Kryeministri Kurti bëri homazhe në 29-vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës

Prishtinë dhe Podujevë, 31 janar 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës bëri homazhe në kujtim dhe nderim të rënies së Zahir Pajazit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Homazhet i nisi në Prishtinë, kur bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu me kolegë nga Qeveria dhe Kuvendi e me veprimtarë të çështjes kombëtare, luftëtarë e ish-të burgosur politikë, ku vendosën lule të freskëta te shtatorja e Heroit të Kombit, Zahir Pajazitit në kryeqytet, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Nga aty, vijoi me homazhe te Kulla e Zahir Pajazitit në Orllan të Podujevës, pastaj te kompleksi “Hakif Zejnullahu” në Lladoc dhe në fund në Bulevardin e qytetit të Podujevës “4 dëshmorët”.

“Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte një luftëtar i paepur tërë jetën dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën në janarin e vitit 1997, u vra nga pusia e forcave serbe, për shkak se nuk ishte edhe e mundshme ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, sa që vetëm kurthi, pusia, prita, mund t’u jepte shanse forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin”, u shpreh kryeministri Kurti gjatë homazheve.

Ai tha se rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata, në mënyrë që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi, si dhe do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit, gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës”, deklaroi kryeministri.

Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!

Prononcimi i Kryeministrit Kurti pas homazheve te Përmendorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë:

Bashkë me presidenten e Kosovës dhe nënkryetaren e Kuvendit, me kolegë nga Qeveria e Kuvendi e me aktivistë nga Lëvizja, me veprimtarë të çështjes kombëtare, me luftëtarë e ish të burgosur politikë, vendosëm sot lule të freskëta këtu te përmendorja e Zahir Pajazitit në kryeqytet, në sheshin që mban emrin e tij.

Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte një luftëtar i paepur tërë jetën dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme.

Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën në janarin e vitit 1997, u vra nga pusia e forcave serbe për shkak se nuk ishte edhe e mundshme ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, sa që vetëm kurthi, pusia, prita mund t’u jepte shanse forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin.

Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti.

Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata, në mënyrë që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi si dhe do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës.

Lavdi Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors