëshiroi suksese të mëtutjeshme.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari z.Blerim Gashani, Ministër i Sportit dhe i Rininë,
I nderuari z. Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës,
I nderuari z. Iakovos Filippousis, sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare,
Të nderuar përfaqësues të lëvizjes olimpike dhe të komunitetit sportiv nga e gjithë bota,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik këtu në Republikën e Kosovës,
Shumë të dashur sportistë, ish-sportistë, trajnerë, komunitet sportiv i Kosovës,
Të dashur miq dhe të pranishëm,

Komiteti Olimpik i Kosovës na ka bërë bashkë sonte për të nderuar arritjet e larta të sportit tonë për vitin 2025.

Sonte nderojmë përkushtimin, disiplinën dhe karakterin që sportistët tanë përfaqësojnë brenda dhe jashtë vendit. Çdo medalje e juaja, të dashur kampionë, është dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm dhe e punës tuaj të pandalshme.

Andaj, më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për angazhimin tuaj të vazhdueshëm, për çdo stërvitje të hershme të mëngjesit që nuk keni munguar dhe për çdo garë ku keni ngritur flamurin e Kosovës dhe është dëgjuar himni i shtetit tonë me dinjitet. Faleminderit shumë!

Gjatë viteve të fundit, së bashku, kemi punuar që sporti të zhvillohet në sistem funksional dhe strukturë të qëndrueshme që mundëson zhvillim afatgjatë. Kemi rritur investimet kapitale dhe mbështetjen financiare, kemi forcuar kornizën ligjore dhe kemi zhvilluar programe konkrete që mbështesin sportistët si dhe kemi vendosur standarde të qeverisjes së mirë brenda sektorit të sportit.

Rruga që kemi nisur kërkon vazhdimësi dhe përkushtim edhe më të madh në vitet në vijim. Mbështetja për sportin do të vazhdojë, duke u shoqëruar me profesionalizëm, meritokraci dhe përgjegjësi të përbashkët. Investimi publik në sport është besim dhe përkushtim ndaj talentit tonë – dhe kjo kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe rezultate konkrete.

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë projekt zhvillimor shtetëror që kërkojnë bashkëpunim dhe përkushtim nga të gjithë ne pa dallim. Përgatitja për to është angazhim serioz ndër-institucional dhe ndër-sektorial. Andaj, Qeveria do të vazhdojë të jetë partnere e fuqishme në këtë proces, si mbështetje e qëndrueshme për realizimin e suksesshëm të tyre.

Urime secilës e secilit prej laureatëve të vitit që lamë pas! Sukseset tuaja mos u ndalshin asnjëherë.

Faleminderit shumë dhe gëzuar të gjithëve!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors