Prishtinë, 20 qershor 2025
Nën organizimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, sot u mbajt konferenca në shënim të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, ngjarje kjo në të cilën mori pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Krahas tij, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministri në detyrë i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Veton Berisha, si dhe përfaqësues tjerë të komunitetit egjiptian nga nivelin komunal dhe shoqëria civile.
“Komuniteti egjiptian i Kosovës, i cili për dekada është përballur me paragjykim, përulje dhe harresë, nuk është vetëm pjesë e mozaikut tonë shoqëror. Ai është një gur i themelit të shoqërisë që duam të ndërtojmë: shoqëri të barabartë, të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe që ndjenë për njëri–tjetrin. Nga patriotët si dëshmori Xhevdet Hoti, e deri tek burrështetasit nënshkrues të deklaratës së pavarësisë si Xhevdet Neziraj, pa harruar emra të tjerë të dalluar, unë jam krenar që kam bashkëpunëtorë e miq nga ky komunitet, të cilët janë të ndershëm e punëtorë, besnik dhe gjithsesi kontribues për Republikën tonë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti. Ai shtoi se komuniteti egjiptian, për shumë gjatë, ka qenë tregues i integrimit në shoqërinë tonë, por edhe shembull i kontributit të vazhdueshëm.
Në kuadër të parimeve të qeverisjes, si ndër parimet bazë kryeministri përmendi mbështetjen ndaj komuniteteve joshumicë. Ai theksoi se gjatë mandatit qeverisës janë ndarë fonde për investime kapitale për projekte të e cilat përmirësojnë infrastrukturën në lagje e fshatra, për financimin e ndërtimit të shtëpive e për kuzhina popullore. Veçanërisht, potencoi ndarjen e bursave për të rinjtë, duke shtuar se kanë asistuar në punësimin e tyre duke tentuar që të kemi shpërndarje të barabartë dhe të japim mundësi të njëjta për komunitetet joshumicë.
“Për rrëfimin e këtij komuniteti, për rrethanat e kësaj shoqërie, që janë në secilën etapë krah nesh për të ndarë të keqen bashkë, mirëpo, fatkeqësisht jo gjithherë për të përjetuar edhe të mirat së bashku. Për këtë, në emër të shumicës shqiptare, jo vetëm si kryeministër në detyrë, do të bëjë më shumë, në secilën ditë dhe jo vetëm për 24 qershor”, tha kryeministri Kurti teksa falënderoi komunitetin egjiptian për kontributin e jashtëzakonshëm në progresin dhe zhvillimin e vendit tonë dhe u uroi Ditën e tyre Memoriale.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut,
I nderuari z. Elbert Krasniqi, ministër në detyrë i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal,
I nderuari z. Veton Berisha, deputet i Republikës së Kosovës,
Të nderuar kolegë nga kryeministria dhe qeveria,
Të nderuar përfaqësues nga institucionet qendrore dhe komunale si dhe nga shoqëria civile,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Më 24 qershor, në Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian, ndërgjegjja jonë si anëtarë të një shumice etnike shqiptare, si kurrë më parë na fton të mos harrojmë. Për të kujtuar, për të kuptuar, për të parë pas vetes, por edhe për të parë përreth nesh.
Për rrëfimin e këtij komuniteti, për rrethanat e kësaj shoqërie, që janë në secilën etapë krah nesh për të ndarë të keqen bashkë, mirëpo, fatkeqësisht jo gjithherë për të përjetuar edhe të mirat së bashku. Për këtë, në emër të shumicës shqiptare, jo vetëm si kryeministër në detyrë, do të bëjë më shumë, në secilën ditë dhe jo vetëm për 24 qershor.
Komuniteti egjiptian i Kosovës, i cili për dekada është përballur me paragjykim, përulje dhe harresë, nuk është vetëm pjesë e mozaikut tonë shoqëror. Ai është një gur i themelit të shoqërisë që duam të ndërtojmë: shoqëri të barabartë, të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe që ndjenë për njëri–tjetrin.
Nga patriotët si dëshmori Xhevdet Hoti, e deri tek burrështetasit nënshkrues të deklaratës së pavarësisë si Xhevdet Neziraj, pa harruar emra të tjerë të dalluar, unë jam krenar që kam bashkëpunëtorë e miq nga ky komunitet, të cilët janë të ndershëm e punëtorë, besnik dhe gjithsesi kontribues për Republikën tonë të përbashkët.
Komuniteti egjiptian, për shumë gjatë, ka qenë tregues i integrimit në shoqërinë tonë, por edhe shembull i kontributit të vazhdueshëm. Përkundër kësaj, komuniteti egjiptian ka qenë edhe tregim pa dëgjues, pjesë e historisë sonë, por disi jashtë rrëfimit ngase asnjëherë nuk është tentuar të trajtohet pikëpamja e tyre, edhe vetëm për një pikë, nga pamja e tyre.
E them gjithmonë, një nga vendimet më të mira që kam marrë është emërimi i Elbertit si ministër, jo vetëm si person por si përkatësi, ngase i kemi dhënë apo s’paku kemi tentuar t’i japim trajtim të denjë një përfaqësuesi nga një komunitet i anashkaluar.
Gjatë mandatit tonë ne kemi ndarë fonde për investime kapitale për projekte të cilat përmirësojnë infrastrukturën në lagje e fshatra, kemi financuar ndërtimin e shtëpive e kemi mbështetur kuzhina popullore.
Kemi ndarë bursa për të rinjtë dhe kemi asistuar në punësimin e tyre duke tentuar që të kemi shpërndarje të barabartë dhe të japim mundësi të njëjta për komunitetet joshumicë.
Pra, nuk kemi lënë asnjë sektorë pa prekur dhe asnjë familje nga komuniteti pa mbështetur, ky ka qenë parimi ynë bazë qeverisës. Andaj, për t’i dhënë kuptimin e duhur ditës së komunitetit egjiptian ne duhet të bashkëjetojmë, e të bashkëpunojmë, e të bashkëqeverisim, e të bashkëveprojmë në secilën ditë të çdo muaji për shumë e shumë vite në vijim, duke dëshmuar se Kosova është shtet me përbërje multikulturore dhe multietnike e se shoqëria jonë i përket të gjithëve, pra secilit njësoj.
Ju faleminderit për kontributin e jashtëzakonshëm në progresin dhe zhvillimin e vendit tonë dhe urime të gjithëve Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian!




























