Prishtinë, 20 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot anëtarët e grupit punues ndërshtetëror për rrugën Prizren-Tetovë, së bashku me zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri dhe zëvendësministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ky grup është në kuadër të mekanizmit të përbashkët teknik të krijuar ndërmjet dy shteteve për realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, lidhjen rrugore Prizren-Tetovë.
Takimi i sotëm shënon hap konkret drejt zbatimit të këtij projekti strategjik, i cili ka qenë pjesë e diskutimeve të vazhdueshme ndërmjet dy vendeve. Në takim u dha njoftimi se brenda një periudhë të shkurtër, pala e Maqedonisë së Veriut do të sigurojnë detyrën projektuese për segmentin Tetovë-Prizren, një zhvillim ky kyç që i hap rrugë hartimit të projektit dhe përgatitjes së standardeve të ndërtimit.
Gjatë ditës, paraprakisht grupi punues ka zhvilluar një takim pune kur kanë trajtuar në detaje pikat e detyrës projektuese, me qëllim që sa më shpejt të kalojnë në fazën e përcaktimit të kriteriumeve teknike dhe më pas në hapjen e procedurës së tenderimit për projektimin.
Ky ishte takimi i dytë zyrtar i grupit punues që nga themelimi i tij, dhe përfaqësuesit e të dy qeverive po punojnë me përkushtim dhe intensitet të lartë për të çuar përpara të gjitha procedurat e nevojshme. Bashkëpunimi dëshmon vullnetin e përbashkët politik dhe institucional për realizimin e këtij projekti që lidh qytetarët dhe forcon ekonomitë e dy vendeve.
Kryeministri Kurti falënderoi anëtarët e grupit punues ndërshtetëror për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre, dhe konfirmoi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për projektin e rrugës Prizren-Tetovë.












