Prishtinë, 12 qershor 2025
Në shënim të 26-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, në kuadër të agjendës shtetërore, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot, së bashku me zëvendëskryeministren në detyrë, Donika Gërvalla dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe pranë varrit të ish-Presidentit Ibrahim Rugova, varrit të veprimtarit, Adem Demaçi dhe varrezave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
“Jemi këtu bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrin e punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ditës kur filloi paqja në vendin tonë e për popullin tonë, për të vënë lule të freskëta te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, një kontribues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi, gjatë gjithë viteve të ’90-ta dhe më pas”, deklaroi kryeministri pas homazheve dhe nderimeve te varri i ish-presidentit Rugova.
Pas homazheve te varri i veprimtarit Adem Demaçi, simbolit të rezistencës, Nelson Mandellës së shqiptarisë e të Evropës, siç e quajti kryeministri Kurti, ai tha: “Sot në ditën e çlirimit dhe të paqes vumë lule të freskëta edhe te varri i bacës Adem, si simbol i rezistencës tonë, dhe gjithashtu si një veprimtar i paepur i cili nuk u kursye asnjëherë dhe dha gjithçka për më të mirën, e më të mbarën e vendit tonë, e të popullit tonë”.
Ndërkaq nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ai tha: “Sa herë që vjen 12 Qershori, rikthehemi në Prekaz, në këtë vend që paraqet kryeqytetin e kryengritjes sonë, në këtë vend të familjes së jashtëzakonshme Jashari, aq të jashtëzakonshme saqë të papërsëritshme dhe të kryekomandantit Adem Jashari, kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte bartëse e procesit të lirisë, që para 26 vjetëve u shoqërua edhe me ndërhyrjen e avionëve të NATO-s, kundër Serbisë armike, agresore, pushtuese, okupatore dhe sidomos shoviniste anti-shqiptare”.
Kryeministri u shpreh se me 12 Qershor, jemi përplot krenari për të arriturat tona, për shtetin e lirinë që gëzojmë, por njëkohësisht edhe me mall e pikëllim për ata bij e bija që nuk janë në mesin tonë, e ishin më të mirët sepse u sakrifikuan, e u flijuan për çlirimin e vendit dhe për lirinë e popullit.
Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar dita e çlirimit dhe e paqes. Lavdi të gjithë dëshmorëve, martirëve të kombit, të gjithë veprimtarëve, udhëheqësve politikë të të gjitha fazave të Kosovës për liri, drejtësi e prosperitet!
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti pas homazheve te varri i ish-presidentit Dr.Ibrahim Rugova:
Jemi këtu bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrin e punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ditës kur filloi paqja në vendin tonë e për popullin tonë, për të vënë lule të freskëta te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, një kontribues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi, gjatë gjithë viteve të ’90-ta dhe më pas.
Pas homazheve këtu, do të vazhdojmë edhe te varri i simbolit të rezistencës, Nelson Mandellës së shqiptarisë e të Evropës, Adem Demaçi, për të vijuar me Kompleksin “Adem Jashari” dhe varret e Kryekomandantit Adem Jashari dhe të familjes Jashari, duke shënuar kësisoj edhe gëzimin tonë për çlirim, por njëkohësisht edhe kujtesën tonë për ata të cilët punuan e u sakrifikuan, për lirinë që kemi dhe shtetin që e ndërtojmë dhe e zhvillojmë sot.
Lavdi të gjithë dëshmorëve, martirëve të kombit, të gjithë veprimtarëve, udhëheqësve politikë të të gjitha fazave të Kosovës për liri, drejtësi e prosperitet!
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti pas homazheve te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Baca Adem, Adem Demaçi, kur pati dalë nga burgu, pati thënë që dola nga një burg i vogël në burgun e madh, që quhet Kosovë, sepse ishim nën okupimin e egër të Serbisë, me një regjim shovinist anti-shqiptar që kishte instaluar aparteid kundër nesh.
Prandaj, edhe Dita e Çlirimit, 12 Qershori, është edhe si një thyerje e një burgu të madh që quhej Kosovë, sepse u çlirua populli dhe po tërhiqeshin të gjitha forcat e armatosura policore e ushtarake të Serbisë. Andaj, sot në ditën e çlirimit dhe të paqes vumë lule të freskëta edhe te varri i bacës Adem, si simbol i rezistencës tonë, dhe gjithashtu si një veprimtar i paepur i cili nuk u kursye asnjëherë dhe dha gjithçka për më të mirën, e më të mbarën e vendit tonë, e të popullit tonë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve, martirëve e veprimtarëve të çështjes kombëtare.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”:
Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar dita e çlirimit dhe e paqes.
Sa herë që vjen 12 Qershori, rikthehemi në Prekaz, në këtë vend që paraqet kryeqytetin e kryengritjes sonë, në këtë vend të familjes së jashtëzakonshme Jashari, aq të jashtëzakonshme saqë të papërsëritshme dhe të kryekomandantit Adem Jashari, kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte bartëse e procesit të lirisë, që para 26 vjetëve u shoqërua edhe me ndërhyrjen e avionëve të NATO-s, kundër Serbisë armike, agresore, pushtuese, okupatore dhe sidomos shoviniste anti-shqiptare.
Më 12 Qershor, jemi përplot krenari për të arriturat tona, për shtetin e lirinë që gëzojmë, por njëkohësisht edhe me mall e pikëllim për ata bij e bija që nuk janë në mesin tonë, e ishin më të mirët sepse u sakrifikuan, e u flijuan për çlirimin e vendit dhe për lirinë e popullit.
Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar.





























