Pejë, 1 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sonte mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e kremtimit të ditëlindjes së 90-të të Ambasadorit William Walker, e cila u mbajt në qytetin e Pejës.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se është nder dhe kënaqësi të jemi sonte bashkë, për hir të Ambasadorit William Walker.
“Walker ishte dhe është zëri i së vërtetës për kombin tonë, për shtetin tonë, në çdo situatë e jo vetëm në atë ditë vendimtare të 15 janarit të vitit 1999; kur iu kundërvu fuqishëm propagandës së Serbisë, duke thënë që në Reçak ka ndodhur krime kundër njerëzimit dhe ai ishte momenti kur u ndërgjegjësua, e u vetëdijesua edhe diplomacia ndërkombëtare edhe opinioni publik botëror dhe vendimtar për atë që pasoi — ndërhyrja e NATO-s për ta ndaluar gjenocidin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës”, u shpreh kryeministri.
Ai i uroi ambasadorit Walker shumë dashuri dhe lumturi nëpër shumë dekada, dhe e falënderoi për gjithçka që ka bërë për vendin dhe popullin tonë dhe që vazhdon të kthehet e ta vizitojë Kosovën tonë të dashur.
Fjala dhe urimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Mirëmbrëma të gjithëve,
Është nder dhe kënaqësi të jemi sonte bashkë, për hir të Ambasadorit William Walker, i cili e feston ditëlindjen e tij të 90-të. Urime ditëlindja, Ambasador Walker!
Sot, është edhe dita ndërkombëtare e fëmijëve. Në njërën anë festojmë për fëmijët, mirëqenien e të drejtat e tyre, e në anën tjetër, në një moshë të shtyrë e festojmë edhe ditëlindjen e ambasadorit Walker, i cili ishte dhe është zëri i së vërtetës për kombin tonë, për shtetin tonë, në çdo situatë e jo vetëm në atë ditë vendimtare të 15 janarit të vitit 1999; kur iu kundërvu fuqishëm propagandës së Serbisë, duke thënë që në Reçak ka ndodhur krime kundër njerëzimit dhe ai ishte momenti kur u ndërgjegjësua, e u vetëdijesua edhe diplomacia ndërkombëtare edhe opinioni publik botëror dhe vendimtar për atë që pasoi – ndërhyrja e NATO-s për ta ndaluar gjenocidin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës.
Faleminderit shumë ambasador Walker!
Në vjeshtë më saktësisht bëhen 27 vjet prej se njihem me ambasadorin Walker, asokohe ambasadori Walker përfaqësonte OSBE-në, Organizatën Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim, unë isha sekretar i bacës Adem, Adem Demaçit, si përfaqësues politik i UÇK-së, dhe në atë vjeshtë ka qenë takimi ynë i parë. Unë prej atëherë kam ndryshuar jo pak, por siç mund ta shihni ky s’ka ndryshuar aspak. Nuk e di si ia bën, por e ka ndalur kohën për vetën e tij, andaj qysh jemi mbledhur sonte për 90-të vjetorin e tij, do të mblidhemi edhe për 100-vjetorin e tij e më shumë se aq.
I wish you lots of love and happiness in many decades to come here, ambassador Walker!
Thank you very much for everything you’ve done and for keeping coming back to our beloved Kosova.
Thank you!
Faleminderit e urime edhe një herë!









