Kryeministri Kurti merr pjesë në hapjen e fushatës sensibilizuese kundër Kancerit të Gjirit

Prishtinë, 2 tetor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e fushatës sensibilizuese kundër Kancerit të Gjirit, me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, që u organizua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Kryeministri Kurti në fjalën hyrëse të tij tha se muaji i vetëdijësimit për kancerin e gjirit është fushatë vjetore ndërkombëtare, që synon edukimin për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe burrat në të gjithë botën.

“Motoja e fushatës këtë vit është “Me ty fillon parandalimi!”, një mesazh i qartë pra që tregon se secili nga ne ka një rol të rëndësishëm. Me vetëdijësimin dhe me informimin e saktë mbi kujdesin për shëndetin tonë, me vetëkontroll dhe me kontrolle të rregullta mjekësore, ne e bëjmë hapin vendimtar drejt zbulimit të hershëm të sëmundjes dhe shpëtimit të jetës”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se të dhënat tregojnë se në botë çdo vit diagnostikohen mbi 2.3 milionë raste të reja dhe humben rreth 670 mijë jetë nga kanceri i gjirit. Ai tha se në Kosovë, vetëm në vitin 2024, janë regjistruar 640 raste të reja, shumica gra, por edhe burra, dhe se ky realitet na obligon që kanceri i gjirit të trajtohet si prioritet kombëtar shëndetësor.

Për këtë qëllim, kryeministri Kurti tha se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me IKShPK dhe institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet, ka përgatitur një program të gjerë aktivitetesh gjatë gjithë muajit tetor: nga informimi i qytetarëve në sheshe dhe shkolla, te ligjëratat për komunitete të ndryshme, organizimi i mamografisë mobile gjatë tërë muajit në komunat ku nuk ka mamograf, deri te emisionet edukative në platforma digjitale dhe takimet me gratë që e kanë mposhtur luftën me kancerin.

Më tej, kryeministri theksoi se është investuar në pajisje të teknologjisë së fundit, në infrastrukturë moderne dhe personel të specializuar për trajtim më cilësor, derisa nga fundi i tetorit të vitit 2024, mamografitë dhe rikonstruktimi i gjirit janë falas përherë në institucionet publike në Kosovë.

Për herë të parë është hartuar dhe Plani Kombëtar i Skriningut për Kancerin e Gjirit 2026-2028, plan ky që do të mundësojë qasje më të organizuar, më të drejtë dhe më të barabartë në shërbime për të gjitha gratë, duke siguruar diagnostikim të hershëm, dhe më shumë jetë të shpëtuara.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo ngjarje është një nismë që synon ndërgjegjësimin për një sëmundje që prek mijëra gra çdo vit, pa përjashtuar edhe burrat, por që me diagonstikim të hershëm mund të mposhtet. Ai tha se vetëkontrolli, kontrollet e shpeshta në rastet e dyshimeve si dhe mamografia, janë shumë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje për parandalimin dhe shërimin e saj.

Më tej ministri theksoi se me investimet në Klinikën e Onkologjisë, tashmë kapacitetet e shtretërve janë dyfishuar, hapësirat janë riorganizuar dhe modernizuar, duke ofruar kushte shumë më të mira për pacientët.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Arben Vitia, ministër në detyrë i Shëndetësisë,
E nderuara znj. Nafije Latifi, drejtore e “JetaVita”,
Të nderuara zëvendësministre, Dafina Gexha Bunjaku dhe Liza Gashi,
E nderuara znj. Mimoza Kusari Lila, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të ShSKUK-së dhe institucioneve të tjera, të IKShPK-së, aktivistë të shoqërisë civile, të organizatave joqeveritare dhe media,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi të bashkuar sot për të hapur muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, muajin rozë.

Muaji i vetëdijësimit për kancerin e gjirit është fushatë vjetore ndërkombëtare, që synon edukimin për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe burrat në të gjithë botën.

Motoja e fushatës këtë vit është “Me ty fillon parandalimi!”, një mesazh i qartë pra që tregon se secili nga ne ka një rol të rëndësishëm. Me vetëdijësimin dhe me informimin e saktë mbi kujdesin për shëndetin tonë, me vetëkontroll dhe me kontrolle të rregullta mjekësore, ne e bëjmë hapin vendimtar drejt zbulimit të hershëm të sëmundjes dhe shpëtimit të jetës.

Të dhënat flasin se në botë çdo vit diagnostikohen mbi 2.3 milionë raste të reja dhe humben 670 mijë jetë nga kanceri i gjirit. Në Kosovë, vetëm në vitin 2024, janë regjistruar 640 raste të reja, shumica gra, por edhe raste të burrave. Ky realitet na obligon që kanceri i gjirit të trajtohet si prioritet kombëtar shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet, ka përgatitur një program të gjerë aktivitetesh gjatë gjithë muajit tetor: nga informimi i qytetarëve në sheshe dhe shkolla, te ligjëratat për komunitete të ndryshme, organizimi i mamografisë mobile gjatë tërë muajit në komunat ku nuk ka mamograf e deri tek emisionet edukative në platforma digjitale dhe takimet me gratë, të cilat e kanë mposhtur kancerin me luftë të përditshme.

Siç i theksoj edhe ministri Arben Vitia, Ministria e Shëndetësisë e ka zgjeruar listën e barnave esenciale, e ka lehtësuar qasjen në kontrolle dhe mamografi për diagnostikim të hershëm dhe efektiv.

Është investuar edhe në pajisje të teknologjisë së fundit, në infrastrukturë moderne dhe personel të specializuar për trajtim më cilësor. Nga fundi i tetorit të vitit 2024, mamografitë dhe rikonstruktimi i gjirit janë falas përherë në institucionet publike në Kosovë.

Përveç shumë punëve të tjera, Kosova, për herë të parë, ka hartuar Planin Kombëtar të Skriningut për Kancerin e Gjirit 2026-2028. Ky plan do të mundësojë qasje më të organizuar, më të drejtë dhe më të barabartë në shërbime për të gjitha gratë, duke siguruar diagnostikim të hershëm, dhe për rrjedhojë, më shumë jetë të shpëtuara.

Të nderuara të pranishme,

Kjo fushatë nuk është vetëm e institucioneve, është e të gjithë neve, e secilës dhe secilit prej nesh. Vetëm të bashkuar si shoqëri mund të ndryshojmë statistikat dhe të shpëtojmë jetë, të shpëtojmë më shumë jetë. Le të mos e kufizojmë këtë fushatë vetëm në tetor, por ta shndërrojmë çdo muaj të vitit në muaj të kujdesit, të solidaritetit dhe të angazhimit të përbashkët për të parandaluar kancerin e gjirit.

Ju faleminderit për kontributin dhe vëmendjen.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors