Londër, 21 tetor 2025
Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, ku këtë vit nikoqire është Mbretëria e Bashkuar, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit për vizitë në institucionin prestigjioz britanik për siguri dhe mbrojtje “Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara” (Royal United Services Institute – RUSI), në një bashkëbisedim të organizuar nga ky institut së bashku me King’s College të Londrës. Gjatë ngjarjes, Kryeministri Kurti mbajti një fjalë hyrëse dhe iu përgjigj pyetjeve të pranishmëve, në mesin e të cilëve ishin edhe katër deputetë britanikë, profesorë universiteti dhe gazetarë të mediave.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Kurti falënderoi organizatorët e ngjarjes për mikpritjen dhe për mundësinë e këtij diskutimi të rëndësishëm në prag të Samitit të Procesit të Berlinit. Ai theksoi se siguria, zhvillimi, migrimi do të jenë kryetemat e këtij Samiti. Në vijim, Kryeministri nënvizoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i qëndrueshëm dhe mik i veçantë i Republikës së Kosovës, duke shtuar se prezenca britanike në rajonin tonë është jo vetëm e mirëpritur, por edhe e nevojshme.
Kryeministri foli edhe për progresin e Kosovës gjatë qeverisjes sonë. Ai theksoi se Kosova tashmë është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon. Sipas Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për sundimin e ligjit, ndërsa në indeksin e Transparency International është përmirësuar me 31 vende në luftën kundër korrupsionit. Rritja mesatare ekonomike në katër vitet e fundit ka qenë 6%, asnjëherë nën 4%, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara.
Kosova është aleate dhe kontribuese në NATO dhe e ardhmja jonë përket në BE dhe NATO. Në këtë drejtim i kemi katërfishuar shpenzimet për mbrojtje, të përqendruara në modernizim dhe sisteme të reja dhe kemi investuar në inovacion, arsim dhe partneritet, pasi duke e forcuar veten e forcojmë Aleancën që i përkasim, theksoi Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri foli për sigurinë në Evropë dhe luftën ilegale të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe pasojave shkatërruese për Ukrainën e që po i afrohet vitit të katërt. Kryeministri përmendi rastin e Viktoriia Roshchyna, gazetare ukrainase e kapur rob nga forcat ruse në gusht të vitit 2023 gjatë raportimit në rajonin e Zaporizhzhias. Ajo u mbajt në kushte të izolimit të plotë dhe, në shtator të vitit 2024, u deklarua e vdekur. Trupi i saj iu kthye Ukrainës pas marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve në shkurt të vitit 2025. Trupi i saj kishte shenja të torturës dhe trajtimit çnjerëzor, që pasqyrojnë modelet e dhunës sistematike ndaj të burgosurve të luftës ukrainas.
Kryeministri tha se robër të luftës ukrainas, të kapur nga Federata Ruse, tashmë janë mbajtur më gjatë se sa ai vetë kur u mbajt i burgosur politik nga regjimi i Serbisë nga viti 1999, për dy vjet e shtatë muaj. Kryeministri theksoi se, ndonëse vetë i mbijetoi dhunës, shumë qytetarë të Kosovës nuk patën të njëjtin fat. “Solidariteti i popullit tonë me popullin ukrainas është krejtësisht i natyrshëm: ai buron nga qëndresa dhe mbijetesa jonë”, tha ai, duke shtuar se e njëjta ndjenjë solidariteti dhe mbështetje ndërkombëtare lidh Kosovën me popullin e Ukrainës në luftën e tyre për drejtësi dhe të drejta universale.
Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara është qendër studimesh ndër më të vjetrat në botë dhe më e madhja në Mbretërinë e Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ajo ka si objektiv të informojë, të ndikojë dhe të forcojë debatin publik për të ndihmuar në ndërtimin e një bote më të sigurt dhe më të qëndrueshme.




























