Kryeministri Kurti mirëpriti Menaxheren e re të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand

Prishtinë, 7 korrik 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pritën në një takim mirëseardhës, Menaxheren e re të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand.

Duke theksuar faktin se bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe Bankës Botërore është forcuar në vazhdimësi në katër vitet e fundit, kryeministri Kurti shprehu bindjen dhe gatishmërinë e tij për thellim dhe forcim të mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi nën udhëheqjen e znj. Megevand.

Ai rikonfirmoi përkushtimin e qeverisë për projektet e përbashkëta, përfshirë ato që po presin ratifikimin në parlament, ndër to edhe ai për themelimin e Bankës Zhvillimore, e cila do të bëhet me mbështetjen e Bankës Botërore.

Përkushtimi dhe angazhimi i qeverisë vërtetohet edhe nga vendimi për t’u bërë vend donator në Asociacionim Ndërkombëtar për Zhvillim – si një tregim suksesi i kalimit nga një shtet përfitues në një shtet donator.

Kryeministri Kurti tha se prioritet i përbashkët mbetet investimi në kapitalin njerëzor, mjedis, energji, transformim digjital, dhe në ngritjen e efikasitetit të zbatimit të projekteve, për çka do të bashkëpunojnë ngushtë me Bankën Botërore dhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën Botërore dhe për mbështetjen e Bankës Botërore ndaj Kosovës dhe rrugës saj për një zhvillim të qëndrueshëm.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors