Letnicë, 15 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në meshën solemne me rastin e kremtimit të festës së Zojës së Bekuar, që u mbajt në shenjtëroren e Ipeshkvisë së Kosovës në Letnicë, të komunës së Vitisë.
Në këtë ditë kremteje, kryeministri e cilësoi Letnicën si vend lutjeje dhe bashkimi për të gjithë njerëzit, një vend ku gjendet qetësia shpirtërore, duke theksuar se para kësaj trupore janë përkulur breza të tërë, pa dallim feje apo kombi, apo krahine – kroatë, shqiptarë katolikë e myslimanë, shkupjanë e shkodranë, romë, ortodoksë serbë e maqedonas, agnostikë, ateistë dhe shumë të tjerë – për t’u lutur me përulësi.
Ai tha se famullia e Letnicës është një pasuri e madhe historike për Kosovën dhe më gjerë, derisa potencoi se bartja e trupores së “Zonjës së Bekuar”, nga Shkupi dhe vendosja e saj në Letnicë, aty ku ndodhet edhe sot, u bë simbol i bashkimit, shpresës dhe besimit të palëkundur.
Sot nuk jemi thjesht pjesëmarrës në një festë, tha më tej ai, por jemi pjesë e një familjeje të madhe shpirtërore, të bashkuar në Letnicë nga dashuria për Zojën Mari, Nënën e Jezusit. Andaj, tha se nga ky vend duhet të lëshojmë një thirrje të përhershme për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit.
“Zoti e bekoftë Letnicën, dhe ndërmjetësinë e Zojës së Madhe, Kosovën tonë dhe të gjithë ata që me besim të plotë vizitojnë këtë tokë të shenjtë. Amen”, tha në fund të fjalës kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I dashur ipeshkëv, imzot Dodë Gjergji,
Arqipeshkv i Tiranës e Durrësit, Arian Doda, vëllai ynë,
I nderuar Komandant i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani,
I nderuar Kryetar i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti,
I nderuar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi,
Të nderuar zyrtarë e oficerë, ushtarë e policë,
Të nderuar meshtarë dhe murgesha,
Të dashur motra dhe vëllezër,
Të dashur pelegrinë të ardhur nga të gjitha trojet tona,
Si çdo vit, edhe këtë vit jemi mbledhur në shenjtëroren e Ipeshkvisë së Kosovës në Letnicë për të kremtuar Festën e Zojës së Bekuar. Para kësaj trupore janë përkulur breza të tërë, pa dallim feje apo kombi, apo krahine – kroatë, shqiptarë katolikë e myslimanë, shkupjanë e shkodranë, romë, ortodoksë serbë e maqedonas, agnostikë, ateistë dhe shumë të tjerë – për t’u lutur me përulësi. Letnica është vend lutjeje dhe bashkimi për të gjithë njerëzit, një vend ku gjendet qetësia shpirtërore.
Famullia e Letnicës është një pasuri e madhe historike për Kosovën dhe më gjerë. Qysh në shekullin XIV, këtu kishin ardhur Saksonët nga Gjermania dhe kroatët nga Raguza për të punuar në minierën e Shasharës, e cila ndodhet në kodrat e Letnicës. Historikisht, famullia e Letnicës përfshinte disa fshatra si Letnica, Shashare, Vernakolla, Stublla, Lubishta, Binça e të tjerë. Ky vend nuk është i shenjtë vetëm për Zonën e Karadakut, po për gjithë Evropën Juglindore dhe për të gjitha religjionet dhe konfesionet që kanë bashkëjetuar këtu për shekuj me radhë.
Gjatë luftërave midis perandorive austro-hungareze dhe otomane në fund të shekullit XVII, Shkupi u dogj pothuajse tërësisht. Në Shkup ndodhej katedralja e Zojës Mari, ku ruhej një skulpturë artistike prej druri që paraqiste Marinë me Jezusin në njërën dorë dhe një mollë në tjetrën. Besimtarët katolikë nuk donin që kjo trupore të shkatërrohej, prandaj e strehuan përkohësisht në Kartovë, dhe më pas e vendosën përfundimisht në Letnicë, këtu ku ndodhet edhe sot. Kjo trupore u bë simbol i bashkimit, shpresës dhe besimit të palëkundur.
