Prishtinë, 30 janar 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u mirëpritën sot në Odën e Mjekëve, ku zhvilluan një takim me drejtuesit e kësaj organizate: Kryetarin e Odës, Dr. Plaurat Sejdiu, nënkryetarët Dr. Naser Gjonbalaj, Dr. Lauras Idrizi dhe Dr. Rrezart Halili, Kryetarin e Këshillit Drejtues, Dr. Faik Shatri, si dhe kolegë të tjerë.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Vitia u njoftuan rreth punës, sfidave, rezultateve dhe objektivave të Odës së Mjekëve. Ndër të tjerash, u theksua lajmi i mirë se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve nga vendi, dhe të numrit të kërkesave për shërim jashtë vendit. Gjithashtu, u theksua fakti se nga afër 5500 mjekë të licencuar nga Oda e Mjekëve, 150 janë nga komunitetet joshumicë, ndërkaq, në gjashtë muajt e fundit janë licencuar rreth 50 mjekë të komunitetit joshumicë serb, duke u inkorporuar kështu në sistemin tonë të shëndetësisë.
Kryeministri shprehu falënderimin e tij për mikpritjen dhe angazhimin e Odës, si dhe mirënjohjen për kontributin në mbarëvajtjen e sistemit shëndetësor në përgjithësi. Njëkohësisht, ai dha mbështetjen e pakursyer për Odën e Mjekëve.
Ministri Vitia nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Odave dhe Ministrisë së Shëndetësisë në drejtim të zhvillimit profesional të profesionistëve shëndetësorë dhe për shërbime sa më të mira për qytetarët tanë.
Drejtuesit e Odës së Mjekëve falënderuan kryeministrin Kurti për vizitën, të parën nga një kryeministër, siç veçuan, dhe shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për partneritet të ngushtë për zhvillimin e sistemit të shëndetësisë dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të sistemit publik shëndetësor.








