Prishtinë, 29 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, anëtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe familjarë të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë, ka bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
“1584 njerëz të vendit tonë ende mungojnë. Fati i tyre duhet të zbardhet sa më parë dhe për këtë, institucionet e shtetit tonë po bëjnë maksimumin. Në vitin e kaluar kemi gërmuar e gjurmuar në 23 lokacione të ndryshme, ndërkaq sivjet kemi pasur 18 aktivitete për hulumtim e për kërkim të mbetjeve mortore të më të dashurve tanë, të cilët i vrau Serbia dhe jo vetëm që i zhvarrosi, por edhe ua rrëmbeu kufomat. Në anën tjetër, gërmimet në Kozhle të Serbisë nuk kanë filluar ende, ndërkaq në Batajnicë afër Beogradit, nuk kanë rifilluar ende, paçka se u bënë dy vjet që ne e kemi edhe Marrëveshjen e Brukselit edhe Deklaratën përkatëse për këtë çështje. Mohimi i drejtësisë ndaj viktimave tona të luftës së fundit, në fakt paraprihet nga mohimi i krimeve të kryera nga Serbia, që e bën Beogradi zyrtar”, u shpreh kryeministri.
Ai falënderoi partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që po na japin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, dhe kërkoi nga ata që të bëjnë më shumë trysni mbi pushtetin në Beograd, sepse në arkivat e tyre dhe tek zyrtarët e tyre ndodhet edhe e vërteta, që nuk po zbardhet, por njëkohësisht edhe përgjegjësia për atë çfarë na ka ndodhur neve si palë që e pësoi gjenocidin e fundit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Prononcimi i Kryeministrit Kurti:
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, bashkë me presidenten e Republikës, kryetarin e Kuvendit, përkulemi para monumentit këtu afër institucioneve të shtetit, që i dedikohet personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës e nën okupim të Serbisë.
1584 njerëz të vendit tonë ende mungojnë. Fati i tyre duhet të zbardhet sa më parë dhe për këtë, institucionet e shtetit tonë po bëjnë maksimumin.
Kësisoj, në vitin e kaluar kemi gërmuar e gjurmuar në 23 lokacione të ndryshme, ndërkaq sivjet kemi pasur 18 aktivitete për hulumtim e për kërkim të mbetjeve mortore të më të dashurve tanë, të cilët i vrau Serbia dhe jo vetëm që i zhvarrosi, por edhe ua rrëmbeu kufomat. Në anën tjetër, gërmimet në Kozhle të Serbisë nuk kanë filluar ende, ndërkaq në Batajnicë afër Beogradit, nuk kanë rifilluar ende, paçka se u bënë dy vjet që ne e kemi edhe Marrëveshjen e Brukselit edhe Deklaratën përkatëse për këtë çështje.
Mohimi i drejtësisë ndaj viktimave tona të luftës së fundit, në fakt paraprihet nga mohimi i krimeve të kryera nga Serbia, që e bën Beogradi zyrtar.
Andaj, në njërën anë ne i falënderojmë partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që po na japin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve edhe sa i përket mbështetjes profesionale edhe sa i përket asaj teknologjike, por njëkohësisht kërkojmë nga ta, që të bëjnë më shumë trysni mbi pushtetin në Beograd, sepse në arkivat e tyre dhe te zyrtarët e tyre ndodhet edhe e vërteta që nuk po zbardhet, por njëkohësisht edhe përgjegjësia për atë çfarë na ka ndodhur neve si palë që e pësoi gjenocidin e fundit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.