Në atë kohë rol kyç për transferimin e truporës së Zojës në Letnicë e kishte Dom Toma Raspasani në shekullin XVII, i lindur në Letnicë dhe bashkëkohanik i Pjetër Bogdanit. Ai ishte udhëheqës i kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane dhe, më pas, u detyrua të shpërngulet bashkë me besimtarët në Transilvani dhe në Hungari.
Poeti ynë nga Shkupi, dom Ndue Bytyçi, shkroi poezinë/këngën që i kushtohet Zonjes Letnicë me titull “N’ Cërnagore kem nji Nanë”, e cila është e vetmja këngë burimore kishtare shqiptare në Kosovë dhe e cila këndohet me përkushtim nga besimtarët tanë. Nga kjo Nënë e Letnicës, lindi një Nënë e Botës – Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Shën Nënë Tereza. Këtu, në këtë vend të shenjtë, ajo ndjeu thirrjen hyjnore për t’ia kushtuar jetën Zotit dhe për t’u bërë shërbëtore e të varfërve dhe të braktisurve. Nga ky altar nisi një mision që ndriçoi kontinentet dhe preku shumë miliona jetë. Gonxhen e pagëzoi dom Zef Ramaj, i lindur në Stubëll, atëherë pjesë e famullisë së Letnicës. Ai ishte famullitar dhe mësues në Shkup, dhe një zë i fuqishëm për informimin e Evropës mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Nga raportet e dom Zefit dhe imzot Lazër Mjedës, Leo Freundlich nxori shumë nga materialet e tij për librin e mirënjohur “Golgota shqiptare”.
Letnica ishte gjithashtu vend shpëtimi për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Emra të njohur si Shaul Gattenyo, Erica Weingruber, Albert Mussafia dhe të tjerë u strehuan këtu. Famullitari i Letnicës, patër Paulini, dhe famullitari i Stubllës, dom Bllagoja, falsifikonin pasaporta për hebrenjtë për t’ua shpëtuar jetën atyre.
Në vitin 1992, rreth 5,500 kroatë u detyruan të largoheshin drejt Kroacisë nga presioni i padrejtë që u ushtrua mbi ta në Janjevë, Letnicë, Vernakollë e Vërnez. Por zemrat e tyre mbetën të lidhura me këtë vend. Shumë prej tyre kthehen çdo vit në këtë ditë feste për t’i bashkuar lutjet tona të përbashkëta, ashtu siç kishin vepruar paraardhësit tanë.
Të dashura motra e vëllezër,
Sot nuk jemi thjesht pjesëmarrës në një festë, jemi pjesë e një familje të madhe shpirtërore, të bashkuar në Letnicë nga dashuria për Zojën Mari, Nënën e Jezusit. Nga ky vend duhet të lëshojmë një thirrje të përhershme për paqe, për pajtim dhe për hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit.
Të shkojmë në shtëpitë tona nga kjo festë me zemra të mbushura me dashuri, besim dhe shpresë, si dhe me vendosmërinë për ta përçuar këtë dashuri në familjet tona, te fqinjët dhe te çdo njeri që ka nevojë.
Në këtë ditë nuk ka dallime feje apo kombësie, ka vetëm zemra që luten, shpresa që ringjallen dhe falënderim për të gjitha bekimet që kemi marrë.
Zoti e bekoftë Letnicën, dhe ndërmjetësinë e Zojës së Madhe, Kosovën tonë dhe të gjithë ata që me besim të plotë vizitojnë këtë tokë të shenjtë. Amen.
Neka Bog, po zagovoru Velike Gospe, blagoslovi Letnicu, naše Kosovo i sve one koji s punom vjerom posjećuju ovu svetu zemlju. Amen.
May God bless Letnica, through the intercession of Our Lady of the Assumption, our Kosova, and all those who visit this holy land with full faith. Amen.
Ju faleminderit!





































