Prishtinë, 17 shtator 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në mëngjes në Ndërtesën e Qeverisë të rinjtë nga Kosova dhe vendet e rajonit, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Në kuadër të Procesit të Berlinit mbahet çdo vit edhe Forumi Rinor, që kësaj radhe për here të pare po mbahet në Prishtinë. Me këtë rast, kryeministri shprehu kënaqësinë që forumi po zhvillohet në Kosovë, duke e cilësuar si vendi i duhur për të rinjtë që të takohen, të zhvillojnë diskutime për të kaluarën dhe të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë.
Ai rikujtoi progresin në kuadër të Procesit të Berlinit dhe pesë marrëveshjet rajonale të nënshkruara në tri vitet e fundit që lehtësojnë lëvishmërinë, veçanërisht për studentët dhe punëtorët, duke veçuar “Marrëveshjen për Arsimin e Lartë” dhe “Njohjen e Profesioneve”. Ai shprehu kënaqësinë që të rinjtë nga Bosnja dhe Hercegovina nuk kanë pasur nevojë për vizë për të ardhur në Kosovë dhe theksoi se pengesa për të rinjtë e Kosovës që të udhëtojnë pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë duhet të hiqet.
Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për të krijuar mundësi për të rinjtë përmes arsimit publik falas, bursave dhe arsimit dual, si dhe rëndësinë e demokracisë, lirisë së medias dhe debatit të hapur. Ai inkurajoi të rinjtë të marrin pjesë në shkëmbime, aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe të mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit. “Me mendje të hapur dhe gatishmëri për të dëgjuar, mund t’i përballoni edhe debatet më të vështira dhe prapë të gjeni pika të përbashkëta” tha ai, duke u uruar forum produktiv dhe qëndrim të këndshëm në Prishtinë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i RYCO-së, z. Vladimir Obradović,
E nderuar Dardane, Drejtuese në Detyrë e Degës Lokale të RYCO-së në Kosovë,
E nderuar Donika, përfaqësuesja jonë në bordin e RYCO-së,
Të nderuar liderë të rinj,
Është kënaqësi e madhe t’ju mirëpres këtë mëngjes të vonë të verës në ndërtesën tonë të qeverisë, ku mund të zhvillojmë një diskutim gjithëpërfshirës dhe të hapur rreth së ardhmes sonë, por gjithashtu të flasim për çështje të rëndësishme brenda procesit të integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor me gjashtë vende. Ju ftoj të ndiheni të lirë dhe të komunikoni gjithashtu me disa nga përfaqësuesit e qeverisë që janë këtu. Kam dëgjuar se dje keni pasur mundësinë të takoheni me Kryetarin tonë të Parlamentit, por ekzekutivi është po aq i rëndësishëm.
Jam i lumtur që ju mikpres dhe kam mundësinë të flas me ju për punën e rëndësishme që po bëni për të bashkuar të rinjtë nga e gjithë rajoni ynë.
Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor – RYCO u frymëzua nga Zyra Rinore Franco-Gjermane, e cila u krijua gjashtëdhjetë vjet më parë për të promovuar pajtimin dhe miqësinë pas historisë së vështirë të Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtin frymë, RYCO nxit shkëmbime, programe të përbashkëta dhe projekte kulturore që bashkojnë të rinjtë nga të gjithë Ballkani Perëndimor.
Për këtë arsye, jam veçanërisht i kënaqur që Forumi Rinor i RYCO-së po mbahet për herë të parë në Kosovë. Besoj se ky është vendi i duhur që të rinjtë të mblidhen, të kenë diskutime të nevojshme dhe ndonjëherë të vështira për të kaluarën tonë, dhe të mendojnë së bashku se si të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët. Siç e dimë, nuk mund të ndryshojmë gjeografinë apo historinë, por padyshim mund të ndryshojmë të ardhmen tonë për më mirë.
Ju inkurajoj të vizitoni sa më shumë vende gjatë qëndrimit tuaj. Mësoni për historinë tonë, vëzhgoni realitetin e sotëm dhe përdorni këtë njohuri për të pasuruar debatet tuaja.
Ky Forum po mbahet paralel me ministerialet e Procesit të Berlinit, me Ministrialin Rinor që do të zhvillohet muajin tjetër në Tiranë. Më 22 tetor, do të mblidhemi në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit, ku do të vazhdojmë ndërtimin mbi progresin e bërë, me më shumë rezultate lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër.
