Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Prekaz, 6 mars 2026

Në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ditën e dytë të aktiviteteve shtetërore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se familjes Jashari, ne ia kemi borxh të përjetshëm e të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm, që ta ruajmë e ta mbrojmë shtetin dhe të drejtat e liritë e qytetarëve pa dallim.

Pas homazheve, kryeministri Kurti, nënkryetari Gola dhe pjesëtarë tjerë të kabinetit qeveritar vizituan familjen Jashari, ku u mirëpritën nga Rifat Jashari.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Bashkë me kolegë nga ekzekutivi dhe legjislativi, në ditën e dytë të përvjetorit të 28-të të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, erdhëm këtu në Prekaz në këtë kryeqendër të kryengritjes shqiptare, që të bëjmë homazhe, të vendosim lule të freskëta dhe t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që është paguar për shtetin e pavarur dhe sovran, për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe të qytetarëve.

Nga baba Shaban e nëna Zahide, e deri te Blerina e vogël, tre breza të Jasharajve, për tri ditë rresht ndodheshin në një rrethim të shumëfishtë e të hekurt të Serbisë pushtuese e okupatore, e cila me mijëra forca policore e ushtarake, me makineri të rëndë, shkrepi me mijëra e mijëra predha e plumba mbi këtë familje, që është simbol i kombit tonë sot.

Tre breza të Jasharajve gjatë atyre tri ditëve u flijuan për çlirimin e vendit, për lirinë e popullit, për republikën dhe për bashkimin tonë.

Andaj, familjes Jashari, ne ia kemi borxh të përjetshëm e të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm, që ta ruajmë e ta mbrojmë shtetin dhe të drejtat e liritë e qytetarëve pa dallim.

Sot Kosova ka ushtrinë e saj, e cila natyrisht që është amanet i Kryekomandantit Adem Jashari, i cili bashkë me vëllain e tij Hamzën, para se të binin heroikisht në luftë të pabarabartë me forcat armike, për 7 vjet kodrave e maleve të Drenicës e të Kosovës e të Shqipërisë qëndruan e vepruan e organizuan ilegalisht atë që më pastaj bëhet kryengritje gjithë popullore, bartëse e së cilës ishte Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës.

Andaj, këtë ushtri që po e avancojmë edhe për nga aftësitë edhe për nga madhësia, e shohim gjithashtu edhe si një përmbushje të idealit, të atyre luftëtarëve të orëve të para, të cilët teksa ëndërronin për çlirimin e vendit tonë, njëkohësisht punonin për ushtrinë e popullit tonë.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari për sakrificën e tyre sublime, e cila është në zemër të historisë së popullit tonë, të çlirimit tonë e të shtetndërtimit tonë demokratik.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors