Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e 10-vjetorit të themelimit të institucionit shkollor Kosovo Leadership Academy dhe ceremoninë e diplomimit të nxënësve

Mitrovicë, 24 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e dyfishtë të institucionit shkollor Kosovo Leadership Academy, për 10- vjetorin e themelimit dhe ceremoninë e diplomimit të nxënësve.

Kosovo Leadership Academy në Mitrovicë u cilësua nga kryeministri Kurti si një shembull i ekselencës dhe parim qenësor i filozofisë së mësimdhënies, që nxjerr në pah kureshtjen, hulumtimin dhe përparimin.

“Me ambiente kaq të këndshme të cilat nxisin mësim dhe zhvillim, kureshtje dhe hulumtim, jeni vërtet shembull i ekselencës si parim qenësor i filozofisë së mësimdhënies këtu. Natyrisht, kur motoja e shkollës është “Mëso, jeto dhe prij shkëlqyeshëm”, progresi dhe suksesi nuk mungojnë. Kjo është në linjë të plotë edhe me vlerat dhe parimet që kemi si shtet, si shoqëri e ne si Qeveri, ato që vazhdojnë të na prijnë çdo ditë dhe në çdo mandat, si fanar ndriçues në detin e hapur të mundësive përpara”, tha ai.

Kryeministri Kurti nënvizoi se cilësia e edukimit, arsimit e shkollimit është synim qenësor i punës së Ministrisë së Arsimit, por edhe një detyrë e përbashkët e të gjithë neve. Ai i vuri theks të veçantë kontributit të Qeverisë në rritjen progresive të cilësisë së arsimit, që nga infrastruktura e deri te programet. 

“Brenda këtyre katër viteve të shkuara kemi ndërtuar e rinovuar shkolla e çerdhe, kemi rishikuar tekstet shkollore bazë, kemi bërë bashkë ristrukturimin e sistemit shkollor sipas nevojave, dhe shumëçka tjetër. Natyrisht puna nuk përfundon me kaq, dhe gjithsesi puna vazhdon”, u shpreh kryeministri.

Ndërkaq, të diplomuarve i uroi suksese dhe arritje në të gjitha sferat e jetës, duke theksuar se, ashtu siç është emri i shkollës, edhe ata janë prijës të dijes e progresit.

Në përmbyllje të fjalës, kryeministri shprehu se qyteti i Mitrovicës mbetet burim intelektual e akademik, me potencial të madh dhe perspektivë të ndritur, për të cilën garantoi mbështetjen e Qeverisë për ide të reja e inovative, në shërbimi të qytetarëve dhe vendit. 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuar Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, 
I nderuar Komandant i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani,
E nderuara Drejtore e Kosovo Leadership Academy, znj. Nadine Hennesey, 
I nderuar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, 
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar mësimdhënës, të dashur nxënës,
Zonja dhe zotërinj,

Mirë se ju gjej në këtë ditë të shënuar për shkollën tuaj. Sot kurorëzohet një gjeneratë e maturantëve që diplomojnë, 18-vjeçarë që bëhen gati për fazën e ardhshme të jetës së tyre, dhe tashmë si të rritur. Njëherësh shënoni 10 vjetorin e shkollës, një ditëlindje jubilare që meriton të festohet në mënyrë dinjitoze. 

Kosovo Leadership Academy është qendër tashmë e konsoliduar e mësimit dhe e dijes në zemër të Mitrovicës sonë. Me ambiente kaq të këndshme të cilat nxisin mësim dhe zhvillim, kureshtje dhe hulumtim, jeni vërtet shembull i ekselencës si parim qenësor i filozofisë së mësimdhënies këtu. Natyrisht, kur motoja e shkollës është “Mëso, jeto dhe prij shkëlqyeshëm”, progresi dhe suksesi nuk mungojnë. Kjo është në linjë të plotë edhe me vlerat dhe parimet që kemi si shtet, si shoqëri e ne si Qeveri, ato që vazhdojnë të na prijnë çdo ditë dhe në çdo mandat, si fanar ndriçues në detin e hapur të mundësive përpara.

Shkëlqimi nuk është i lehtë për t’u arritur; edhe më i vështirë për t’u ruajtur. Për të shkëlqyer kërkohet punë, studim dhe disiplinë – e njëjta gjë vlen për ju si nxënës, por edhe për ne si përfaqësues e udhëheqës të shtetit. Ja pse cilësia e vazhdueshme e edukimit, arsimit e shkollimit është edhe synim qenësor i punës së Ministrisë sonë së Arsimit. Ky proces, sa fisnik aq edhe sfidues, është në fakt detyrë e përbashkët e të gjithë neve: si prindër që dikur kemi qenë fëmijë, si profesionistë që kemi qenë nxënës e studentë, ashtu edhe si individë që sot jemi vendimmarrës e politikëbërës. 

Qeveria ka vënë theks të veçantë te rritja progresive e cilësisë së arsimit, që nga infrastruktura e deri te programet. Brenda këtyre katër viteve të shkuara  kemi ndërtuar e rinovuar shkolla e çerdhe, kemi rishikuar tekstet shkollore bazë, kemi bërë bashkë ristrukturimin e sistemit shkollor sipas nevojave, dhe shumëçka tjetër. Natyrisht puna nuk përfundon me kaq, dhe gjithsesi puna vazhdon. 

Të dashura maturante dhe maturantë që sot diplomoni, 

Jam i bindur se kjo akademi shkollore ju ka përgatitur për rrugëtimin tuaj si të rritur, qoftë për jetë studentore apo profesionale, cilëndo që e zgjidhni nga sot e tutje. Shpreh bindjen se të ardhmen do ta shtroni mbarë, me suksese e me arritje të shumta në të gjitha sferat e jetës. Ashtu siç është emri i shkollës Kosovo Leadership Academy, ashtu edhe ju jeni prijës të dijes e për progres.

Për fund, dua të shtoj se vërtet është krenari të kemi ngjarje të tilla në një qytet si Mitrovica, e cila aq shumë i dha Kosovës për dekada me radhë. Historikisht Mitrovica ka qenë në krye të lëvizjeve të ndryshme përparimtare, duke nxjerrë mendimtarë e atdhetarë që kanë dhënë kontribut patriotik, shkencor, kulturor e artistik. Para pak ditësh ishim po këtu në Mitrovicë në përvjetorin e IBCM-së, International Business College Mitrovica. Si kolegji i parë publik në Kosovë, tërësisht i mbështetur nga Qeveria jonë, IBCM po ashtu është në krye të progresit akademik me programe të pasura që përgatisin studentët për jetë dhe për punë. 

Sot shoh që tradita vazhdon: Mitrovica ende është burim intelektual e akademik, me potencial të madh dhe perspektivë të ndritur. Ju inkurajoj ta ruani këtë ritëm, duke ushqyer kureshtjen e duke zhvilluar kreativitetin në çdo fazë të jetës. Ne si Qeveri na keni përherë të gatshëm për të mbështetur ide të reja e inovative, në shërbimin tuaj, të popullit e të vendit tonë të dashur.

I përgëzoj maturantët për mbylljen e suksesshme të ciklit shkollor, dhe ju uroj suksese të mëtejshme në dekadat e ardhshme të shkollës suaj të nderuar!

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors