Prishtinë, 11 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Dr. Cassie Barnhardt, profesore në Universitetin e Iowa, dhe Eli Gashi, përfaqësuese e Universitetit të Iowa në Kosovë dhe Specialiste e Arsimit të Lartë.
Dr. Barnhardt po qëndron në Kosovë për të eksploruar mundësitë për qëndrueshmërinë dhe zgjerimin e aktiviteteve akademike dhe bashkëpunimin me universitetet, institucionet qeveritare dhe partnerët e sektorit privat të Kosovës, duke përafruar programet e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës, mbështetjen e përvojave të studentëve dhe ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme.
Së bashku diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe institucioneve arsimore me Universitetin e Iowa-s. Ky universitet më herët ka zbatuar projekte të ndryshme partneriteti së bashku edhe me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, sektorin privat nga agrobiznesi dhe teknologjia.
Qendrat e karrierës, kërkimet shkencore dhe programet e bashkëpunimit, shkëmbimet studentore dhe ato të përvojës, diplomat e dyfishta midis universiteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, që do të sillnin njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe do të rrisnin mundësitë e punësimit, ishin disa nga temat e bisedës për të shqyrtuar potencialin për thellim të bashkëpunimit.
Kryeministri Kurti i falënderoi përfaqësueset e Universitetit të Iowa-s për bashkëbisedimin e frytshëm, duke shprehur vullnetin për bashkëpunim.