Dhe kemi bërë progres. Në tre vitet e fundit, kemi nënshkruar pesë marrëveshje që heqin barrierat për lëvizshmëri, veçanërisht për të rinjtë. Një nga të parat ishte Marrëveshja mbi Institucionet e Arsimit të Lartë, e nënshkruar më 3 nëntor 2022, e cila redukton kohën dhe kostot për njohjen e diplomave dhe përshtat legjislacionin tonë me standardet e BE-së. Së bashku me Marrëveshjen për Njohjen e Ndërsjellë të Profesioneve, ato qëndrojnë në thelb të lëvizshmërisë së studentëve dhe punëtorëve.
Liria e lëvizjes është një e drejtë themelore. Jam i lumtur që të rinjve nga Bosnja dhe Hercegovina nuk iu është kërkuar të marrin viza për të hyrë në Kosovë. Fatkeqësisht, e njëjta gjë ende nuk vlen për të rinjtë tanë që dëshirojnë të udhëtojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, një pengesë që duhet të tejkalojmë.
Ne jemi një rajon i vogël. Për të zënë hapin me BE-në, ekonomitë tona kanë nevojë për rritje të fortë. BE-ja ka vendosur një objektiv ambicioz të 10% rritje vjetore për dekadën e ardhshme. Për ta arritur këtë, duhet të vazhdojmë të heqim barrierat si brenda vendeve tona ashtu edhe me BE-në. Ky është qëllimi i Planit të Rritjes së BE-së dhe Tregut të Përbashkët Rajonal.
Këtu në Kosovë, po bëjmë më të mirën për të krijuar mundësi, veçanërisht për të rinjtë – dhe i kemi shumë, mesatarja e moshës së popullsisë në Kosovë është 35 vjeç. Kemi bërë arsimin e lartë publik falas, kemi zgjeruar bursat, kemi avancuar arsimin dual në shkollat profesionale dhe përmes anëtarësimit tonë në Asociacionin Evropian të Kartës Rinore (EYCA) kemi ofruar mundësi për të rinjtë në të gjithë Evropën. Ne gjithashtu jemi të përkushtuar për të siguruar përfshirjen e grave të reja dhe komuniteteve minoritare në arsim dhe punësim.
Por duhet të jemi të vetëdijshëm që rritja ekonomike pa progres demokratik është e paplotë. Vetëm rritja nuk mund të sigurojë liri, drejtësi apo barazi. Kjo është arsyeja pse qëllimi ynë, dhe qëllimi juaj, duhet të jetë të ndërtojmë shoqëri ku institucionet e pavarura mbrojnë ligjin, ku qytetarët janë të mbrojtur nga arbitrariteti dhe ku çdo individ mund të ushtrojë të drejtat e tij/saj plotësisht.
Ne duhet të mbrojmë lirinë e medias, të sigurojmë debat të hapur dhe të kultivojmë një kulturë ku njerëzit janë të lirë të mendojnë dhe të flasin pa frikë. Me rritjen e rrjeteve sociale, përhapja e dezinformacionit është bërë një sfidë e madhe. Çdokush mund të postojë përmbajtje online pa verifikim, por demokracia varet nga qytetarët e informuar mirë. Prandaj është thelbësore që të rinjtë të mësojnë të kërkojnë burime të verifikuara dhe të besueshme të informacionit. Kjo është një nga detyrat më të mëdha të gjeneratës suaj.
Vizioni ynë për rajonin është i qartë. Ne kemi nevojë për bashkëpunim rajonal, por parakusht për këtë janë marrëdhëniet e mira fqinjësore. Jo vetëm sepse ato janë një kërkesë për anëtarësim në BE, që ne e synojmë, por sepse janë thelbësore për paqe dhe prosperitet.
Për këtë arsye, ju inkurajoj të angazhoheni në më shumë shkëmbime midis shkollave dhe universiteteve, më shumë aktivitete kulturore dhe sportive, dhe më shumë mundësi për të mësuar gjuhët e njëri-tjetrit. Sepse gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi; është gjithashtu çelësi për të kuptuar më thellë historinë dhe kulturën. Me mendje të hapur dhe gatishmëri për të dëgjuar, mund të përballoni edhe debatet më të vështira dhe prapë të gjeni pika të përbashkëta.
Me këtë mesazh, ju uroj një Forum produktiv, një qëndrim të këndshëm në Prishtinë dhe diskutime frytdhënëse.
Shijoni mëngjesin tuaj dhe ju falënderoj shumë.















